KreuStil Jetese

Ekskluzive/ ‘Dritat e skenës’ së Donald Shehut

Nga Olsi Kolami

Beniamini është një personazh i këndshëm i “Fermës së Kafshëve”, i cili edhe pse i kaluar në moshë, dallon nga të tjerët për batutat e tij pikante. Por, kur nën petkun e tij sheh një riosh si Donald Shehu, e kupton sesi forca për t’u transformuar e aktorit, jo thjesht nga pamja, por përmes performancës, të lë mbresa, të bën të ndihesh mirë dhe i sigurt, se kemi një brez të rinj aktorësh, të cilët i meritojnë duartrokitjet për punën dhe talentin e tyre. Donaldi është një prej tyre, të cilin pas suksesit të “Fermës” së Driada Dervishit, e pret një sezon i ngjeshur shfaqjesh në teatër…!

“Ferma e Kafshëve” është një vepër e cila përcjell mesazhe të forta, ju jeni ngjitur edhe më pare në skenë, por si u ndjetë kur morët propozimin nga regjisorja?

Momenti i parë kur mora vesh që do të vihej në skenë “Ferma e Kafshëve” ishte surprizues. E kam marrë vesh krejt rastësisht një ditë kur takoj Driadën, e cila më tha: Do fillojmë nga puna! Në fillim mbeta sepse nga pandemia teatri ishte bllokuar, por pastaj e pyeta më hollësisht për çdo gjë edhe u sqaruam për vazhdimësinë. U ndjeva i vlerësuar që ajo më kishte menduar në kastin e saj tashmë për të dytën herë dhe isha i sigurt në suksesin e saj duke e njohur për mënyrën e saj të punës dhe perkushtimin deri në detaje që Driada ka në punë.

Imagjinata ime për “Fermën” gjithnjë ka qenë: njerëz me fytyra kafshësh, ju si u ndjetë para rolit? 

Mendoj që si me çdo të panjohur që hasesh në jetë, ashtu edhe me një rol në teatër: Ti takon një të panjohur dhe nuk di si të sillesh, si të flasësh me të, si ti përshtatesh atij, çfarë të mirash apo të metash ka, si reagon apo si është karakteri i tij. Prandaj përgatitja për rolin dhe jetesa me të filloi që ditën e parë të provave duke vazhduar deri në natën e fundit të shfaqjes. Ka qenë një përpëlitje e përditshme dhe diskutim i përditshëm me kolegët dhe regjisoren për vete faktin se ishte një rol kafshe, por brenda tij duhej të gjeje njeriun. Besoj që ka qenë një moment në të gjithë këtë përpëlitje që unë si aktor kam kuptuar këtë rol për të shkuar tek personazhi, duke gjetur çelësin për ta kuptuar.

Çfarë do të veçoje nga karakteri juaj në mënyrën sesi regjisorja e ka konceptuar? 

Ajo që vlerësoj tek Beniamini, sipas asaj që regjisorja më ka kërkuar, është qetësia dhe zgjuarsia e tij. Mënyra se si ai është komplet i ftohtë ndaj asaj që ndodh dhe nuk surprizohet për asnjë moment nga asgjë. Diçka tjetër që është shumë e rëndësishme është ironia me të cilën ai flet: Në çdo fjali të tij ai ka një ironi që shoqërohet përherë me zgjuarsinë në atë që mendon. Beniamini qëndron realist deri në fund.

Cili është personazhi me të cilin ndiheni më i lidhur në shfaqje, aktori me të cilin keni kimi?

I gjithë kasti i shfaqjes ka një kimi organike që besoj se pak shfaqje e kanë pasur. Dua të them një kimi si brenda shfaqjes, por edhe jashtë saj, ç’ka mendoj që është më e rëndësishme. Më shumë nga aktorët është e disata herë që luaj dhe është po i njëjti sukses që kemi korrur edhe në shfaqjet e tjera. Çdo njëri prej tyre më ka dhënë shumë edhe besoj se ja kam kthyer. Personazhi me të cilin Beniamini është më I lidhur, është Grushti, i cili luhet nga Florian Agalliu. Me Florin është shfaqja e tretë ku ne jemi bashkë dhe mendoj që kemi një kimi që ka lindur vetvetiu dhe në e shijojmë shumë këtë.

Shfaqja gërsheton muzikën me koreografinë, e zbeh apo e përcjell më fort mesazhin e veprës?

Mendoj që teatri në ditët e sotme sa vjen e bëhet edhe më fizik. Pra, teatri ka reshtur së qeni teatri klasik ku çdo gjë bazohej tek fjala e thënë saktë, me ndjeshmërinë dhe veprimin e duhur të batutës. Për të argëtuar më shumë publikun, për ta bërë shfaqjen më atraktive, më pak të mërzitshme dhe sigurisht më të kuptueshme, e për të dhënë më fort mesazhin, përdoren momente koreografie, momente ritmike dhe këngë. Mund të ketë edhe një faktor tjetër shtesë i cili bën që kjo shfaqje të kërkojë më shumë komponentë të tillë. Duke qenë se kjo shfaqje u bë në një ambient të hapur dhe ajo përballja fytyrë më fytyrë e aktorit me spektatorin bëhet më e vështirë për shkak të largësisë, gjenden dhe përdoren mënyra më efikase që publikut t’i vijë çdo gjë e qartë aty ku është, si mesazhi që do të japë regjisori me veprën dhe ndjeshmëria e aktorit në momentin që bën veprimin koreografik apo momentin e këngës. Por gjithmonë këto dy komponentë, pra koreografia dhe kënga do të jenë shoqëruese të fjalës dhe interpretimit në teatër.

Çfarë mendon për përshtatjen e veprës së Owell me vendin tonë përmes frazave apo situatave?

Mendoj se është gjetja e duhur dhe më e bukur që regjisorja Driada Dervishi mund t’i bënte veprës. Me anë të përshtatjes vepra i afrohet shumë publikut tonë, ndaj si regjisori dhe aktori arrin në mënyrë maksimale të marrë frytet për të cilat ka punuar. Pra merr nga publiku, pasi ato që ne themi, shumë nga njerëzit në shfaqje i kanë përjetuar, flas këtu për brezin më të vjetër, por ndihmon edhe brezin e ri të marrë informacion për ç’ka ndodhur në të kaluarën. Në momentin që këto dy breza bashkohen dhe shijojnë në të njëjtën mënyrë këtë shfaqje, mendoj se është suksesi më i madh që ne si artistë mund të përjetojmë dhe të mirëpresim me mall ato duartrokitje aq të zjarrta pas më shumë se një viti.

Gjithçka luhej në natyrë, në amfiteatër, a e keni patur të vështirë të përshtateni?

Për ne aktorët është një risi, sepse shumë ose mos them të gjitha shfaqjet e Teatrit Kombëtar janë vendosur gjithmonë në skenën klasike që të gjithë njohim. Dalja jashtë teatrit u ndikua nga situata e pandemisë dhe për të mos rrezikuar që të kishim një publik të reduktuar, ne donim të dilnim në ambient të hapur. Një arsye tjetër ishte sepse vetë Teatri dhe drejtori i Teatrit dëshiron ta kthejë në një praktikë vjetore këtë gjë. Pra, për të bërë një sezon veror me shfaqje në ambient të hapur. Shpresojmë që kjo të përsëritet dhe Verën tjetër. Në momentin që mora vesh që shfaqja do të jepej në amfiteatër pata një stepje për shkak sepse gjithmonë ne jemi mësuar me skenën, por kur u transferuam atje, ishte diçka tjetër: u ambientuam në mënyrë maksimale dhe kishte një komoditet të madh siç amfiteatri i liqenit di ta dhurojë.

Ju i takoni gjeneratës së re, më vjen mirë që e gjeni veten në skenë, por mendoni se po i jepet hapësirë brezit tuaj apo mungon ende frymëmarrja?

Jo aq sa do të duhej. Për shumë faktorë. Vitet e fundit teatri në përgjithësi ka arritur të afrojë shumë të rinj me role të rëndësishme dhe kryesore. Teatri Kombëtar në rreth 5 vite ka afruar në produksionet e tij shumë të rinj me anë të audicioneve dhe kërkesës së regjisorëve. Unë jam një ndër aktorët që vitin që kaloi u bëra pjesë e aktorëve të Teatrit Kombëtar falë drejtorit Hervin Çuli dhe për këtë i jam mirënjohës, sidomos në një vit pandemik ku projektet ishin zero. Por, si unë ka edhe shumë të rinj që nuk e patën këtë mundësi, prandaj prandaj them që brezit të ri i mungon pak frymëmarrja. Faktor tjetër janë mungesa e sallave të teatrit dhe ngopja e universitetit me studentë që dalin çdo vit dhe nuk kanë ku të punësohen. Shpresoj që brezit të ri I  jepet pak frymëmarrje.

*Botuar në numrin gusht-shtator të revistës BORDO print

 

Tags:

Home bordo

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF