KreuStil Jetese

Intervistë ekskluzive/ Olen Cezari; “Ëndrra e një nate vere”

Nga Olsi Kolami

Olen Cezari, artisti i njohur shqiptar i skenave botërore thërret publikun në emër të artit drejt kalasë së Ali Pashait, për të shijuar art e muzikë mbi muret historikë, me qëllim që ky eveniment veror të kthehet një traditë, e cila do të ndërtojë një destinacion modern turistik.

Një vit më parë, kur shkeli mbi muret e kalasë së Porto Palermos, Olen Cezari u magjeps nga bukuria e saj: e kaltërta e detit, puqej me atë të qiellit, vetëm vija e artë diellore e horizontit ndante këto dy hapësira. E pikërisht aty, teksa flladi i rrëmbente flokët, violinisti durrsak pikëzoi në mendje idenë e një festivali. Ndoshta si shumë artistë, ai ka mbyllur sytë: ka ngritur në çast skenën, e cila është e gjitha natyrore, e pastaj ka imagjinuar zërin e Inva Mulës, që ngjitej nëpër bedena, e pastaj zbriste ndër ujëra për të zgjuar sirenat e detit.

Por, një vit më pas, e gjithë kjo nuk ishte aspak një ëndërr vere, Olen Cezari krjoi Porto Palermo Festival, ku do të marrin pjesë artistë vendas dhe muzikantë të ardhur nga Italia, Spanja, Zvicra dhe Rumania, si: Marsela Çibukaj, Gëzim Mushketa, Eden Loren, Elina Duni, Daniele Di Bonaventura, Laura Bretan, Vikena Kamenica, e padyshim sopranoja Inva Mula. Violinisti Olen Cezari rrëfen për Bordo sesi ky projekt u ngjiz me qëllimin e mirë të artit, por edhe të ngritjes së një destinacioni turistik, i cili ka ende shumë për t’u zbuluar…!

Nga koncertet e suksesshme në Pallatin e Kongreseve, riktheheni në një skenë në natyrë, si lindi ideja e Porto Palermo Festival?

Ato janë formate gjigante, shumë të bukura, spektakle që unë i adhuroj dhe mezi pres që gjithë programi që ndërtohet për çdo concert, të realizohet. Këtë vit në prill nuk e realizuam dot sepse pandemia na bllokoi, por shpresojmë që kushtet të jenë të favorshme që atë koncert gjigand ta realizojmë si çdo dy vjet në Tiranë. Ndryshe nga herët e tjera, këtë herë më erdhi një ide ndryshe, një koncert më intim, në një vend që kishte nevojë absolute për diçka që i mungonte.   Verën që shkoi unë pata mundësinë të qëndroja për një farë periudhe në Porto Palermo dhe kërkova ndonjë destinacion artistik vërdallë por nuk arrita ta gjeja. Kishte vetëm klube dhe lokale, por nuk kishte ndonjë vend paksa më intim për të dëgjuar muzikë e për të biseduar me miqtë, ndaj automatikisht lindi ideja: pse në një vend kaq perlë, siç është kështjella e Porto Palermos, të mos ketë një eveniment artistik, një festival tipik veror. Gjëja e parë që bëra ishte që fola menjëherë me ambasadorin italian në Itali dhe I propozova si event muzikor, sepse vendi ishte shumë i bukur, edhe emri shumë i bukur të lidh me historinë e këtij vendi. Në fund të Luftës së Dytë botërore ushtarët e fundit italianë u nisën pikërisht nga ky vend drejt atdheut të tyre, pra  kishte shumë ingredientë historikë për ta nisur këtë event. Ambasada Italianë e mbështeti, Konsullata Italiane në Vlorë e aprovoi menjëherë dhe pak nga pak erdhën të gjithë aktorët e tjerë si Ministria e Kulturës dhe sponsorët, të cilët garantuan që nga një koncert të bëhen 11 koncerte.

A ka ndonjë mision ky festival, përveç muzikës së mirë dhe artistëve të zgjedhur?

Ne synojmë që të krijojmë një aktivitet artistik i cili sivjet do të zgjasë për rreth 1 muaj, sepse janë të gjithë fundjavat e konceptuara me koncerte që zgjasin nga 16 Korriku deri në 14 Gusht. Kam tentuar që përmes këtij festivali të jap një sensibilizim ndaj publikut ndaj një perle natyrore kaq të rrallë që ne e kemi përgjatë rivierës shqiptare, por nga ana tjetër të ketë edhe një sensibilitet nga ana e shtetit, sepse ajo kala ka nevojë për fonde, ka nevojë që historia të jetojë sa më gjatë dhe kjo përmes Porto Palermo Festival mund ta ndryshojë atë. Kjo kala ka një vlerë të paçmueshme, është histori e jona mijëra vjeçare, ka qenë porti  natyror më i vjetër që ka pasur vendi ynë, të cilën erdhën venedikasit dhe e ndërtuan, pastaj Ali Pashai e fortifikoi, pra një nga qendrat tona historike më të njohura ndaj sensibilizimi im është që arti të thërrasë publikun dhe së bashku ata të thërrasin gjithë ingridientët politiko – socialë, që ky vend të kthehet një nga vendet dhe portet më të bukura të Shqipërisë. Aty vijnë barkat me vela më të bukura nga e gjithë bota, por për momentin nuk ka asnjë lloj shërbimi që ofrohet për to, e nëse do të kthehet në një port të vërtetë jam I bindur që ky vend do të zhvillohet akoma më shumë. Sepse është një lloj turizmi mjaft i rëndësishëm në të gjithë botën.

Pra synoni ta ktheni në një traditë, duke qenë se festivale të ngjashme ka kudo në botë?

Ky festival është ideaur të jetë çdo vit, por nga tjetër, duam që çdo vit të rrisin cilësinë e këtij festivali, sepse për momentin kemi artistë që vijnë nga Italia, Zvicra, Franca, Rumani dhe Shqipëria padyshim, pra sa më shumë sponsora dhe vëmendje të ketë nga publiku, aq më shumë artistë do të vijnë dhe të arrijmë nivelet e festivalit të Ohrit.

Si e pritën ftesën artistët për të ardhur në Porto Palermo Festival, si u përzgjodhën ata?

Përzgjedhja e të ftuarve ishte më shumë miqësore dhe shpirtërore e imja, sepse janë njerëzit që dua dhe vlerësoj më shumë. Personi i parë që ftova ishte Inva Mula, jo vetëm që është një mikeshë e imja shumë e mirë, por edhe sepse ajo është një ikonë e muzikës së rëndësishme shqiptare në gjithë botën mbarë. Inva e priti me kënaqësi ftesën, madje menaxhoi datat e koncerteve të saj, anulloi një prej tyre dhe shtyu datën e pjesëmarrjes në Festivalin e Ohrit, vetëm me qëllim që të ishte pjesë e Porto Palermo Festival. Avash- avash u hap loja dhe të gjithë artistët që po vijnë treguan gatishmërinë e tyre për të qenë aty.

Si janë konceptuar mbrëmjet koncertore të festivalit?

Ne kemi 11 netë ku secili nga artistët do të interpretojë, por nga ana tjetër unë jam pjesëmarrës në koncertet e tyre, pra edhe nëse një prej tyre ka një mbrëmje të dedikuar, unë jam nga fillimi në fund pjesë e koncertit, sepse si i zoti i shtëpisë, më duhet që të hyj herë pas herë me violinë apo qoftë edhe duet. Në fakt unë vendosa të ishte një festival i cili sidomos për faktin që fillonte në Himarë, të hapte natën e pare me një grup muzikor të krahinës siç është grupi polifonik i Himarës, sepse ata janë autoktonë, janë njerëzit e shtëpisë, është një pasuri artistike që na e ka zili e gjithë bota dhe unë do ndërveproj me ata, pastaj netët do të vazhdojnë me ngjyra të tjera, pra nuk do të ketë vetëm muzikë klasike.

Kjo do të thotë që ju do të jeni gjithë kohës në Porto Palermo edhe duke pushuar?

Do të jem fulltime në Porto Palermo dhe është e hera e parë që do të jem i përqëndruar gjatë gjithë kohës në një vend, në mënyrë që gjithçka të dalë në mënyrën më të mirë të mundshme. Sigurisht do të jem edhe duke pushuar gjatë momenteve kur nuk ka shumë punë për të bërë, do të lëviz përgjatë rivierës nga Qeparoi deri në Sarandë, pra të shijoj gjithçka kaq të mirë dhe unike që ofron bregdeti ynë.

Po përsa i takon publikut që do të jetë i pranishëm?

Ne kemi përdorur një mekanizëm inteligjent të menaxhimit të biletave të cilat quhen ftesa. Ky edicion i pare do të ketë një publik i cili do të jetë pjesëmarrës i çdo mbrëmje duke ndërvepruar me sponsorat. Sponsorat janë ato që na japin mundësinë që edhe publiku të jetë i pranishëm, duke shkuar nëpër zyrat e sponsorave, duke dërguar një email apo në dyqanet e kompanive, mund të marrin ftesat e tyre për të qenë pjesë e koncerteve. Pra, sponsorat apo institucionet kanë ftesat, që mund të shpërndajnë me klientët e interesuar, duke i dhënë një ftesë për të qenë një publik i zgjedhur.

Si ka qenë për ju periudha e izolimit nga Pandemia, si e përjetuat atë?

Ka qenë një periudhë e çuditshme e parë nga një këndvështrim: sepse kur u mbyll gjithçka unë isha në një tur koncertor në Tajlandë dhe gjatë udhëtimit nuk dija asgjë se çfarë po ndodhte në Itali dhe nëpër botë. Mbërrita në breg dhe sapo takova njerëzit e parë, e kuptuam çfarë kishte ndodhur. Nga ai moment unë jam bllokuar në shtëpi për rreth dy muaj. Në fillim më kapi ankthi, por më pas gjithë kohën e vura në dispozicion për të punuar për albumim tim të ri. Më në fund nuk do të isha më si një top futbolli nëpër botë, ndaj fillova të prodhoja albumin tim të ri.

Çfarë po bëhet me albumin tuaj të ri, kur do të publikohet?

Jemi duke shqyrtuar të gjitha strategjitë e promovimit, si do të menaxhohen kontratat diskografike, kur do të jetë moment më i përshtatshëm për ta publikuar, ndërkohë po tentojmë të mbyllim edhe disa marrëveshje me disa shtëpi diskografike amerikane, pra jemi në përpunim e sipër.

Çfarë keni sakrifikuar gjatë pandemisë?

Pata fatin të përqëndrohem tek puna për albumin tim, por shumë artistë në Itali, ndërruan zanat, filluan të merreshim me gjëra të tjera, sepse mënyra sesi ata punonin dhe siguronin të ardhurat nuk ekzistonte më. Pandemia ndryshoi shumë gjëra kudo nëpër botë, por për mua pati një të mirë, punova për albumin e ri.

Cila do të jetë axhenda juaj e ardhshme koncertore?

Aghenda koncertore nëpër botë deri diku është kufizuar për shkak të Pandemisë, me përjashtim të disa koncerteve që kam planifikuar në Spanjë dhe Francë, ndërsa në Itali pas datës 15 Gusht kur mbaron edhe Porto Palermo Festival, të gjitha projektet e parashikuara do të vazhdojnë normalisht. Por një gjë ka ndodhur, pandemia ka ulur numrin e eventeve muzikore, por shpresoj që çdo gjë të fillojë të normalizohet së shpejti.

A ju mungon Shqipëria, po qyteti juaj i lindjes?

Nuk më mungon shumë, pas vitet e fundit vij shpesh në Shqipëri, sidomos gjatë periudhës së Verës jam gjithmonë i pranishëm me pushime.

A ka vende të cilat vizitoni kur ktheheni në Durrës?

Më vjen mirë që shkolla ime “Jan Kukuzeli” është rindërtuar, po ashtu ndihem mirë sepse, pas asaj që ndodhi pas tërmetit kishe shumë shtëpi të shkatërruara dhe janë ndërtuar brenda një kohë të shkurtër. Kjo është pozitive në Shqipëri, pasi në Itali edhe pas 30 vitesh nga tërmeti që ra aty, njerëzit nuk janë kthyer ende në shtëpi.

Ku e shihni të ardhmen pas 30 vitesh në skenë apo mësimdhënie?

Unë e shoh veten sigurisht të lidhur me muzikën, jam artist dhe jam gjithmonë duke shëtitur botën. Qëllimi im është të transmetoj muzikën time dhe t’u jap pak lumturi njerëzve me muzikën timë. Përsa i takonmësimdhënies, ‘kurrë mos thuaj kurrë’, por besoj se nuk e kam atë dhunti që e kishte mamaja ime me mua, e ofroj si mundësi për të ndihmuar dikë që është në nivel të lartë, i jap këshillën time profesionale, por nuk e shoh veten në auditore.

*Botuar në numrin gusht-shtator të revistës BORDO print

 

Tags:

Home bordo

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF