KreuStil Jetese

Një udhëtim në Stonehenge!

Nga Eda Bano

Të ndërrmarrësh një udhëtim enkas në Angli (England), për të parë Stonehenge për shembull, nuk e di se sa veta do e bënin! Unë po njëherë. Madje jo vetëm të dedikuar për këtë vend sa unik, mistik dhe të papërsëritshëm në të gjithë Botën, por edhe për kushtet e pandemisë që po jetojmë. Po pse, a nuk themi edhe vetë që gjërat që arrihen më me vështirësi janë ato që na kënaqin më shumë?

Stonehenge më ka tërhequr gjithmonë. Që kur në desktopin e kompjuterit që prej shumë vitesh i shikoja ashtu, të renditur në formë rrethi me një rreze dielli që i përçonte tej e tej ata gurët rrethorë të mëdhenj me forma të latuara, si të futur në mister, dhe shumë shpesh pyesja veten:-“ A do kem rast unë ndonjëherë në jetë të shkoj e t’i shoh këta gurë?” Brenda vetes e dija që përgjigjia ishte “po”, prandaj prej vitesh prisja vetëm “të piqeshin kushtet “, ose thjesht “të vinte momenti“. Por të mendosh që momenti erdhi në kushtet më të çuditshme dhe më të vështira të një izolimi global, kjo e bën akoma më tërheqës në sytë e mi!

Dhe ja, një ditë të bukur me diell, gjendem në Londër! Mes-korriku, koha më e përshtatshme për të vizituar Anglinë, dhe nëse je me fat, për të shijuar ca ditë pa shi! Teksa kërkoja në internet për “Stonehenge“, dalin edhe ofertat e agjensive vendase. Mendova që do ishte shumë mirë ta zgjidhja një të tillë. Mbarova procedurat e regjistrimit dhe prenotimit online, dhe teksa po arrija fundin, del shënimi “ Nuk ka grupe, rezervimi eshte i pamundur!”. Tentova përsëri me agjensi të tjera, por përsëri ishte shumë e pamundur. Atëherë kërkova mundësinë me tren, mirëpo kishte disa ndërrime trenash e autobuzësh dhe rruga, gjithsej 150 km nga Londra, zgjaste disa orë! Mora mundimin të kërkoja makinë me qira, por edhe kjo ishte gati-gati e pamundur. Të lëvizësh si turist në kohë pandemie, më besoni, është strapacim i madh, veçanërisht për vende si Anglia me rregulla strikte dhe e sapodalë nga masat drastike.

Nuk u dorëzova!
Të nesërmen që në mëngjes, nisa aventurat “ hyp-zbrit “ sa nga një “underground” londinez, tek tjetri; më pas udhëtim me tren nga Londra drejt Salisbury për rreth dy orë, dhe në fund m’u hapën sytë nga kënaqësia kur në stacion të trenit na priste një autobuz i gjelbër, me dy kate- si të gjithë autobuzët anglezë dhe me emrin “ Stonehenge “ pikturuar në të! I hypa gjithë qejf autobuzit në katin e dytë dhe bashkë me burrin tim, bëheshim gjithësej 4 veta në autobuz (dmth po e ndanim autobuzin me një çift të moshuarish me një aparat fotografik, po aq të moshuar sa të zotët, por aq të moshuar ishin sa thoje me vete (“aventurier lind dhe aventurier vdes “), më në fund pasi shijova e mrekulluar Salisburyn, mbërritëm në fushnajat e pllajës së Stonehenge. -“ Ku janë gurët?”- pyeta me padurim shoferin tipik anglez me kapele në kokë dhe një vështrim të qetë e të qeshur, -“ Pas atyre pemëve atje,”- tregoi me gisht ai. Pas nja 2 km shtrihej një pyll dhe deri aty shkoje ose me autobuz, ose me kembë! -“ Me autobuz, se po vdes nga kurioziteti,”- i thashë partnerit tim vetmitar të rrugëtimeve të mia, dhe pasi atij i erdhi pas shtatit kjo gjë, hypëm në autobuz. Më në fund më kënaqi gjithçka që pashë! E mrekulluar, e befasuar, e çuditur, e mahnitur! Si shumë e shumë të tjerë edhe unë u enda në dyshimet apo dilemat e përhershme: kanë “gisht “ ufot? Si kanë mundur t’i ngrejnë? “ Vërtet kanë shërbyer si varre masive?”, “Vend i shenjtë?”,… Askush s’e di! Arkeologët datojnë 5000 vite para, kurse rrethi i gurëve që në periudhën Neolitike…  E vërteta është që konsiderohet konstelacioni më unik i monumenteve prehistorike… Ka shumë histori, ata vetë janë kthyer në një si legjendë në kohëra moderne!

Ja vlen t’i vizitosh!

 

Tags:

Home bordo

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF