KreuArt

Urban Band: Është Era jonë!


Nga Nada Biraçi
Fotografia: Erjon Beshiri

Në anën tjetër të telefonit mu përgjigj një zë i përgjumur, ndonëse kishte kaluar mesdita. Në dijeninë time po flisja me solistin e grupit, pra atë të cilin ne si dëgjues shpesh e vetëcaktojmë si lider, vokalistin e një bande.
‘Unë jam Tani, basisti i grupit, por nëse kërkon Andin vokalistin mund të të jap numrin’; tha ‘zëri’ që menjëherë i dha zgjidhje konfuzionit tim.

Pasi sqarova arsyen e telefonatës, Tani kërkon të marrë mendimin e çunave, për të cilët ishte i bindur se edhe ata ishin ende në gjumë, pasi mbrëmjen e kaluar grupi kishte performuar ‘live’ në një prej bareve të Tiranës. Urban Band së fundmi janë kthyer në një prej grupeve më të dëgjuar të rrokut, ndonëse qysh prej krijimit të kuartetit kanë kaluar vetëm 5 vite.

….Sigurisht që orari i takimit me çunat do të lihej në mesditë. Të sapozgjuar nga gjumi, katërshja e Urban Band nuk i ngjanin aspak agresivitetit dhe grintës që shfaqin kur janë në skenë. Që në minutat e para të bisedës nuk qe aspak e vështirë të kuptoja se Tani, Andi, Jurgeni dhe Sajmiri ndryshonin shumë nga njëri-tjetri, kishin qasje të ndryshme për tema a fenomene të caktuara aq sa herë herë edhe përplasje arsyetimesh, ama kjo s’i ka penguar aspak që si bandë ata të jenë të unifikuar dhe të flasin të katërt të njëjtën gjuhë; atë gjuhë që i ka kthyer në vetëm pak kohë në grupet më të spikatura të rrokut.

Të rritur duke dëgjuar muzikë rrok, duke ndjekur me fanatizëm idhujt e tyre në çdo publikim të ri, djemtë e Urban Band mendojnë se fitorja e grupit Italian të rrokut Manescin në Eursong, rindezi zjarrin e rrokut që së fundmi dukej se po venitej në Europë.

“Në të vërtetë rroku nuk është se po shuhej të paktën në Ballkan e Europë, por së fundmi ishte vënë re një zbehje apo ‘pluhrosje’ e këngëve rrok dhe muzika gjithmonë e më shumë po drejtohej nga ajo komercale. Ndaj edhe mendojmë se Eurovizion edicionin e kaluar me fitoren e Manescin i bëri një nder të madh rrokut”; sqaroi Andi ndërkohë që mori njëzëri aprovimin e kolegëve të bandës.

Ndërsa biseda merrte kahje të ndryshme diçka për të cilën kisha qenë kurioze që në fillim të intervistës mu kujtua t’i pyes diku nga mesi i bisedës;  emrin e grupit. “Nga erdhi emri Urban Band?” Çunat më tregojnë se ndryshe nga sa mund të mendohet procesi i emërtimit të bandës ka ardhur fare natyrshëm, dhe krejt rastësisht. Të udhëtuarit shpesh me urbanët e Tiranës në fillim të karrierës së tyre, bëri që kuarteti të marrë emrin Banda Urbane, emër që duket se i shkon fort për shtat këtij grupi rroku.

Batutat herë me humor, e herë me shpoti ndaj njëri-tjetrit e kthyen tavolinën tonë në më të zhurmshmen e barit, dhe në të shumtën e rasteve të qeshurat i atribuoheshin ‘llafazanit’ të grupit Jurgenit, i cili për çdo temë që cekej dukej se kishte një histori nga jeta personale për të ndarë me ne.

Përpos mjeshtërisë që gjithsecili posedon në rolin e tij si pjesë e Urban Band, nga ana njerëzore dhe karakteriale ky grup duket se i ka të gjitha. Ka pasionin e Jurgenit në kitarë; humorin dhe qetësinë e Sajmirit në bateri; arsyetimin e shëndoshë të Andit vokalist dhe gjykimin e ftohtë e preçiz të Tanit në bass.  Për ta muzika rrjedh aq natyrshëm sa frymëmarrja; kush i ka dëgjuar me siguri ja ka dalluar aftësinë për t’u lidhur me njëri-tjetrin dhe për të hyrë në kiminë muzikore që ata ndajnë duke krijuar melodi që përfshijnë edhe ata që nuk janë fansa fanatikë të rrokut….

Anëtarët e  Urban Band 

Dritan Hekurani: Kitarë Bass

Andi Tanko: Vokal

Jurgen Cara: Kitarë

Sajmir Tatushi: Bateri

Tags:

Home Art

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF