KreuCelebrity

World Culinary Awards, Marchesi restoranti më i mirë

Prej vitesh i përfshirë në guidat turistike botërore, restorant Marchesi i njohur nga shijehollët, artdashësit dhe verëdashësit si një ndër referencat më të mira gastronomike shqiptare nën drejtimin e chef-patron, Gëzim Musliaka vlerësohet si restoranti më i mirë shqiptar për vitin 2021 nga World Culinary Awards. Chef Musliaka tregon projektet e ardhshme në fushën studimore gastronomike, arsyet pse restoranti që ai drejton do të vijojë të mbetet një busull për ata që duan shijen e rafinuar të kuzhinës shqiptare.

Gëzim, si ishte për ju viti 2020 në aspektin njerëzor dhe profesional ?

Në aspektin njerëzor periudha e izolimit, ishte një qëndrim brenda ambientit dhe familjes, e cila si njësia bazë e organizimit shoqëror, edukimit qytetar, kulturor, por edhe gastronomik përballoi me dashuri dhe ngrohtësi atë situatë jo të zakonshme. Në aspektin profesional, ashtu siç nuk do ta dëshironim, një problem i madh shëndetësor gjunjëzoi deri në mbyllje korpusin e shërbimeve. Restorantet pritën brenda rregullave të protokollit një numër të kufizuar klientësh, pa diskutuar eventet, ceremonitë, bufetë, grupet turistike, etj,.

World Culinary Awards e shpalli Marchesi, Restoranti më i mirë në Shqipëri, ju si e përjetuat?

Vlerësimi vjen nga një asosacion që është marrë kryesisht me turizëm, natyrshëm që kulinaria është pjesë e identitetit kulturor të një vendi që prezantohet nga turizmi. Është një investim disa vjeçar që e ka bërë restorant Marchesi – prezantimi dinjitoz i artit kulinar shqiptar. Disa agjenci turistike shumë serioze që operojnë në Europë, Amerikë e Azi, kanë bërë pjesë të guidave darkat gala tek restoranti ynë ku shërbehen gatesa dhe verëra shqiptare.

Ju jeni nga të paktët pronarë dhe shef ekzekutivë (chef-patron), ajo që më impresionon më shumë në kuzhinën tuaj është shija e veçantë, por njëkohësisht e njohur, e ngrohtë, familjare, një traditë e mirë e sjellë në kohën tonë. Si punoni ju mbi recetat e traditës?

Ne bëjmë kuzhinë shqiptare, sjellim receta të rivizituara të traditës dhe krijime origjinale që përshtaten me shijen tonë dhe pëlqehen nga klientët. Kultivimi i shijeve është i ndërsjelltë, patjetër që tendenca, njohuri, teknika, kombinime që në pamje të parë janë kontradiktore krijojnë ngacmime në receptorë që përfundojnë me një harmoni të brendshme, nxisin reagime dhe provokojnë emocione që përveç kënaqësisë nguliten në memorie.

Për çfarë ka nevojë kuzhina shqiptare që të jetë prezente dhe konkurruese në rajon dhe më gjerë?

Kulinaria jonë ka vlerësime maksimale nga grupet turistike dhe vizitorë të ndryshëm që vizitojnë vendin tonë. Trupa diplomatike po ashtu e konfirmon që kuzhina shqiptare është më e mira në rajon. Në tregun mediatik të shkruar, po qarkullojnë botime të shumta gastronomike, libra me receta të disa zonave të Shqipërisë, studime historike të periudhave të ndryshme, ku fokusi gastronomik trajtohet si tendencë e kohës me ngarkesë të theksuar kulturore, kombëtare, identitare dhe integruese në rajon e më gjerë. Sot është imperativ një rizgjim i vlerave të artit kulinar, i cili ka ndjekur rigorozisht në histori hapat dhe stadet e lëmeve dhe gjinive të tjera artistike. Përgatitja e profesionistëve duhet të ndjekë tendencat moderne që janë edukimi i gjerë kulturor dhe i teknikave të standartizuara ndërkombëtare që të munden të punojnë më mirë mbi lëndën që kuzhina e traditës ofron. Jam i bindur që prej një dekade jemi në rrugën e duhur.

Cilat janë projektet tuaja në planin individual për 2021?

Brenda këtij viti si bashkëautor i ”Enogastronomia mbarëshqiptare” do të përfundoj termat gastronomikë, botim i Akademisë së Shkencave nga një grup autorësh profesorë të fushës, nën drejtimin e prof. Andrea Shundi. Jam në përfundim të “Histori gastronomie”, një udhëtim antropologjik nga antikiteti ilirik, helen, romak, mesjetë, epoka paramoderne dhe moderne. Një rrëfim dhe analizë e zgjeruar e artit kulinar.

Çfarë risish presim nga restorant Marchesi?

Restorant Marchesi do të mbetet vendi i ngohtë dhe i dashur për artdashësit, verëdashësit, shijehollët.

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF