KreuStil Jetese

Ekskluzive/ Nikol Meziraj; në pishinë me idhujt e mi

Nga Nada Biraçi

Për Nikolën, si për çdo sportist tjetër adoleshenca nuk ka qenë njësoj si e bashkëmoshatarëve të saj. Kampionia shqiptare e notit e nisi këtë sport relativisht vonë, në moshën 14 vjeçare e si e tillë i është dashur të sakrifikojë e të punojë fort. Nikol e krahason karrierën e saj si notare me një ajsberg tek i cili gjithkush sheh vetëm majën e tij, e askush nuk njeh e as nuk e imagjinon çfarë fshihet poshtë tij. Fiziku prej atleteje me shpatulla të gjera, kofshë e pulpa të gdhendura si një skulpturë e Berninit, nuk i ngjan aspak portretit të ëmbël, që hijeshohet edhe më tepër nga sytë ëndërrimtarë në ngjyrë smeraldi të Nikolës. Ata sy që lagështohen menjëherë sapo nis e flet për familjen.

“Në moshën 17 vjeçare jam larguar nga Shqipëria dhe nga familja ime vetëm sepse doja që ëndrra ime për të shkuar në Olimpiadë të bëhej e vërtetë.  Ky është një çmim i madh që paguaj çdo ditë, sepse ata mungojnë, mungojnë shumë…”; tregon kampionia e familjes Merizaj, pa mundur të kontrollojë mjekrën që i dridhet. Këtë vit, kampionia e notit prek për herë të dytë Lojërat Olimpike, për herë të dytë e reja nga Shqipëria ndan pishinën e Olimpiadës me idhujt e saj. Ata të cilët dikur e kanë bërë të ëndërrojë, sot për Nikolën janë konkurrentë njësoj si ajo.

Përfaqësuesja e Shqipërisë në Tokio numëron shumë çmime kombëtare e ndërkombëtare, por për një sportist asnjë arritje nuk është asnjëherë mjaftueshëm, sepse jeta e një sportisti është gjithmonë garë, garë që nuk mbaron kurrë.  Stephanie Rice, tre herë kampione noti në Lojërat Olimpike, para çdo gare ka një ritual të çuditshëm që përfshin ‘tetë lëkundje krahësh, katër prekje syzesh, katër prekje kapuçi’, ndërsa për notaren shqiptare rituale të tilla nuk janë pjesë në garat e saj, për Nikol mjafton besimi në vete dhe besimi në Zot.  “Të jem e sinqertë nuk kam një ritual të çuditshëm, i besoj shumë procesit që kam bërë deri sa kam arritur aty. Besoj shumë në Zot, lutem të më japi fat dhe të më shpërblejë lodhjen që kam bërë për të arritur deri aty. Besoj fati, shpresa dhe energjia pozitive është ajo çfarë më duhet, jo vetëm në ditët e garës por dhe gjatë stërvitjes”

Ndërsa Nikol dhe 8 përfaqësuesit e tjerë të Shqipërisë në disiplina të ndryshme në Lojërat Olimpike në Pekin, janë në orvatjet e fundit para nisjes për në garën e madhe, ethet për ta kanë nisur. Suksese kampionë!

*Botuar në numrin gusht-shtator të revistës BORDO print

 

Tags:

Home bordo

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF