KreuBusull

Një udhëtim në Fishtën e magjishme, me histori, traditë e kulinari!

Fshati gjithnjë ka qenë një destinacion pushimi që ka joshur qytetërimin, një vend ku mendja kthjellohet, e shpirti gjen qetësinë. Aty ku vera ka tjetër kuptim, e dimri merr dimensionet e tij të vërteta. Në kuadër të promovimit të “100 fshatrave” projektit më të ri të qeverisë shqiptare, që do të risjellë në vëmendje destinacionet fantastike rurale të Shqipërisë, Bordo së bashku me ABI Bank me shumë dëshirë janë bërë një skuadër kompakte për të përqafuar me shumë dëshirë këtë projekt. Kësaj here kemi menduar të ndalojmë në Fishtën magjepsëse:

Ndodhet në zemër të Zadrimës, një zonë me pamje magjepsëse e cila prej disa vitesh ka rrëmbyer gjithë vëmendjen, për shkak se disa prej restoranteve vendase, kanë joshur edhe të huajt me mënyrën sesi gatuajnë ushqimet tradicionale, duke i dhënë atyre frymën e pjatave gourme. Askush nuk do ta kishte menduar më parë se bëhej fjalë për fshatin e Gjergj Fishtës, edhe pse realisht vetëm një pllakatë tregon se ai ka qenë vendi ku poeti ka lindur, por asnjë detaj më shumë apo shtëpi muze.

Prej së largu dallohet kodra e Lekëve, një toponim që nënkupton se aty banon një prej fiseve, sepse thuajse e gjithë krahina, ka grumbuj shtëpish, që përcaktojnë edhe kufijtë mes fiseve, një gjurmë kjo nga e shkuara e cila respektohet ende. Sheh ende gratë e veshura me kostumet e Zadrimës, por jo vetëm, edhe thellësia e mikpritjes duket teksa të japin dorën, të majtën e vendosin në kraharor në formë respekti.

Por, nuk do të kishte ndoshta këtë zë që ka sot kjo krahinë, nëse gastronomia nuk do të ishte kthyer në një joshje të vërtetë turistike. E nisur më shumë si një atraksion që lidhet me kulinarinë, restorantet më të njohura që tërheqin numrin më të madh të vizitorëve janë “Mrizi i Zanave” dhe “Oazi Fishtë”.

Përmes një eksperience të shkëlqyer gastronomike, ata kanë rritur interesin për zonën, duke rikthyer pjatat tradicionale të shtëpive tipike të Zadrimës, në receta që kanë marrë vlerësime të rëndësishme botërore në fushën e kulinarisë.

Ato gatuajnë kryesisht pjatat vendase, thuajse të gjitha të prodhuara në fushën aty pranë, por ama me një kusht të vetëm, të gjitha shërbehen me verën e rallë të Kallmetit, një produkt autokton shqiptar i cili e merr emrin pikërisht nga vendi ku edhe prodhohet dhe vijon të jetë krenaria e krahinës.

Punimet e tezgjahut janë një ndër traditat më të çmuara, ndaj mund të gjeni produkte të cilësisë së lartë dhe të punuara me dorë, nga veshjet e deri tek qilimat dhe sixhadetë. Mund të vizitoni gjatë kthimit kalanë e Lezhës, apo Memorialin e Skënderbeut, si dy ndër destinacionet më të vizituara në këtë zonë.

 

 

Tags:

Home Busull

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF