KreuCelebrity

Krusita: Nuk dua famë instagrami

Nga Nada Biraçi

Fotografia: Rei Ujkashi

Veshjet: Enada At’Nikolla 

Ka zgjedhur të studiojë drejtësi dhe jo rastësisht. Krusita urren padrejtësitë dhe për ironi në terrenin që ka zgjedhur të zhvillojë karrierën si këngëtare situata të tilla ka hasur plot. Artistja me zërin brilant, me të cilën industria e muzikës nuk ka qenë aspak dashamirëse edhe përballë talentit të saj, tregon për Bordo se për fat të keq në vendin tonë është e vështirë të krijosh një karrierë të suksesshme pa shkelur në disa dërrasa të kalbura.

“E di që do të jetë e vështirë, ndoshta edhe nuk do t’ja dal të ngre krye pa u zhgërryer në këtë llum të industrisë, ama unë e kam të qartë dhe jam e vendosur që nuk do të bëj asnjë kompromis për famë. Në Shqipëri nuk mjafton vetëm zëri. Të paktën në këndvështrimin tim, këtu gjykohesh një herë për pamjen dhe fizikun e trupit e pastaj për çfarë mund t’i ofrosh industrisë”; shprehet me çiltërsinë e një fëmije këngëtarja e ‘Akull’. Ndonëse 22 vjeç Krusita e ka prekur shkëlqimin e skenës qysh herët kur vetëm 10 vjeç u shpall fituese e ‘Gjeniut të vogël’. Sot Krusita vijon të mbetet gjeni, njësoj si 10 vite më parë, me ndryshimin e vetëm se koha dhe situtata e padrejat me të cilat është përballur ja kanë zbehur  naivitetin e gjeniut të vogël. Me një zë të cilin nuk e ka të trashëguar, as nuk ka studiuar për muzikë, por thjesht dhunti nga ato që Zoti ua fal talenteve që janë destinuar të mbeten të tillë, artistja e re ka zgjedhur të krijojë një marrëdhënie ndryshe me famën.

“Në vendin tonë është shumë e lehtë të bëhesh e famshme, edhe pa bërë asgjë në jetë. Mjafton të kesh hiret, të menaxhosh mirë faqen e instagramit dhe ‘voila’ mbledh aty mijëra ndjekës. Bëhesh tërheqëse për brande të ndryshme të cilët të zgjedhin për t’u bërë imazh apo për t’ju reklamuar produktin. Por kjo nuk është fama që unë kërkoj. Kam shumë pak ndjekës në instagram, kam refuzuar bashkëpunime me brande të ndryshme dhe kjo ka qenë zgjedhja ime. Unë dua të jem e famshme për atë që di të bëj mirë, dua të njihem si këngëtarja me vlera që ndoshta nuk ka ende  100 këngë në repertor, ama mund të këndoj ‘live’ pa asnjë vështirësi për 4 orë me radhë. Siç thotë edhe Adele; ‘Unë dua të krijoj diçka, nuk dua të jem fytyra e diçkaje’; përfundon Krusita këndvështrimin e saj sa i përket famës dhe mënyrës se si ajo e përcakton këtë term në qasjen e saj personale.

Megjithë zhgënjimet apo vështirësitë qe Krusita si këngëtare e re ka hasur në industrinë e muzikës, nuk ka asnjë plan të heqë dorë nga ëndrrat e saj, ëndrra që mbeten po njësoj si në kohën kur mbante koncertin recital të përnatshëm për familjarët e saj. Vetëm se, për artisten e re hapat nuk do të jenë aspak galopantë, as të shpejtë sepse Krusita të tillë e ka zgjedhur këtë rrugëtim, do ecë ngadalë, por me hapa të sigurt.  Për të nuk ka rëndësi sa kohë do t’i duhet derisa të arrijë në destinacionin e ëndërruar, për të shumë e rëndësishme është të mos humbë vetveten, të ketë Krusitën gjithmonë me vete….Vetëm kështu Krusita beson se do të shkelë një skenë ndërkombëtare….

 

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF