KreuArt

Ekskluzive/ Bjordi Mezini: Ja heroi im imperfekt!

Nga Nada Biraçi 
Fotografia: Erjon Beshiri 
Vendndodhja: Hotel Rogner

Portreti i Bjordit, u përkëdhel nga publiku që sapo u shfaq për herë të parë në ekran, si një prej konkurrentëve më të dashur të Big Brother. Ishte ky momenti i cili shënjoi rrugëtimin drejt televizionit, filmit dhe suksesit: skenat e filmave do ta pranonin me dashuri si aktor, e pastaj protagonist, derisa u bë pjesë e produksioneve që mbajnë firmën e tij, e së fundmi regjisor i serialit H.O.T, i cili po shfaqet në Klan. Askush nuk do ta kishte menduar Bjordin 12 vite më parë si regjisor të një seriali televiziv si H.O.T, i cili u realizua në një kohë rekord prej 40 ditësh, duke zgjuar kureshtjen e publikut. Ai, djaloshi që me ndikimin e tij i dha emrin një gjenerate fëmijësh të lindur në 2009, mund të themi me bindje që ja ka dalë me sukses, teksa ka nisur punën edhe për dy sezonet e ardhshme të H.O.T.

Seriali H.O.T që po shfaqet prej disa javësh në Tv Klan mban firmën Bjordi Mezini; sa i kënaqur jeni me suksesin e këtij prodhimi?
Sot që po flasim jam shumë i kënaqur nga feedback-u që po marrim nga publiku. Në Youtube gjithashtu klikimet rriten çdo minutë dhe komentet janë shumë pozitive. Nuk prisja sigurisht një reagim të tillë dhe jam shumë mirënjohës për këtë.

Ky zhanër ka  munguar në ekranin shqiptar ndaj edhe kureshtja për të ndjekur seriale shqip ka qenë e madhe tek publiku? Ju ka vënë më shumë përballë përgjegjësisë ky fakt?
Besoj se dhe pse pak me vonesë, dhe tek ne prodhime të tilla do fillojnë të shfaqen në mënyrë natyrale sepse edhe ne tashmë i kemi kushtet për t’i prodhuar. Tani në Shqipëri ka thjesht nevojë për ide dhe vetëbesim. Ne për fat kishim nje ide të mirë dhe shumë vetëbesim, mbase në momentin e duhur. Si regjisor jam gjithmonë përballë përgjegjësisë kur shfaqet një punë e imja. Dhe kësaj rradhe nuk është ndryshe

.

Cilat kanë qenë sfidat me të cilat jeni hasur gjatë realizimit të këtij seriali? 

Sfida më e madhe ka qenë menaxhimi i kohës. Xhiruam 10 episode në 40 e ca ditë, që është kohë rekord nëse merr parasysh numrin e madh të skenave dhe kompleksitetin e logjistikës për t’i organizuar ato. Dhe vapa, temperaturat ishin shumë të larta duke e vështirësuar jo pak produksionin.

Cili ka qenë vizioni juaj në këtë prodhim kinematografik? Çfarë keni dashur të pasqyroni aty? 

Që nga gjeneza e projektit, qëllimi im ka qenë të tregoj një histori të veçantë, zhvilluar në një botë piktoreske siç është ambienti i produksioneve video. Doja të tregoja historinë e dikujt që ka një ëndërr të madhe dhe që është gati të bëjë çdo gjë për ta realizuar atë, por njëkohësisht desha të tregoja se sa e vështirë është ndonjëherë të ndjekësh rrugën e duhur dhe të përballesh me gabimet që do bësh gjatë asaj rruge

.
Si është të ulesh në karrigen e regjisorit; cila hallkë e punës ju jep më shumë kënaqësi?
Karrigia e regjisorit është vendi më i bukur dhe në të njëjtën kohë më i frikshmi në botë. E adhuroj!  Gjëja që më jep më shumë kënaqësi në xhirime është puna me aktorët. Ata janë të gjithë të ndryshëm dhe të gjithë kanë një proces të veçantë kur përgatiten për një rol. Të jesh pjesë e atij procesi duke i drejtuar për të ndërtuar një skenë është një emocion fantastik.

Sa e vështirë është që vizioni juaj si regjisor të ‘shkrihet’ në pjesën tjetër të stafit?
Pata fatin të kem një staf që jo vetëm mbështeti vizionin tim regjisorial, por edhe që punoi fort për ta realizuar. Ka patur përplasje idesh, teknikash, në fazën e shkrimit të skenarit, kur bashkë me skenaristen time Klaudia Brahimaj po vendosnim linjat e historisë dhe zhvillimi që çdo karakter do të kishte, le të themi që pata goxha ‘përplasje’, por skenari është fazë shumë delikate, dhe përplasjet janë normale kur qëllimi është arritja e një standarti të lartë. Fatmirësisht Klaudia fiton shumicën e debateve dhe pastaj bëjmë atë që thotë ajo dhe zakonisht ka te drejtë. (Qesh).

Çfarë sheh në tv një regjisor si Bjordi?
Kryesisht filma (shumë filma) dhe shumë seriale, por që nga fillimi i produksionit të HOT nuk pata kohën dhe përqendrimin e duhur te ndjek seriale si më parë. (këto kohë kam parë vetëm Squid Game). Më duhet të them që jam i apasionuar pas filmave me superheronj (Marvel). Në dhomë kam ende postera me superheronjtë të mi të preferuar (Qesh). Nëse bëhet fjalë për programe televizive atëherë mund të them që ndjek pak ose aspak.

Thatë  që jeni i apasionuar pas filmave me superheronj (Marvel)! Cili është superheroi i jetës tuaj?
Jam rritur me filma vizatimorë të Marvel, dhe heroi i jetës time është pa dyshim Spider-Man sepse ai është imperfekt. Edhe pse përpiqet të bëjë gjënë e duhur, jo gjithmonë ja del. Fjalia e famshme që “Xhaxhi Beni” i thotë Peter-it para se të vdesi më ka shoqëruar gjatë gjithë jetës: “Me fuqi të mëdha, vijnë edhe përgjegjësi të mëdha.”

Nuk janë të paktë regjisorët që marrin pjesë vetë si aktorë në filmat e tyre; edhe ju e keni tentuar…
Po unë në fakt e kam provuar disa herë. Tek seriali im i parë ‘Kokrrat’, isha bashkëregjisor dhe bashkë skenarist, ku luaja dhe një nga tre djemtë protagonistë. Ama aktrimi është një art që unë e respektoj shumë dhe di që nëse dua ta bëj nuk e bëj dot në produksionet ku jam edhe regjisor, sepse kërkon një thellim të veçantë që nuk i jap dot nëse duhet të thellohem në regji.
Pas H.O.T çfarë do vijë tjetër nga Bjordi?
Në të ardhmen e shpejtë thuhet që H.O.T do ketë një vazhdim, dhe do filloj shpejt të merrem me përgatitjen e sezonit të dytë. Njëkohësisht po punoj për një projekt kinematografik por do të flasim për të në momentin e duhur.

Tags:

Home Art

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF