KreuStil Jetese

Alaska në syrin e një udhëtareje!  

Nga Edlina Losha

Çfarë mund ta nxisë një njeri, (si puna ime p.sh.), që të shkojë në Alaskë? Në këtë vend që ndryshe quhet: “Fundi i Botës dhe i qytetërimit?” Aty ku thuhet edhe që: “Mbaron Toka dhe fillon deti?”

Në Alaskë historikisht shkojnë dy lloj njerëzish: “ata që rendin DREJT diçkaje dhe ata që rendin PREJ diçkaje.”Më së shumti tipat aventurierë! Aventurierët e “etheve të arit“,  të gjithë llojet e ëndërrimtarëve apo ata që donin të harronin apo të harroheshin.

Një vend sa i bukur- i cilësuar si një “bukuri magjike”,- por edhe po aq i egër, i beftë dhe i rrezikshëm! Duhet të jesh i përgatitur për  çdo rast! Sepse vetë Alaska është një minutë si “Bukuroshja e fjetur” dhe minutën tjetër një egërsirë e pamëshirshme. Sa më shumë të lexosh rreth saj, aq më intriguese dhe magjepsëse dhe joshëse bëhet! Kuptohet, për tipa aventurierë si puna ime! E dini cila është motoja e alaskianëve? “Të presësh të papritshmen“, – “Expect the unexpected“ ose siç mund të thuhet në shqip: “E gjetç nga mos e pandefsh“.

Rruga për Alaskë veçanërisht nga Shqipëria është shumë e gjatë. Afërsisht 13 orë udhëtim me avion nga Stambolli në San Francisco dhe më pas rreth 4 orë e dyzet minuta me “domestic flights“ deri në Alaskë, Anchorage.  Vendosa t’ia besoj veten dhe udhëtimin tim në Alaskë guidave vendase, sepse janë ata që e dinë më mirë se kushdo se ku mund të shkosh dhe ta shijosh atë në të gjitha mënyrat. Sepse doja që ta shfrytëzoja në maksimum këtë udhëtim për të parë atë që quhet “Alaska itself “- sepse jo më kot thuhet: ”Alaska, ose hiç fare“.

Shprehja që lexova në tualetin e parë me të mbërritur në Alaskë, ishte: “Nuk të premtova një kopsht me trëndafila- e jotja, Alaska“, – më bëri të qesh me vete! Por gjatë ditëve që ndenja aty, më erdhi nëpërmend kjo shprehje, e duhura në fakt!

Vështirësia e parë që hasa me të mbërritur në Alaskë?

Gjumi. Jo vetëm prej ndërrimit të orës (14 orë prapa me shtëpinë), por mbi të gjitha për shkak se në këtë periudhë të vitit, pra në zemër të verës, në Alaskë pothuajse nuk ka fare natë. Si përfundim, që natën e parë, duke qenë se nuk e kisha kuptuar mirë këtë (pavarësisht se e dija), fasha e perdes së hapur në dhomën e hotelit më la gjithë natën pa gjumë. Por gjatë qëndrimit tim në Alaskë nuk pashë të bëhej natë, as nuk e ndjeva të gdhihej. Sepse nuk merret vesh se kur perëndon dielli dhe kur lind ai përsëri. Duket sikur ka dy diej dhe kjo të impresionon!

Vështirësi tjetër? Kur thuhet ajo shprehja që: “Prit të papritshmen “ nuk është  fjala se mu në mes të rrugës krejt papritur do të të shfaqet “shtëpia prej çokollate”. Në fakt MOTI është një gjë tjetër që në Alaskë duhet konsideruar si një fuqi e madhe, përballë të cilit njeriu e ndjen veten vërtet të pafuqishëm e të vogël. Zgjodha verën për ta vizituar, tamam- tamam korrikun, zyrtarisht muajin më të ngrohtë të vitit, por e papritura e parë e pakëndshme më zuri që në udhëtimin e parë, pikërisht në shëtitjen e shumëdëshiruar nga mua, atë me anije tek “ Fjordet e Kenait “ për të parë akullnajat dhe “wildlife “- realisht hasa motin më të egër të mundshëm mu në zemër të fjordeve.  Dhe sikur të mos mjaftonte shiu dhe i ftohti, era në det të hapur ia nisi aq me furi sa u shkundën dhe u thyen xhamat e anijes! U lumturova vetëm kur pas 6 orësh (aq zgjaste udhëtimi dhe megjithë motin e keq, aq zgjati vërtet), më në fund, e zverdhur dhe e prishur në fytyrë, zbrita në Tokë, (ku më priste një 4- orësh i mirë me tren që të kthehesha sërish në hotel). Por ama kisha parë “ jetën e egër “ të fjordeve: fokat, balenat, delfinët, zogjtë e egër; isha mahnitur me akullnajat, dhe mbi të gjitha isha ndeshur me egërsinë e motit alaskian.

Në Alaskë duhet të bëhesh i zoti i vetes! Të ndjekësh udhëzimet dhe të veprosh vetë! Pavarësisht se kisha prenotuar agjenci vendase, ata më kishin dërguar gjithë “voucherat” e hoteleve, ekskursioneve, transfertave, trenave. Kjo ishte një eksperiencë e re dhe një kalitje e madhe përsa i përket përshtatjes dhe orientimit. Në mes të asgjësë, ti dhe letrat që ke me vete në dorë! Dhe ndonjë shok- rruge të rastësishëm, më së shumti amerikanë dhe aziatikë. Meqë ra fjala aziatikët kanë filluar të mbijnë sërish si kërpudhat pas shiut pas pandemisë dhe janë njerëz që i dashurojnë shumë udhëtimet! Kurse evropianët mungonin krejtësisht në këtë cep të botës! Ndoshta rastësi? Ndoshta frika ndaj pandemisë, apo ndoshta se përherë kështu është- këtë nuk e di! Edhe Shqiptarë nuk ndesha dhe madje edhe alaskianët kur na pyesnin dhe ju thoshim që jemi “shqiptarë” na shihnin me habi dhe picërronin sytë sikur bënin llogari distancash…. ( por që s’ju dilnin…)

Një gjë interesante në Alaskë? Hekurudhat dhe trenat! Trena panoramikë me dy kate, me tavanë xhami dhe dritare 3D , me komoditete dhe restorante luksoze, ekuipazhe argëtuese (që mezi prisnin bakshishin në fund), që edhe rrugët më të gjata për vendet më të largëta nuk i ndjeje fare!

Dhe teksa ti gjendeshe në tren duke udhëtuar sa në një vend në tjetrin, kënaqeshe teksa njerëzit rrugëve, nëpër makina, lulishte, apo edhe nga ballkonet plot lule të shëpive të bukura të përshëndesnin me dorë dhe salutonin pasagjerët e trenit! E kishin si ritual, e ndjenin si obligim këtë! Dhe më pas, kudo që shkoje apo ndaloje, rituali përsëritej e përsëritej….

Alaska është një “kopsht zoologjik” i hapur! Teksa kalon me makinë, me tren, apo me anije, ecën në autostradë apo me shuttle-n e hotelit qoftë edhe për të pirë një birrë (Birra “Amber” alaskiane, shumë e mirë) – jo rrallë të rastis të shohësh arinj, drerë, ketra, të cilët të bëhen bashkudhëtarë dhe shoqërues të pandashëm në të gjithë rrugën! Madje në restorant, lulishte apo hotel kudo kishte njoftime “ kujdes drerin “ apo “kujdes ariun “ si edhe udhëzimet përkatëse se si të veprojë në rast se të dilte përpara.

Ajo që më trishtoi? Në Alaskë, nuk është fare çudi që nëpër vende ku afishohen njoftimet, mund të shohësh lista “të humburish“. Fotografi djemsh të rinj (me buzëqeshje diellore), gra në mesmoshë, burra- pronarë varkash, apo udhëtarë të moshave dhe kombësive të ndryshme, shpesh i gjen të shoqëruar me shënime të llojit: ”I parë për herë të fundit në Fairbanks…. në Shtator të vitit 2020, është nisur për në Veri”…. e kështu me radhë për secilin! Një gjë është e sigurt: ata i kanë kapërcyer kufijtë e aventurës, dhe tani për fat të keq vetëm kërkohen në letra të ngjitura në mure! Dhe Alaska si “the last frontier“ që njihet, i përmban edhe këto!

Ushqimi alaskian? Akulloret alaskiane me spec dhe kripë, salmoni i tymosur apo i pjekur, mishi i bizonit dhe kaprollit janë nga ushqimet e zakonshme aty dhe që më kanë shijuar më shumë! Kuptohet të shoqëruara me një birrë alaskiane! Çmimet? Jo edhe aq të larta, të krahasuar me vendin që je!

Dhe në fund? Kushdo që përqafon aventurën në mot dhe vend ekstrem, nuk do kishte zgjidhje më ideale sesa Alaska për të provuar! “Alaska- the last frontier!” “Alaska- kufiri i fundit!”

Nëse do të donit që këtë aventurë ta hidhni në baza më të sigurta, mund të zgjidhni agjencinë alaskiane: ”The polar travel company” dhe gjithçka e keni të detajuar me pikë edhe me presje që nga A-ja deri tek Zh-ja me guidë të personalizuar për aq ditë sa do qëndroni ju! Kjo ishte vërtet interesante dhe më lehtësoi shumë punë e mund!

By: dreamtravel.world 

Eda Bano

 

Tags:

Home bordo

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF