KreuArt

Orli Shuke: I lumtur që “Katrori i Pushtetit” më riktheu në sheshxhirimin shqiptar!

Edhe pse mban një mbiemër ikonik për teatrin dhe kinemanë shqiptare, Orli Shuke prej kohësh ka arritur të vendosë vulën në kinematografi, duke luajtur në Britaninë e Madhe krah aktorëve të njohur si Brad Pitt, apo me regjisorë si Gay Ritchi. Së fundmi, emri i tij u bë akoma edhe më i njohur, kur vetë kryeministri shqiptar e përmendi për rolin në serialin “Gangs of London”, ku Shuke luan rolin e një mafiozi shqiptar që jeton në Londër, madje në krah ka edhe bashkëshorten e tij Eri. Në këtë intervistë për revistën Bordo, aktori flet për raportet e tij me të atin, aktorin Agim Shuke, përpjekjet për të fituar sa më shumë role në kinemanë ndërkombëtare, e së fundmi rikthimi në një produksion shqiptar nga Era Production. Prej vitesh larg vendlindjes, Orli nuk i fsheh emocionet e kthimit, vendet dhe njerëzit për të cilët e merr malli më fort, e padyshim duke na rrëfyer rreth projekteve të ardhshme, një prej të cilëve në garë për një çmim Bafta…!

“Gangs of London” është kthyer në një serial shumë të ndjekur, pyetja që kushdo do të bënte është si u gjendët në kastin e këtij superproduksioni?

“Gangs of London” është projekti që spikati në sytë e publikut, por nuk është projekti im i vetëm. Pas 12 vitesh karrierë në Britaninë e Madhe rendis mbi 10 role në film, kryesisht me metrazh të gjatë, por dhe metrazh të shkurtër. Jam pjesë e industrisë dhe përfaqësohem nga agjentë ku Spotlight dhe IMDB kryejnë rolin e përfaqësimit të aktorëve kundrejt casting agents në të gjithë botën.

Si u ndjetë në momentin kur ju propozuan rolin tipik të një shqiptari mafioz, që shpesh është edhe i paragjykuar?

“Gangs” nuk ishte rastësore sepse erdhi si produkt i këtij përfaqësimi 12 vjeçar. Fitova një audicion për rolin e Luan Dushaj në “Gangs” dhe vetë autorët Gareth Evans dhe Matt Flanery nuk e dinin që gjithçka do të bëhej virale dhe shumë e klikuar. Të them të drejtën kur fitova audicionin u gëzova shumë sepse pashë potencial te ky serial pa e ditur si do të xhirohej dhe si do të përfundonte, por kam ndjekur nga afër punën e këtij regjisori dhe më ka impresionuar “The Raid 1 &2”. Ka stil të veçantë me efekte speciale dhe stunt kordinators që në shqip i quajme kaskadorë. Ky regjisor për momentin po xhiron për Netflix – Havoc me Tom Hardy dhe Forest Whitaker.

Fakti që luani në një serial ku një shqiptar luan rolin e një shqiptari, mendoni se e ka portretizuar më mirë figurën e Luanit?

Ishte shumë fat dhe përgjegjësi për mua të isha pjesë e këtij projekti, por asnjëherë i paragjykuar! Unë kam luajtur dhe shumë karaktere si: polak, rus apo rumun, madje tani në fund edhe çeçen.
Ka pasur momente kur gjatë xhirimeve ka pasur skena që keni thënë: shqiptarët nuk janë kështu?
Të jesh shqiptar sot është trend, është krenari. Çdo aktor në botë i kujtdo nacionaliteti do të kishte dëshirë të ishte në vendin tim sot! Patjetër që të hysh në lëkurën e Luan Dushaj duhet të jesh shqiptar dhe të krijosh një histori më vete – background story dhe për ta bërë këtë duhet të jesh shqiptar me SH të madhe dhe kërkesa kryesore e casting agent kjo ishte. Si aktor nuk më intimidon fakti që në gojë apo në veprimet e Luan Dushaj vihen histori të pazakonta sepse ky është film thriller, asgjë e vërtetë se në të kundërt do ishte dokumentar. E rëndësishme për mua është që këtë produkt ta tregoj sa më bukur dhe sa më original.

Ju interpretoni krah bashkëshortes, është më e lehtë për ju edhe në film të keni grua, gruan tuaj?

Në këtë projekt luaj krahas bashkëshortes time dhe padyshim është një rast që nuk vjen më. E ka lehtësuar partneritetin tonë në set të xhirimeve sepse kemi të njëjtën marrëdhënie që jemi dhe në jetën reale dhe nuk është dashur shumë të aktrojmë. Jemi me fat që “Gangs” na quan Golden Couple!

Në fillim Brad Pitt dhe së fundmi Joe Cole, dy aktorë të mëdhenj, si është të punosh me emra kaq të mëdhenj, a janë bashkëpunues, kanë teka?

Jo vetëm Brad Pitt, Joe Cole por edhe Stephen Graham dhe në dy projekte të ndryshme me Lennie James dhe Jason Flemyng. Unë kam patur fatin të luaj me ta, jam krenar që kam luajtur me casting Snatch të Gay Ritchie me 4 prej tyre. Së fundmi kam një rol me Chris Pine. Ata janë njerëz normalë dhe me shumë meritë në pozicionin ku jane. Shumë humanë, shumë profesionalë dhe pa teka të veçanta – mendje hapur dhe trajtojnë njësoj çdo koleg të tyre. Marrëdhënia me ta në shesh xhirime është më shumë se miqësore. Kemi pirë birra dhe folur pa fund për Shqipërinë dhe shqiptarët, eksperiencat e tyre filmike me De Niro, Pacino, Denzel Washington etj!

“Katrori i pushtetit” ju thirri të ishit pjesë e një produksioni shqiptar, ju kishte munguar aktrimi në shqip, si u ndjetë krah aktorëve shqiptarë?

Isha i sigurtë që një ditë do të vinte dhe një bashkëpunim me Tiranën. Por jo kaq shpejt. Bëra një audicion kur rastësisht qëllova në Tiranë dhe më ofruan jo 1, por 2 role të zgjedh! Më kishte marrë malli shumë të bëja një dialog ose një monolog në shqip dhe që në audicion e mora shumë seriozisht dhe u dashurova me personazhin. Edhe pse isha mosbesues dhe duhet t’i mbushja mendjen agjentes sime dhe pranova të filloja xhirimet në një kohë shumë të shkurtër.

Produksioni shqiptar sado modest, nuk krahasohet me ato ndërkombëtare, çfarë kanë ato që ju emocionojnë më shumë, ju bëjnë të ktheheni në Shqipëri?

U ndjeva plot kur u ktheva në Tiranë dhe mu duk sikur kisha vetëm një vit që kisha mbaruar shkollën dhe jo 21 vite largësi. Jam pa fjalë për punën profesionale të Era Production – për gjithë pritjen e ngrohtë që më bënë, por dhe koleget Ema – Sara që gjetëm gjuhën e përbashkët në trajtimin e çdo karakteri. Marëdhënia me regjisorin ishte shumë produktive sepse Berti na dha dorë të lirë në krijmtarinë e secilit prej karaktereve.

 

Babai juaj ka dashur të bëheni aktor, sepse shpesh prindërit nuk duan që fëmijët të ndjekin gjurmët e tyre?

Për të qenë i vërtetë babai im nuk deshte që unë të bëhesha aktor. Është art kolektiv thoshte dhe është e vështirë të çash në industri. Por mua më ndoqi fati i tij që i vogël. Isha gjithmonë djali i aktorit dhe të gjithë më merrnin nëpër teatrot e lagjes – shtëpi pioneri – në çdo aktivitet ku bënim pantomima, skeçe, imitime, parodi me rastin e vitit të ri. Njëherë një regjisor më ofroi një rol tek filmi “Mondi dhe Diana”, por babi nuk donte. Besim Kurti, regjisori erdhi në shtëpi dhe bisedoi me babanë por nuk pranoi. Më vonë fillova Liceun Artistik në degën frymore Oboe. Një orkestrant në orkester do të ishte profesion më i sigurtë se një aktor teatri apo filmi. Por me zor e mbarova se nuk u dashurova kurrë me të.

A ju është dashur që të plotësoni profilin tuaj me leksione që nuk i kishit marrë në Tiranë?

Shkolla shqiptare më vleu shumë sepse baza e saj ishte aktrimi sipas metodës Stanislavsi. Është baza e çdo aktori dhe më kujtoheshin shpesh pedagoget e mi si Niko Kanxheri apo Xhoda te Mjeshtëria e Aktorit. Kur arrita në Angli, nuk kam bëre kurse të tjera për aktrim, por kur marr role punoj me një trajner aktrimi që më ndihmon për performancën.

Prej vitesh i larguar nga Vlora dhe Tirana, për çfarë ju merr malli më shumë kur ktheheni?

Më merr malli për njerëzit, natyrën, ushqimin, detin Jon, perëndimin e diellit ne Vlorë dhe aromën e kafeneve në Tiranë.

Ju dhe Eri jeni çift dhe kolegë, si funsionon një marrëdhënie mes dy artistësh?

Me Erin kemi qenë shokë kursi, por pas 28 vitesh jemi bashkeshortë me dy vajza. Jemi dy binjakë shumë luftarakë, por kemi të njëjtin qëllim! Kemi dinamikë, por shumë funksionale! Patjeter që Eri është më afër vajzave, por bashkëpunimi është çelësi në çdo marrëdhënie.

Cilat janë projektet tuaja të ardhshme, do t’ju shohim në ndonjë film tjetër apo serial?

Nga nëntori deri në janar mbarova një projekt për Amazon, i cili titullohet “All the old knifes”, me një cast të shkëlqyer aktorësh Chris Pine i cili luan tek Wonder Woman, Thandiwe Newton, Jonathan Pryce aktor i “Two Pope” apo Lorenc Fishburne i njohur në “The Matrix”. Projekti del në transmetim në nëntor 2021 dhe mezi po e pres.

Marrë nga Revista Bordo, numri i muajit Qershor 2021

Tags:

Home Art

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF