KreuArt

Llogaraja, ku mali puth detin!

 

Udhëtim në lartësinë 1070 metra mbi nivelin e detit, shumë pranë reve, por edhe buzë bregut të kaltër joniano-adriatik, mes kulturës së lashtësisë dhe monumenteve të natyrës

Në kthinën e fundit të kaltërsisë së Adriatikut, aty ku nis bluja e thellë e Jonit, nëse ktheheni majtas e ndiqni rrugën që dredhon drejt malit mbuluar me pisha, sapo ka nisur aventura juaj drejt Llogarasë. Sapo kalon Dukatin, ndjen sesi aroma e halorëve të shpon hundën, ndërsa qielli humbet aty këtu nga bimësia e theksuar e cila sa vjen e qartësohet duke arritur pranë majës së malit. Llogaraja është një pikë ndalimi për çdo udhëtar drejt Jugut, është ndalesë prej nga sheh qiellin, detin dhe malin, ndërsa në horizont mund të shohësh në të majtë gjithë bregun e kaltër të Rivierës me fshatrat e mbuluar nga agrumet dhe ullishtat, ndërsa përballë shfaqet Korfuzi. Aty të duket vetja si mbi re: qindra vizitorë ndalojnë aty për të mbushur mushkëritë me ajrin e pastër përzier me jodin e detit, përzier me aromëm e sherebelës e rigonit.

Parku Kombëtar i Llogarasë gjendet në juglindje të qytetit të Orikumit dhe 37 km larg qytetit të Vlorës. Ai përfshin një sipërfaqe prej 1 mijë hektarësh. Ajri i freskët e i shëndetshëm, pamja e mrekullueshme e drurëve halorë, fshati turistik dhe uji i ftohtë që buron nga zemra e malit i japin këtij parku vlera turistike e kombëtare. Parku mbështillet nga një pelerinë përgjithmonë e gjelbër nga dru halorë si: pisha e zezë, bredhi, lisi, mëllenja e butë e robulli, të cilat kanë bërë që ky vend të shpallet monument natyror dhe kulturor që në vitin 1966, e po në atë vit mori statusin e parkut kombëtar.

Po aty, ngrihet një fshat i bukur turistik me hotele, restorante dhe mjedise çlodhëse e argëtuese. Fshati Turistik Llogora ndodhet në zemër të Parkut Kombëtar. Ka një sipërfaqe prej 1.2 hektarësh dhe në brendësi ndodhen 16 vila druri, një hotel 4 katësh me pishinë të brendshme, lokale dhe restorante, si dhe mjedise sportive. Në stinën e verës kur temperaturat janë të larta, aty mund të pushosh në oazin e gjebërimit, ndërsa në sezonin e dimrit, me familjen ose miqtë, mund të argëtoheni nën dëborë teksa takoni drerë dhe sorkadhe të cilët shëtisin të lirë.

Për ata që i duan aventurat: pikërisht prej këtej mund të nisni turne udhëtimi me udhërrëfyes vendas të cilët zotërojnë një guidë të plotë me vende për t’u vizituar, mes të cilave mund të zgjidhni Pllajën e Jul Çezarit apo shpellat plot mister që gjenden në rrethinat aty afër. Një prej vendeve më interesante është Pisha flamur, e cila është shpallur Monument Natyre dhe është lehtësisht e dallueshme. Ajo ndodhet në lartësinë 910 m mbi nivelin e detit, ka një moshë mbi 100 vjeçare dhe mbart vlera unikale, si vepër artistike e erërave të Jugut. Pisha e llojit Pinus nigera, ka formën e flamurit si rezultat i veprimit të erërave të forta të juglindjes. Është e gjatë 20 m, ka perimetër 3.30 m dhe diametri maksimal 75 cm.

Kullat e Dervish Aliut ndodhen në afërsi të fshatit Dukat i Vjetër, 4 km nga rruga nacionale Vlorë-Sarandë. I ndërtuar në fillim të shekullit XIX ky kompleks mban emrin e Dervish Aliut, personazh i njohur i revoltave të Tanzimatit. Banesa është e tipit Kullë dhe i ngjan një kështjellëze të fortifikuar, ajo u ndërtua në vitin 1828 nga mjeshtrat janinas, për të siguruar mbrojtjen e fshatit dhe si strehim në kohë luftërash. Tri kullat e Dervish Aliut kanë rreth 40 frëngji dhe për të vizituar këtë monument kulture ndiqni rrugën që të çon në qendër të fshatit Dukat i Vjetër.

Nëse doni aventurën e vërtetë, shtegu i Çesarit do të jetë eksperienca më e bukur: bëhet fjalë për një shteg i cili edhe pse kalon përmes pyllit ka të gdhendur ende gjurmët e rrugës së vjetër me gurë dhe kalldrëm, ku dikur ka ecur ushtria e Jul Çezarit.

Kuzhina labe

Nuk ka dyshim që mbretëresha e pjatave janë ato me bazë mishin, por edhe në lartësinë rreth 1 mijë metra mbi nivelin e detit, mund të gjeni pjatat me aromë detare. Ajo që spikat në artin kulinar të Llogarasë, është kuzhina tradicionale labe, mishi i pjekur në hell, kukurecët, arapashi dhe kosi me arra.

Arapashi është specialiteti më tipik i kuzhinës së staneve të Labërisë. Bëhet në formë qulli me miell misri, gjalpë dhe të brendshmet e kecit dhe të qengjit. Mos ikni pa provuar kulaçin e nxehtë me gjalpë dhe djathë të freskët vendas, i shoqëruar me kosin e deles që vjen direkt nga stanet dhe shoqërohet me arra dhe mjaltin e famshëm të Llogarasë. Ata që janë të apasionuar pas produkteve blektorale, mund të shijojnë djathin, por edhe reçelin vendas.

Tags:

Home Art

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF