Leonard Bombaj/Besoj në art, si fëmija në lodrën e vet

Moshatarë të brezit tim, ende i kujtojnë me kaq adhurim skenat prekëse të filmit “Tingujt e Harresës”, i cili shkundi një gjeneratë të tërë për shkak të konceptit të pazakontë televiziv që Leonard Bombaj solli në ekranin shqiptar. Pastaj erdhën “Kripëmjaltëzat”, ku të vegjlit, me një talent që nuk ja rrokte mendja askujt, na bënë të besojmë se dhuntia është një levë arkimediane që vë në lëvizje gjithë globin: ishte sërish Bombaj i cili na shkundi me idenë brilante të krijimit të një akademie për të vegjlit, e cila u kthye në një industri që prodhoi emrat si Nik Xhelilaj apo Klea Huta. Por, Loenard Bombaj nuk ndalet, së fundmi gjithmonë duke ndjekur misionin e tij, sjell Stand Up Albania, një projekt televiziv i cili po korr suksesin e radhës, ndërsa në këtë intervistë për Bordo ai vendos të rrëfejë edhe për projektet e tij të ardhshme…! Faleminderit Nard që bekon ata që kanë edhe kur kanë një grimë talenti, ti i mbështet, sepse me vizionin tënd, je i vetmi që mund ta kthesh një shkëndijë, në një dritë të fuqishme…!

Si erdhi ideja e “Stand Up Albania”, një zhanër i njohur në botë, por jo shumë popullor në Shqipëri?

Nje “uri” sociale që u zbulua qysh në 2018 në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës për “Stand Up Tirana”. Audicionet në shkolla, dëshira e adoleshentëve për t’u dëgjuar, pranuar, seleksionuar, krijoi vetvetiu një standart dhe garë midis tyre. Surpriza më e madhe që pamë ishte se përkundrejt opinioneve se “kemi një brez të çoroditur, kuturu”, etj, ne takuam modele jashtëzakonisht të orientuar për të ardhmen e tyre, të artikuluar, madje në menaxhim të ëndrrës së tyre. E thënë shkurt, me një hartë të qartë të ambicjeve të tyre. Florian Binaj, trajneri dhe anëtari i Jurisë e tha qartë: “Këtu po shoh ministra të ardhshëm, politikanë, gazetarë dhe komedianë të Shqipërise së nesërme.”

Ndryshe nga zbulimet e talenteve përgjatë karrierës tuaj, çfarë ka SUA ndryshe?

“Stand Up Albania” ofron “Public Speaking”, “Stand Up Comedy”, Performancë. Së pari duhet të themi se të gjithë ne lindim me mekanizmin e Publik Speaking. Diferenca është se nëse një violinist duhet të bëjë 10 mijë orë studime deri sa të bëhet virtuoz, në Public Speaking të interesuarit duan disa bordura orientuese dhe transformimi është i shpejtë brenda disa javësh. Ky format përveçse është artistik, sjell një ndikim afatgjatë në shoqëri. Është format që edukon, transformon dhe promovon talente. Jam surprizuar kur shikoj se nëpër botë po investohet miliona dollarë, pound, euro për zhvillimin personal të brezit të ri. Përgjegjësia për materiale didaktike më bëri të kontaktoj me ekspertë në Britani, të cilët tashmë i kemi si drejtorë kreativë që na furnizojnë me strategji, referenca, këshilla, siç është kolegu im Keti Dashi. Mijëra faqe kanë strukturuar tek ne një informacion më të thellë, më transformues. Më besoni jam mahnitur me instruksione kaq të vlefshme për kohën dhe kam mbetur gojëhapur kur lexoj se ato janë publikuar qysh në vitin 1915. Kjo konfirmon zhvillimin e madh të kësaj ekspertize qysh në shekullin e kaluar, por edhe zbrazëtinë e madhe në vendin tonë. Pra, figurativisht ne jemi një karvan shoqërues i Dhaskal Todrit që thotë: “Këto janë florinj e shkuar floririt o Tunxh!” Pra gërma, alfabet, që njerëzit të prodhojnë fjalë, fjali, ide…!

Jemi mësuar tju shohim me produksione të Sirea Film, si “Kripëmjaltëzat”, ku çdo gjë vjen e kuruar në çdo detaj, ndërsa SUA është më natyrale, çfarë ju ka surprizuar në këtë mision të ri? 

“Kripëmjaltëzat” do të mbeten një mision i paharrueshëm në jetën time sepse në atë rrugëtim ndava eksperiencën time dhe talente të reja u promovuan duke filluar qysh në 2003 me Nik Xhelilaj, Klea Huta, Orena Bici, ku kanë parakaluar edhe talente si: Kejsi Tola, Enxhi Nasufi. Kjo eksperiencë nga A-ja tek Zh-ja më bëri të isha dhe të jem Kalë – Kalorës – Karrocë drejt kalasë së karrierës time. Tek Stand Up Albania me surprizon prurja e talenteve Veri – Jug deri edhe në diasporë. Gjithashtu zbulimi është se shqiptari e ka në gen protagonizmin dhe kërkon të dëgjohet. Seleksionimi i dy edicioneve na ka sjellë talente përballë që janë drithërues në ndjeshmëri, por edhe hokatarë në humor. Mund të deklaroj me përgjegjësi intelektuale dhe profesionale se qysh tani kemi një ligë talentesh të gatshëm për ekrane televizive, madje për formate të reja, të paeksploruara akoma. Kemi një vajzë 17-vjeçe multi-talente që ka të shkrirë brenda vetes aktrimim, baletin, këngën, instrumentin, pikturën dhe me gjuhë fluente anglisht, frengjisht, aq sa mund të thuash “Trajnimin e paska filluar sapo lindi”. Vajza nga Luzi i Kavajës 9 vjeçe me energji dhe guxim krijues përtej moshës, përtej trupit. Surprizë ka qenë një djalë 20 vjeçar nga burgu i Fierit i cili na shkundi me të vërtetat e tij nga qelia. Kam parë me sytë e mi, madje janë edhe në ekran me zë dhe figurë, personalitete që përloteshin deri në dënesë. Vini re! Nuk thashë u prekën, por shumë më shumë. Kjo vërteton se Public Speaking është një “makineri magjike” që edhe ëndrrat në dhomën e gjumit mund t’i thuash publikisht.

Jam kurioz të di, materialet e konkurrentëve si zgjidhen, secili prej tyre ka një zhdërvjellësi të admirueshme, edhe pse janë karaktere të ndryshme?

Të falënderoj për pyetjen se më dhe mundësinë që të them të vërtetën e madhe që ky format sjell më shumë se sa talenti i stafit. E dini? Kur dëgjoni tekstet e tyre, shumë pyesin: Vetë e ka bërë? Po, pra! Autorësia është e tyre. Kjo është pika e fortë e projektit. Zbulojmë dhe dëgjojme gjëra që asnjë skenarist nuk e prodhon dot me imagjinatë. Learti 12 vjeç thotë: “Kam bërë 14 operacione, më i vështiri zgjati 13 orë, dhe unë jam 12 vjeç. Në trupin tim ka më shumë riparime se sa ka një Benz 12 vjeçar.” E cili skenarist do ta qëndiste me imagjinatë këtë të vërtetë të dhimbshme? Apo Ajla 9 vjeçe që i thotë së ëmes: “Mami në fshatin tonë nuk ka teatër, me ço tek fshati i teto Ollgës “Zonja nga qyteti” se atje ka teatër.” Pra, një fëmijë 9 vjeç e cila me moshën e saj të vogël na kujton ne të rriturve vlerat që vetë i kemi harruar dhe penalizojmë të vegjlit. Dhe për ta mbyllur Keris nga Korça që nga sekondi i parë deri në fund kalon në zëra të ndryshëm imitimi të kaq e kaq vipave shqiptarë, saqë të merr malli për zërin e saj të vërtetë. E pra, unë këta i quaj kolegë qysh tani të artistëve që kontribuojnë në formate televizive.

A ishte i vështirë realizimi i Stand Up Albania?

Një ditë marsi kur sapo filloi karantina, projekti mbeti si një autobuz xham-thyer, gomë-çpuar në mes të rrugës, unë mora ndihmën e kolegeve të mia, Bruna, drejtore ekzekutive e projektit dhe Madila që më instruktuan të dal Live në Instagram. Dhe ta dish i dashur mik! Herën e parë kam dalë 5 minuta, pas meje një sixhade e varur si ato fotografitë e Shote Galicës. Por në fakt jo! Isha unë i shtrirë mbi qilim dhe përshëndeta konkurrentët. Me flokë të karantinuar, domethënë i paqethur. E kush pyeti për luksin e lookut. Të gjithë u mblodhen dhe çdo 3 ditë flisnim, bënim audicione, njiheshin me njëri – tjetrin, saqë një ditë menduam të bëjmë një parodi “Kafe Flora” me xhirimet e tyre në celular. Më pas fantazia nuk ndalej, fëmijët, të rinjtë ranë dakort që ta shembnin murin fizik të karantinës duke zhgarravitur muret me pikturat e tyre. Se kujt i vajti mendja, dhe nga Tirana në Kosovë, nga Londra në Çikago, fëmijë që mbushnin fasadat e mureve me piktura. U lidhëm me Kryetarin e Bashkisë Erion Veliaj, solli një autobuz që shëtiste nëpër lagje, fëmijët e zhgarravitën, ngjitën pikturat e tyre, autobuzi u kthye në “Ekspozitë shëtitëse” dhe qershia mbi tortë në fund të videoklipit ju bashkuan vipa si Iirma Libohova, Aurela Gace, Eneida Tarifa dhe Agron Llakaj, që kënduan live në fund. Të gjitha që ju thashë janë në youtube tek kanali i Sirea Film. Më kujtohet gallata kur bëmë edhe slogan: “Kush ka ndërmend të lyejë muret këtë Verë le të pikturojë, kush nuk ka plan për të lyer, bëjnë mirë që të lyejnë këtë Verë”. Dhe unë si producent sigurisht që dorëzova murin e kuzhinës, por vajza ime pëlqente më shumë murin e dhomës së gjumit dhe aty u pikturua.

Pas kaq vitesh pune me fëmijët dhe adoleshentët, a mund të na zbuloni ku qëndron sekreti yt, sesi arrin të sillesh me ta, përshtateni ju, apo ata më shumë?

Me një përgjigje fare të thjeshtë: “Unë besoj në art, njësoj si fëmija në lodrën e vet.” Pasioni im ka energjinë e një fëmije trazovaç, të pabindur, por që kalkulohet me mendjen e një burri financiarisht, ekzekutivisht. Madje nga shumë shembuj botërorë thuhet “Suksesi i një artisti është pasioni fëmijëror në vepra.”

Cila është këshilla që u jep më shpesh studentëve të tu të vegjël? 

Dëshirë përvëluese, suport prindëror dhe vetëdisiplinë. Nuk ka sukses pa sakrificë. Të lexojnë mendje të mençura. Nuk mjafton zjarri i pasionit, por vullneti olimpik i pandërprerë. Gjithë jetën jemi nxenës. Unë vetë mësoj përditë.

Cila është ajo pjesë e karrierës tuaj për të cilën ju jeni me të vërtetë krenar?

Po filloj të numëroj: Filmi im “Tingujt e Harresës” që më çoi në festivalin botëror Kanada. “Kripëmjaltezat” dhe Show me ta në Festivalin Botëror Kroaci ku u quajtën “The Best”. Rekordi Guinness i vitit 2017 me 8 mijë fëmijë Jug – Veri, ku përjetova një çast përjetësie, Stand Up Albania finale mbijetuar nga karantina, dhe kur e krahasoj me vete, jam shumë krenar me atë ide që sapo më shkoi në mendje dhe ska ndodhur akoma. Është e jashtëzakonshme, gjithëpërfshirëse, është “Sa qejf, sa frikë”. Por, do vallëzoj me frikën.

Po ata fëmijë, të cilët sot janë rritur dhe janë produkte të Sirea Film që ju bëjnë krenarë? 

Jam më shumë se krenar e mirënjohës për emrat e tyre sepse suksesi i tyre është bekim për mua. Janë Nik Xhelilaj dhe Klea Huta, por a e dini që disa prej tyre nuk janë bërë aktorë, si Keda Kaceli e cila përgatiste fjalimet e Berluskonit, dhe e çoi deri në parathënie të At Zef Pllumit, zotin Berluskoni që të shkruante ai vetë. Boni simpatik i adhuruar nga moshatarët e tij studion Shkenca Politike në Gjermani. Këta do të mbeten gjithë jetën bijtë që zgjasin ëndrrat nëpër glob me logon “Kripëmjaltëzat e Sirea Film”.

Nëse ka një ose më shumë gjëra që mendoni se do ta bënin më të mirë industrinë e zbulimit dhe trajnimin e talenteve, çfarë është ajo?

Kjo që po ndodh, dhe kjo që na bashkoi në këtë intervistë, “Stand up Albania”, hapësira, trajnimi, promovimi i të rinjve nëpermjet Public Speaking dhe Stand up Comedy.

 

Si i keni raportet me fëmijët tuaj, a janë ata mësues për ju, si të silleni me moshatarët e tyre në raportin e trajnerit?

Së pari ju kam dhënë lirinë e zgjedhjes. Së dyti luftoj sa mundem që mos kenë hijen e babait. Nuk dua gjërat t’i kenë të gatshme, por t’i gatuajnë dhe t’i shijojnë vetë. Dua që në çdo arritje të kenë ndërtuar muskujt e sakrificës së tyre që mos t’ja u marrin nga dora suksesin. Të dyve, djalit-Marbi dhe vajzës-Sirea ju kam thënë: “rrituni të mençur bab! Që kur të plakem unë, t’ju ngjaj juve.”

Së fundmi me Ermal Mamaqin në një projekt mbi të folurën publike, çfarë ka të veçantë kjo nismë?

Ermali është shembull i qartë që rruga e secilit nuk i ngjan të tjerëve. Ai është “talenti që monetizon talente.” Ka respekt për paranë, e quan energji. Fakti që është kaq hokatar, i qeshur në mes të një realiteti dramatik, tregon se ka një forcë të brendshme gjigande. Mamaqi ka hapur një platformë virtuale online, e para në Shqipëri për trajnime nga emra të ndryshëm. Unë festat e vitit të ri i kalova duke lexuar ekzaktësisht 3 mijë faqe për të krijuar dy programe “Public Speaking” dhe “Stand Up Comedy” për 8 deri 14 vjeç. Me Mamaqin tashmë jemi një ekip. Unë ofroj shërbimet e mia, kompania e tij shet online. Në platformën e tij Tidi.al ka edhe ekspertë të tjerë që ofrojnë ekspertizën e tyre. Besoj fort se është e ardhmja e mundësive dhe komunikimeve të mëdha. Tashmë klientela është transferuar le të themi nga Xhamlliku në Singapor, Amerikë, në gjithë rruzullin. Kjo është hapësirë, por edhe sfidë për mua që të ndjek ritmet e reja të këtij viti të ri në këtë Botë të Re.

Po jetojmë në një epokë thuajse virtuale, por ama po jetojmë në një epokë ku komunikimi në publik, mund të jetë e ardhmja për brezat e rinj? 

Le ta themi mes nesh sikur po ta pëshpëris në vesh: “Me një fjalë mund të humbësh 1 milion dollarë, me një fjalë mund të fitosh 10 milion dollarë.” Ndryshimi i një fjale të duhur me një fjalë pothuajse të duhur është si shkrepëtima me dritën e xixëllonjës. Sa të presësh pemën me sëpatën e vjetër për gjithë atë kohë, më mirë mprih sëpatën: në këtë rast komunikimin publik.

Previous ArticleNext Article