KreuArt

Intervistë ekskluzive me Shkënda Lili, të parën detektive në Shqipëri!

Nga: Ilda Lumani
Foto: Erjon Beshiri

Detektivja e parë shqiptare!
Bjonde, me një pamje provokuese dhe trup të skalitur, Shkënda Lili që në pamjen e saj të parë mund të quhet një “femme fatale”, një figurë e cila fare lehtë mund të kishte qenë një vajzë krah filmave të James Bond. Ajo është e para dedektive private femër në Shqipëri, e cila me kompaninë e saj Ideal Security, siguron biznese, por edhe jetën e shumë personazheve VIP. Ajo quhet Shkënda Lili dhe përpos faktit që është një dedektive private tejet sharmante, është edhe një mama shembullore, e cila përtej impenjimeve dhe misioneve tepër sekrete që mbushin jetën profesionale, i duhet të kujdeset edhe për vajzën e saj. Në këtë intervistë për Bordo, dedektivja e parë shqiptare flet për sfida e profesionit të saj dhe vështirësitë që has nën drejtimin e kompanisë së saj, duke drejtuar një staf të përbërë tërësisht nga meshkuj.

Shkënda, sapo kërkon emrin tuaj në internet, direkt të shfaqen artikuj si detektivja e parë në Shqipëri… E guximshme apo jo?

Hahaha, në këndvështrimin e të tjerëve duket një punë me guxim të tepruar dhe rrezikshmëri, por në këndvështrimin tim është një punë të cilën unë e kam me shumë pasion dhe nuk marr parasysh asnjë lloj rrezikshmërie pasi futet pasioni im brenda.

Duket një profesion mashkullor. Cilat ishin arsyet, ngacmimi i parë që ti more për t’u fokusuar në këtë drejtim?

Nuk do ta quaja profesion mashkullor pasi në Europë ka shumë femra me profesionin e detektivit, po këtu në Shqipëri profesioni i detektivit nuk njihej më parë, por tashmë ka filluar që dhe vendi ynë të njihet me profesionin e detektivit.

Që në fëmijëri unë e kam pëlqyer pjesën e rendit, imazhin e policisë, e sidomos misterin që sjell procesi i hetimit. E ndjeja që profesioni im do të ishte një nga këto fusha edhe pse unë tashmë jam e diplomuar në rrjet kompjuterik dhe Fakultetin e Drejtësisë si dhe e licensuar si avokate. Unë zgjodha të ndjek pasionin tim për t’u bërë një investigatore private, pasi kam ndjekur disa specializime për hetimin dhe investigimin privat në Shqipëri dhe jashtë saj ku dhe jam licensuar dhe është një punë që unë e bëj me shumë pasion.

Në faqen tuaj të web-it keni të renditura mjaft subjekte investigimi, që nga adoleshentët, tek divorcet, por në të vërtetë, në përditshmërinë tuaj, cilat janë ankesat më të mëdha, nga kush vijnë? Dhe cilat janë problematikat më të mëdha?

Në zyrën time operojmë në shumë fusha duke filluar nga krimet dhe duke përfunduar tek tradhëtitë bashkëshortore. Por rastet dhe kërkesat më të shumta janë: tradhëtitë bashkëshortore, provat e mbledhura për çështjet e divorcit, kontrollim ose më saktë investigimi i adoleshentëve, deri tek zbulimi dhe gjetja e adresave të caktuara, pa harruar edhe shumë çështje të tjera.

Sa ju përket çifteve; janë më shumë burrat, që kërkojnë investigim privat apo gratë?

Më herët kanë qenë femrat të cilat kanë kërkuar investigim privat, por në vitet e fundit më rezulton që të dyja palët janë në barazpeshë.

Nga ana tjetër drejton edhe një kompani edhe më mashkullore se e para, siç është “Security”. Në këtë pikë është më e lodhshme të drejtosh një skuadër speciale meshkujsh, apo të konkurrosh në një zonë që drejtohet nga meshkuj? 

Po në fakt unë përveç detektivit kam marrë një rrugëtim akoma më të vështirë siç është “Security” ku jam e rrethuar vetëm me meshkuj dhe përgjegjësia është shumë e madhe dhe mbi të gjitha konkurrenca është akoma më e madhe ku terreni është shumë i vështirë të paktën për një femër.

Ju keni edhe klientë personazhe VIP. Ata përveç mbrojtjes gjejnë edhe tek ju figurën e besueshme? Cila është arsyeja më e fortë që ju zgjedhin?

Tek unë vijnë të gjitha kategoritë. Mendoj që një ndër arsyet më të forta që më zgjedhin është profesionalizmi që unë kam shfaqur dhe fakti që unë jam femër që mund t’i kuptoj më mirë.

Në eksperiencën tuaj disa vjeçare tashmë, kë do të cilësonit si një nga rastet më të suksesshme, histori të cilën edhe mund ta ndani me lexuesit e BORDO…

Në investigimet tona 70 për qind e rasteve mbyllen me sukses. Të veçoj një rast është e vështirë për mua në fakt, sepse rastet janë të ndryshme dhe kanë vështirësitë e tyre. Por do të veçoja një rast ku unë bashkë me ekipin tim jemi ndjerë shumë të rrezikuar në një fshat të Kosovës ku ai fshat ishte problematik dhe ne nuk ishim të informuar që kishin të bënin me hasmëri, ndërkohë që ata ruheshin për tjetër gjë dhe ne ishim për tjetër gjë. Aty ne njerëzit e fshatit na kanë mbajtur disa orë “peng” për të kuptuar arsyen se për çfarë ishim ne aty. Na është dashur të ngrejmë një histori që nuk kishte të bënte me profesionin e një agjenti, sepse agjenti në çfarëdolloj rrethane, nuk duhet të dekospirojë investigimin. Do e quaja me sukses, pasi pas disa orësh ndalim dhe presion, arritëm të dalim nga situata pa e marrë vesh qëllimin tonë për çfarë ishim aty.

 

Botuar në BORDO! Muaji, shkurt 2022

Tags:

Home Art

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF