KreuFashion

#rrinështëpi/ Sfida e gatimit mund të jetë më interesante, sesa thjesht rutinë! Gara nis në Bordo.al!

Nga Ilda Lumani

Këto ditë qëndrimi në shtëpi mund t’i kthejmë në motivuese, me disa ide të vogla, që përbëjnë edhe rutinën tonë të përditshme tashmë.
Nëse jeton vetëm, jeton me partnerin a partneren, jeton me një shoqe, a një shok, jeton me prindërit, apo ke familjen tënde padyshim që një pjesë të ditës e kalon në kuzhinë. Kjo duke filluar nga nevojat e tua e deri duke u dhuruar dashuri të tjerëve përmes gatimit tënd!
Kjo periudhë mund të shërbejë për të përmirësuar recetat, që duket se nuk kishin funksionuar deri më dje, për të bërë receta të reja, apo edhe për të krijuar gatimet tuaj unike!
Teksa po përgatisja sot disa simite, për të cilën më ndihmuan edhe fëmijët e mi Bonini dhe Hana (gatimi është argëtues edhe për fëmijët, dhe një mënyrë për t’i aktivizuar ata dhe për të bërë diçka ndryshe gjatë kësaj kohe!), mendova që të mobilizoja në një farë mënyrë mikeshat dhe miqtë e bordo.al.


Simitet që bëmë sot është një recetë, të cilën ja kam marrë pak kohë më parë mamasë së shokut të Boninit, janë Simite Turke. (Në postimin më poshtë do të jetë e plotë kjo recetë për të gjithë ata që duan ta realizojnë në shtëpitë e tyre).
Sugjeroj që të bëheni pjesë e këtij grupi dhe të gatuajmë jo vetëm për familjen, por edhe për t’u argëtuar, mësuar nga njëri-tjetri, por edhe për të garuar (Më vonë do të tregojmë për këtë pjesë).
Nga ju kërkohet që gatimet që bëni t’i fotografoni dhe të na dërgoni recetën e pjatave që do të bëni.
Ne do t’i publikojmë ato në rubrikën e Recetave në bordo.al, mandej në Instagram, ku edhe do të keni mundësi të jepni pëlqimet dhe komentet tuaja për të.
Bëhuni pjesë e këtij komunikimi me njëri-tjetrin për të ndarë momente të këndshme në këto ditë aspak të lehta të vetizolimit! Gatuajmë dhe argëtohemi për t’i dhënë ditës ca emocione të bukura!

Simite turke (açma):
200 ml qumësht (i vakët)
1 lugë gjelle (lgj) sheqer (ose mjaltë)
2 lugë çaji (lç) maja
100 ml vaj (misri ose luledielli)
1 lç kripë
2 kokrra vezë
4-5 gota miell (kjo varet edhe nga lloji i miellit)

Si fillim, ngrohim pak qumështin, dhe e bashkojmë me sheqerin dhe majanë në një enë të madhe, dhe i lëmë rreth 5 minuta, sa të aktivizohet majaja.
Ndërkohë veçojmë një nga të verdhat e vezëve dhe e ruajmë për të lyer simitet para pjekjes.
Te ena me qumësht shtojmë vezët (1 të plotë dhe të bardhën e vezës tjetër), kripën dhe vajin, i trazojmë mire dhe më pas shtojmë miellin.
Miellin e shtojmë gradualisht derisa të bëhet një masë brumi kompakte por e butë. E punojmë 5-10 minuta dhe nëse është e nevojshme shtojmë sërish pak miell.
E lëmë masën e brumit të mbuluar në enë që të pushojë në një ambient të ngrohtë (sobë apo mikrovalë), për të paktën 30 minuta ose derisa të dyfishohet masa.
***
Ngrohim furrën paraprakisht në 180-200 gradë.
Marrim brumin dhe e ndajmë në dy pjesë. (Mund ta pjekim të tërin ose ta ruajmë një pjesë në frigorifer në një enë të mbyllur mirë dhe ta përdorim deri në 2-3 ditë më pas.) Vendin ku do hapim brumin e spërkatim me pak miell sa për të mos ngjitur. (Ose një metodë tjetër është ta lyejmë me pak vaj.) Marrim njërën pjesë të brumit dhe e hapim me dorë duke formuar një rrip të trashë. Më pas e ndajmë në copa të barabarta, sa një kiwi. Çdo copë e hapim duke formuar një rrip të hollë. Rripat mund t’i lidhim bashkë si gërshet dhe t’i japim një formë rrethi, ose mund të marrim një rrip dhe ta mbështjellim rreth vetes. Gjithashtu, mund ta hapim në formë të sheshtë dhe ta mbushim me djathë apo sallam, dhe sigurohemi që ta mbyllim mire duke i dhënë një formë të rrumbullakët.
Pasi t’i kemi gati simitet i vendosim në tavën e pjekjes. (Zakonisht vendos një letër pjekjeje mbi tavë.) Të verdhës së vezës që kemi ruajtur më herët i shtojmë pak fare ujë dhe e përziejmë, dhe me këtë lyejmë mirë simitet. I fusim në furrë për rreth 15 minuta.

Receta u përgatit nga Afrora Muça

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF