KreuCelebrity

Ekskluzive/ Brenda festave të Fjodorës  dhe djalit Alteo!

“Sapo fus çelësin në derën e shtëpisë dhe ende pa u hapur mirë, dëgjoj një  thirrje “Mamiiii”, “Mamiiii”…aty më zhduket i gjithë stresi dhe lodhja e ditës, e pas mbylljes së derës pas meje, jemi vetëm ne të dy; e pastaj asgjë tjetër nuk ka rëndësi…Aty them ja vlejti çdo gjë…”

 Nada Biraçi

Fotografia: Fani Aliko

“Të lutem më fal, por do vonohem rreth 20 minuta, pasi ishte bllokuar rruga dhe m’u desh të ndryshoja kahje, për të shkuar të marr çunin në kopësht”; më shkroi Fjodora në whatsapp mëngjesin e ditës që patëm lënë takim për setin e fotove. Me gjithë turravrapin e stresin që ju desh të kalojë që në nisje të ditës, fiks 20 minuta më vonë, Fjodora dhe Alteo u shfaqën në krye të rrugës të kapur dorë për dore. Ndërsa çapkëni i vogël 5-vjeçar mundohej herë pas here t’i lëshonte dorën së ëmës, ajo me një ulje të lehtë të kokës i jepte porositë duke ju lutur që të tregohej një djalë i mbarë, sa të bëjnë disa foto sëbashku me mamin. Pasi u afruan në  “Qendrën Tregtare Coin”, ku do të realizohej seti, syve të Alteos nuk i shpëtoi këndi ku shiteshin lodra; ndaj ai na vuri një kusht; do të pranonte të bënte foto, vetëm nëse më pas do të blente lodrën. “Të jap fjalën, shpirt i mamit”; premtoi mami Fjodora duke e ditur mirë që ai kurrsesi nuk do ta harronte atë ç’ka ajo premtoi…Gjatë realizimit të setit Teo (siç edhe mami i thërriste) u tregua me të vërtetë një djalë i mbarë, ama herë pas here ai i kujtonte së ëmës premtimin që i kishte bërë; lodrën. Edhe në ato raste kur i vogli tregohej kryeneç, apo tekanjoz ishte mami ajo që i kujtonte atij dënimin; 1 javë pa televizor dhe pa I-Pad, (e për një fëmijë të ditëve të sotme ky po që është një super dënim). Atëherë Alteo ndryshonte menjëherë sjellje, duke dëgjuar mamin dhe xhaxhi fotografin ndërsa pozonte  fiks si një model i vogël ndërsa vendosnin topat me ngjyra në pemën e Krishtlindjes sëbashku me mami Fjodorën, për të cilën atmosfera e festave tashmë prej 5 vitesh ka një tjetër kuptim, dhe kjo vetëm falë Alteos…E veshur me shije, me një grim të lehtë dhe me buzëqeshjen të cilën  moderatorja e njohur e ekranit duket se e ka ‘aksesorin’ më të bukur të portretit, ajo na rrëfeu se si vijnë festat në familjen e saj të vogël, në folezën e ngrohtë ku Fjodora dhe Alteo Fjora mezi presin të mbyllin derën e shtëpisë pas shpatullave e të jenë vetëm ata të dy, e pas atij momenti asgjë tjetër atje jashtë nuk ka rëndësi…

 

Ka nisur atmosfera e festave në shtëpinë tuaj?

Atmosfera e bukur e festave të fundvitit ka nisur në maksimumin e saj, madje edhe më herët për vetë faktin që Alteo është në kopësht dhe kemi patur edhe atje festat, kemi nisur të blejmë dhuratat, kemi vendosur pemën që është një moment shumë gazmor, sepse luftojmë kush të vendosi topat i pari, por në fund fare yllin lart në pemë e vendos gjithmonë Alteo, e ka me shumë merak atë pjesë. Vendosja e pemës në familjen tonë është një moment shumë shumë i bukur, që nis që me nxjerrjen e dritave, apo zbukurimeve nga sirtarët dhe është e kuptueshme që vetë shtëpia merr një atmosferë e një ngjyrë tjetër. Pasi e zbukurojmë shtëpinë me rastin e festave të fundvitit, e kemi shumë të vështirë t’i heqim më pas, dhe e shtyjmë sa më shumë këtë moment. Asnjëherë nuk e respektojmë datën 5 Janar (Qesh). Ka nja dy muaj festë në shtëpinë tonë.

Ku do i kaloni festat këtë vit?

Krishtlindjen do ta kalojmë në Tiranë, vetëm ne të dy në shtëpi. Unë gatuaj gjithmonë, sigurisht me ndihmën e Teos, pasi sa herë që unë jam në kuzhinë djalin e mbaj aty që edhe ai të marri pjesë dhe na shijon shumë ky bashkëpunim. Krishtlindjen e kemi shumë të rëndësishme, pasi ne të dy jemi të pagëzuar. Emrin e pagëzimit Alteo e ka Theodhori, që do të thotë dhuratë e Zotit, ndaj e kemi shumë të dashur këtë festë.

Ndërsa për Vitin e Ri do të shkojmë tek nëna dhe tek gjyshi në Selanik, sepse na pëlqen shumë që të mblidhemi të gjithë bashkë. Ata mezi e presin Alteon atje. Ai momenti kur jemi të gjithë në shtëpi e hapim dhuratat, duke gëzuar të gjithë njësoj si Alteo, më duket se bëhemi të gjithë 5 vjeç dhe nuk ka përjetim më të bukur!

Cila është pjata që gatuani më mirë?

Gatuaj mirë përgjithësisht mishin, në të gjitha format e veta. Për Vit të ri më pëlqen të gatuaj mishin e egër (derri) në tenxhere me erëza aromatike dhe me patate të kuqe (mendoj se kjo pjatë është pika ime e fortë (Qesh)). Më pëlqen më shumë të bëj gatimet alternative, nuk jam shumë tek tradicionalet. P.sh gjelin e detit që bëjnë të gjithë për Vit të Ri, unë nuk di ta bëj. Biskotat e Krishtlindjes i bëj çdo vit bashkë me djalin që pret format, thyen vezët dhe imagjinoni sa të mira dalin ato biskota nga duart e Teos.

Cili është zakoni, apo riti i ëmbël që keni ju të dy bashkë ditët e pushimeve?

E kemi një zakon të tillë, që është i ëmbël në kuptimin e plotë të fjalës dhe nuk e heqim asnjëherë. Çdo mëngjes (kur jemi pushim), Teo do krepa nga duart e mamit, dhe unë ja bëj me kënqësinë më të madhe. Na shijon aq shumë ajo krepa e mëngjesit bashkë, duke qenë se për shkak të angazhimeve nuk kemi shumë mundësi të rrimë në shtëpi gjithë ditën vetëm ne të dy.

Përjetimi i festave me siguri ka ndryshuar që prej 5 vitesh kur Teo është bërë pjesë e jetës tuaj!

Ka ndryshuar shumë! Unë kam qenë një njeri që as pemë nuk mbaja në shtëpi, duke qenë se familjen time e kisha jashtë Shqipërisë dhe unë vetë isha gjithë kohës jashtë shtëpisë për shkak të angazhimeve. Të them të drejtën nuk e ndjeja fare të krijoja në shtëpinë timë një atmosferë festash. Por, që ditën që Teo ka hyrë në shtëpi gjithçka ka ndryshuar. U shtuan dritat, pema, zbukurimet, dhuratat, momentet ngazëlluese, pra i gjithë përjetimi i festave me ardhjen e tij është krejt ndryshe. Më kujtohet viti i parë kur Teo ishte me mua dhe vendosa që Vitin e Ri ta bënim të dy bashkë, tashmë si familje por nuk gjej fjalë të përshkruaj emocionin që ndjeja. Kisha nevojë të rrija vetëm me të, e të krijonim të dy bashkë atë atmoferën e ngrohtë të familjes…

Megjithatë gjatë festave juve ju duhet të jeni edhe më shumë në punë. Si arrini të gjeni kohën edhe për djalin?

Është e vëretë që puna që kam, ka shumë më shumë angazhime ditët e festave dhe kjo ma bën pak të vështirë prezencën (aq sa unë do të doja) tek Alteo. Ndaj, për këtë arsye në këtë periudhë të vitit mua më gjen duke vrapuar në kuptimin e plotë të fjalës (Qesh), sa në punë, në aktivitete, në organizime të ndryshme, e sa tek djali. Mundohem shumë që të mos mungoj gjatë tek ai dhe bëj çmos që t’i mbyll të gjitha punët në orarin që Teo është në kopësht. Dhe kjo gjë nuk ndodh vetëm në ditët e festave por edhe në ditë të zakonshme.

Çfarë mami është Fjodora, si e keni krijuar marrëdhënien me djalin tuaj?

Nuk jam ajo mami që plotësoj çdo tekë, dua që djali im të mësohet që jo çdo gjë mund ta ketë. Duke qenë se Teo është nip i vetëm në familjen time; nëna, gjyshi, daja e kanë llastuar së tepërmi, ndaj më bie mua ‘barra’ që të jem pak ai ‘zëri i arsyes’. Përpiqem shumë që të flas me të si dy të rritur, t’ja shpjegoj gjërat mirë që ai t’i kuptojë. Nuk e kam trajtuar kurrë Teon si nje bebe të vogël dhe kjo më ka ndihmuar shumë në marrëdhënie me të. Megjithatë kemi edhe ato momentet e ‘çmendurisë’ ku bëhemi të dy 5 vjeç, duke luajtur me jastëkë, lodra e çfarëdo argëtimi që na vjen në mend; apo duke parë të dy bashkë ndonjë film (titullin e të cilit sigurisht që e zgjedh ai).

Çfarë ndodh kur ti mbyll derën e shtëpisë pas një dite të lodhshme?

Është momenti që mezi pres, momenti më i bukur i ditës, (pasi kam kaluar orë të tëra në punë, me takime, regjistrime, intervista, aktivitete)…kur sapo fus çelësin në derën e shtëpisë dhe ende pa u hapur mirë, dëgjoj një thirrje “Mamiiii”, “Mamiiii”…aty më zhduket i gjithë stresi dhe lodhja e ditës, e pas mbylljes së derës pas meje, jemi vetëm ne të dy; e pastaj asgjë tjetër nuk ka rëndësi…Aty them ja vlejti çdo gjë…

Në përgjithësi nënat kanë shpesh pasiguri se ndoshta nuk janë aq perfekte sa duhet për fëmijët e tyre. Ju i keni këto ndjesi?

Unë vetëm perfekte nuk jam. Shpesh më kujtohet ai filmi “Bad mom’s” dhe ashtu ndihem, sepse jam 24 orë duke vrapuar, që të arrij të bëj punët, angazhimet e të jem prezent edhe për Alteon. Përpiqem shumë që të jem tek të gjitha festimet apo organizimet që ka Teo në kopësht, mirëpo qëllon ndonjëherë që p.sh në festën e falenderimeve nuk kam kohë të gatuaj biskotat dhe i blej në pastiçeri;  megjithatë në gjithë këtë vrapin tim më duket se ai nuk e ka ndjerë mungesën ende; pra kam arritur të jem prezent (jo aq sa do të doja) por ndoshta mjaftueshëm.

Po Teo çfarë fëmije është?

Unë mundohem shumë të flas me të, e pyes shumë; si e ka kaluar ditën, çfarë ka bërë, çfarë e shqetëson, sepse ai ka një natyrë që nuk flet shumë (më duket se djemtë në përgjithësi kështu qenkan)…Siç e thashë dhe pak më lart unë nuk e kam trajtuar asnjëherë si bebe, ndaj edhe ai komunikimin me mua e ka shumë serioz dhe më kupton si i rritur. Por si të gjithë fëmijët ka edhe Teo ato momentet e tekave, kapriçove, bëhet ndonjëherë kryeneç dhe në këto raste unë jam shumë e prerë duke mbajtur qëndrimin tim të palëkundur. Ai e di që nëse bën ndonjë gabim, dënimi është një javë pa televizor; ashtu sikurse nëse sillet mirë mund të zgjedhi një lodër të preferuar dhe e blejmë bashkë.

Përherë diskrete sa i përket jetës private. Aktualisht si është statusi juaj?  

Jeta private për të cilën jam shumë e angazhuar, shumë e fokusuar dhe që përbën thelbin e jetës time është Alteo; sepse në këtë moment çfarëdo që unë të mendoj për jetën time private lidhet direkt edhe me djalin tim, me të ardhmen e tij; lidhet me mundësinë e tij për të patur një familje sa më të lidhur e të bashkuar; ndaj për shumë kohë prioriteti im do të jetë Alteo…

Çfarë do të donit t’ju sillte Babagjyshi këtë vit?

Këtë vit do të doja që babagjyshi të më sillte një shtëpi të re! Prej kohësh po përpiqem të krijoj një hapësirë në bregdet, dhe kjo është dëshira e vetme që kam në këtë fundviti. Më pëlqen te shpenzoj kohë në bregdet si në dimër ashtu edhe në verë e deri më tani kemi patur shtëpi me qira. Këtë vit dua të investoj për të blerë një të tillë pasi Alteo e do shumë detin.

 

 

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF