KreuFashion

Recetë: Pispili me erëzat e ballkonit

Pispilija është ndër pjatat e mia të preferuara, por jo shumë e përdorur për shkak të kohës së gjatë që nevojitet për përgatitjen e saj.

Në fakt nuk kërkon kohë shumë përgatitja e pispilisë, por larja e jeshilliqeve që duhen përdorur. Për përgatitjen e pispilisë duhen vetëm 30 minuta, 20 pjekje dhe 10 përgatitje (nëse nuk do të llogarisim kohën që duhet për larjen e përbërësve)

Në kushtet e karantinimit kur koha është me tepri, pse jo të mos përfshijmë edhe pjata që nuk do t’i bënim shpesh për shkak të punëve të përditshme. Aq më tepër kur disa erëza mund t’i keni edhe në shtëpi. Personalisht kam shfrytëzuar hapësirën e ballkonit për të mbjellë në vazo erëza të freskëta.

Unë preferoj ta bëj me shumë jeshilliqe, por receta varion sipas dëshirës dhe me ato që ju gjenden. Disa prej përbërësve tradicionalë si përdorimi i kosit, unë gjithashtu i kam ndryshuar pas zbulimit te kefirit i cili është shumë më ushqyes dhe plot me baktere të mira ose probiotikë.

Përbërësit

2 tufa lëpjeta;

2 tufa spinaq;

2 tufa labot;

2 tufa pazi;

1 tufë e madhe majdanoz;

4 qepë të njoma vetëm bishtat jeshile;

1 tufë e madhe nenexhik i freskët;

1 tufë e madhe kopër e freskët;

1 filxhan kafeje vaj ulliri;

1 lugë kafeje kripë;

Djathë sipas dëshirës;

2 vezë të freskëta;

1 gotë e vogël uji kefir;

¼ kg mjell misri.

Përgatitja

Lajmë mirë të gjitha jeshilliqet dhe i presim.  Në një tenxhere të madhe hedhim vajin e ullirit extra të virgjër. Sapo nxehet grimë qepët e njoma por jo pjesën e bardhë të tyre. Pasi skuqen pak hedhim të gjitha jeshilliqet që kemi grirë. I shtojmë kripën.

I lemë në zjarr derisa ato të zbuten dhe ta thithin të gjithë lëngun. I heqim nga zjarrin dhe i lemë të ftohen.

Në një tas tjetër hedhim vezët, kefirin, djathin dhe mjellin e misrit. I përziejmë mirë derisa të na bëhet një masa homogjene.

Në tavën e pjekjes hedhim vaj ulliri dhe e lyejmë mirë. Aty hedhim të gjithë jeshilliqet e gatuara. Sipër i hedhim përbërësit e tasit dhe i përziejmë mirë. Piqeni në furrë të ngrohur paraprakisht 180 gradë për 20 minuta.

Unë përdor pak miell misri sa për lidhje në mënyrë që të jetë sa më e madhe vlera e jeshilliqeve dhe shija e tyre të mbizotërojë.

Ju bëftë mirë.

Recete nga Rozeta Tase

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF