KreuArt

Lapland! Destinacioni i fundvitit që duhet vizituar të paktën vetëm një herë në jetë!

Lapland! Vetëm një herë në jetë!
Nëse do më pyeste dikush se çfarë destinacioni do veçoja të zgjidhja për muajin Dhjetor, padyshim që ky do ishte Lapland.
Lapland, nuk është veçse një arratisje e bukur për fansat e çmendur të udhëtimeve plot aventura, por dhe të atyre që besojnë magjinë. Lapland është një arratisje edhe për ata që kërkojnë vetminë, tamam- tamam 2 banorë për km2! Prandaj e sugjeroj këtë vend sa magjik aq edhe argëtues; si për ata që besojnë në përrallat e tek Babagjyshi i Vitit të Ri, edhe për ata që janë krejtësisht me këmbë në tokë, pasi mundësitë e argëtimeve janë të panumërta, sepse ky vend konsiderohet një pikë e mirë fillimi për të gjithë llojet e lojërave dimërore.

Rovaniemi është i lokalizuar ngjitur me rrethin polar, dhe njihet anembanë botës si vendlindja e Santa Claus. Në zemër të dimrit dhe pikërisht rreth Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri, çdo gjë në Rovaniemi rrotullohet rreth atij burrit trupmadh me kostum të kuq e flokë e mjekër të bardhë, që quhet “Santa Claus“.

* Një kuriozitet*: Aeroporti i Rovaniemit është i njohur nga Organizata Civile e Aviacionit si “Aeroporti zyrtar i Santa Clausit“. Dhe kush ka shkelur aty, e ka ndjerë në çast që ka mbërritur ndoshta në aeroportin më të çuditshëm në botë. Lapland, e bashkë me të Rovaniemi, nuk është aq larg sa e kisha imagjinuar. Deri në Helsinki mund të shkosh me linja ndërkombëtare, varet se çfarë zgjedh, por maksimumi për 3 orë je aty! Ama, nga Helsinki në Rovaniemi i hipet “domestic lines“, dhe pas një ore, vetja të duket si në film. Jo vetëm sepse aeroporti është një pistë që mezi shquhet plot me borë, por të duket aq i vogël, fiks si një stacion autobuzi. E bën në këmbë atë copë rruge nga aeroplani në godinën e aeroportit, dhe kur hyn brenda, menjëherë të shfaqet një tabelë që thotë: “Mirë se erdhët në aeroportin zyrtar të Santa Claus“ dhe lart mbi kokë sheh një slitë me ca drerë dhe Santa Claus që fluturon! Shumë shpejt do kuptosh që aeroporti nuk është e vetmja gjë e njohur “zyrtarisht” për Santa Claus në këtë vend përrallor! E çuditshme por këtu ke shansin të takosh nga afër, t’i shtrëngosh dorën, të bisedosh, dhe të bësh edhe foto-kujtimi, me “official Santa Claus “, madje pikërisht në zyrën e tij të mrekullueshme që gjendet vendin që quhet “Santa Park” dhe që më saktë është një shpellë nën tokë shumë e madhe,  me shumë atraksione dhe që rri e hapur vetëm disa kohë në vit (që nga 20 Nëntori e deri në 8 Janar), dhe midis shumë e shumë gjërash interesante, atje sheh të instaluar atë që quhet “kutia postare nr 1” – ku ti mund t’i postosh letra Santa Claus dhe ngjitur me të, dyqani i postës ku ka edhe animim të procesit të letrave ndërkohë që ti shkruan, përpilon dhe poston letrën tënde. Në këtë vend të magjishëm ndodhet edhe një ekspozitë me shumë objekte fantastike prej akulli me lokal akulli brenda në të, dhe përveç dyqaneve, restoranteve, klasës së art- craftit (këto klasa janë tradicionale për  këto zona ku të mëdhenj e të vegjël bëjnë punime art-craft), dominon në mes të shpellës skena e madhe si skenë cirku ku çdo 2 orë jepen show fantastikë nga elfët (të cilët janë djem e vajza të rinj që kur nuk aktrojnë, punojnë dhe shërbejnë aty totalisht të veshur si elfe- dhe shumë të lezetshëm). Dua të përmend këtu, që tek shpella “Santa park” gjendet edhe shkolla e elfëve “elf- school“ të cilën të them të drejtën e kreva edhe unë me vajzën time. Në fund të kësaj shkolle merr një certifikatë me anë të së cilës njihesh si ndihmës i Santa Claus, pra bëhesh një “elf“.

Bukuritë dhe çuditë e Rovaniemit nuk mbarojnë këtu. Në fakt këtu sapo kanë filluar! Pasi del nga kjo shpellë e çuditshme, që e parë nga jashtë s’ta mbush kurrë mendjen, ti e sheh veten në një pyll me ca drita të vagullta të zhytura në mjegull. Dita është shumë e shkurtër në Rovaniemi dhe shpesh me mot të vranët, ndaj dritat me llampadarë janë domosdoshmëri, por ato vendosen aq bukur në pyll dhe janë plot ngjyra, sa edhe pylli i mbuluar me borën e bardhë e të pashkelur duket aq magjik mbushur me drita shumëngjyrëshe.

Një vizitë në “ Ice Hotel “
Çdo vit gjatë dimrit në “Santa village“ hap dyert edhe atraksioni më i madh që quhet “Ice Hotel” ku me dhjetëra turistë shijojnë pijet e ftohta të servirura në gota akulli nga baristë të veshur si eskimezë; dhe të provosh e shijosh shtretërit prej akulli në dhoma po të tilla, të ulesh në karriget e akullta të restorantit të mobiluara me “orendi” akulli, dhe në fund të argëtohesh duke rrëshqitur në goma në pistën rrëshqitëse të akullt, është komplet tjetër gjë nga ato që keni parë deri më sot!

Nuk duhet humbur:
Në argëtimet e dimrit në Rovaniemi, sugjeroj që të mos humbasësh një shëtitje me slitë me drerë në pistën e ngritur ngjitur me “Santa Village“, ku pjesë përbërëse e rrugëtimit me slitën me drerë, është edhe “kapërcimi” i Rrethit arktik, dhe për këtë kalim mund të pajisesh me “Certifikatë” nëse do që kjo të mbetet me dëshmi, firmë edhe vulë! Po ashtu mund të shkoni dhe kaloni kohë dhe të shuani kuriozitetin në kasollet e egra të eskimezëve dhe në tërë atë vend të egër mund të dilni për të peshkuar në stilin eskimez duke hapur vrima të vogla në akull. Mund të merrni një skuadër me qen haski dhe të bëni një xhiro me shpejtësi plot adrenalinë me ta në borën e bardhë, ose të ecni me shpejtësi skëterre mbi liqenin e ngrirë me një makinë akulli. Dhe mos harroni, qielli i errët i dimrit prezanton  bekgraundin më perfekt për dritat polare- dritat më të mrekullueshme të Krishtlindjeve për të gjithë jetën!

Artikumi.
Për mua dhe çdo turist tjetër ndoshta, është një eksperiencë e padiskutueshme e historisë polare edhe Artikum! I lokalizuar në vijën e meridianit 63*33’33”, Artikumi është një promovim i informacionit rreth historisë së kërkimeve dhe zbulimeve polare, gjuetisë, jetesës, ushqimeve , kafshëve. Aty mund të gjesh fakte interesante për gjuetinë e të famshmëve arinj polarë dhe si kanë rrjedhur ngjarjet nëpër shekuj. Nuk duhet lënë pa vizituar “Artikumi” kur planifikon të shkosh në Rovaniemi. Artikum është shumë interesant edhe si godinë- pasi ai shtrihet fiks në Meridian- pra kemi të bëjmë me një ndërtesë të gjatë e të ngushtë prej xhami – fiks sikur “ vija imagjinare “ të ngrihej lart dhe të trashej disi. Të paktën këtë përshtypje më la mua!

Të kalosh natën e vitit të ri në Rovaniemi? Eksperiencë e paharrueshme! Nuk ka zhurma si tek ne, të gjithë banorët bashkë me turistët mblidhen në shesh dhe në heshtje (por çfarë heshtje magjiplotë), presin sinjalin nga Bashkia për ardhjen e Vitit të Ri! Fishekzjarre hedh vetëm shteti, njerëzit janë maksimumi me ato fishekzjarret e vogla të dorës dhe me një gotë shampanjë, të cilën e trokasin me njëri- tjetrin dhe përqafohen! E gjithë kjo ndodh në një qetësi të bukur e të këndshme ku askush nuk bezdis tjetrin. Dhe në fund, nën dritat polare që fërfëllejnë dhe vallëzojnë në qiell, të gjithë largohen nga sheshi! Një Vit i Ri ndryshe! I paharruar! Që ia vlen të provohet një herë në jetë!

!

BORDO Travel 
Nga: Eda Bano
@dreamtrevel.world

 

Tags:

Home Art

Bordo No.64
Nëntor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF