KreuCelebrity

Ekskluzive/ Rudina Dembacaj mes dashurisë dhe turbulencave

Nga Nada Biraçi 

Ka patur jo pak turbulencë në jetën e saj, por për një luftarake si Rudina Dembacaj asgjë nuk është e pamundur për aq kohë sa nuk duhet një forcë hyjnore për të vërtetuar të kundërtën. Sepse në sado turbulenca të përfshihet aktorja e humorit, qofshin në jetën personale apo profesionale, ajo ka arritur gjithmonë të zgjedhë e triumfojë me formën më të bukur: dashurinë. Pa harruar humorin, sensin sesi ajo i sheh dhe i prek gjërat duke transformuar çdo turbulencë në dashuri, ndaj edhe të gjithë e duan Rudinën. Edhe kur ka qenë në mes të syrit të ciklonit, aktorja e dashur nga të gjithë ka ditur sesi të dalë prej tyre, sepse ka një natyrë të çiltër, zemër të dlirë dhe padyshim shumë dashuri për çdo gjë që prek…!

Humori i rrjedh në deje pasi siç aktorja karizmatike tregon për Bordo, nëse je “Dembacaj” nuk ke rrugë tjetër do bësh humor të mbjellësh buzëqeshje. 

Rudina në “Dashuri dhe Turbulenca” ju vini për herë të parë si aktore në një prodhim kinematografik dhe hera e parë si producente. Cili nga këto dy role ju emocionoi më shumë?

Si çdo fillim projekti përfshihem me shpirt dhe plot pasion për të arritur maksimumin. Më rrëmben çdo detaj, kërkoj të përmirësoj veten, të realizoj rolin, të realizoj detyrat e bashkë producentes. Të dy role të jashtëzakonshëm dhe asnjëri i thjeshtë. Nuk i ndaj dot, të dyja bashkë bëjnë një “fëmijë” të shtrenjtë si “Dashuri dhe Turbulenca “

Çfarë jua ndezi dëshirën për të qenë pjesë e produksionit të një filmi?

Besimi i madh tek produkti final që vendosëm të realizonim. Kishim kohë që e gatuanim bashkë me ekipin e teatrit. Secili shtoi energjinë unike që i karakterizon dhe kur bashkohen yjet në një linjë dhe Zoti të ndihmon ta bëjnë rrugën më të lehtë. Uroj të na mbajë kështu deri sa të kalojmë dhe provën më të vështirë, atë të publikut.

Rudina Dembacajt i shkon më shumë teatri, apo kinemaja? Ju cilën shijoni më shumë?

Teatri është dashuri e madhe për mua, merr dhe jep nga roli, nga vetja në komunikim me atë publik që të zgjedh, me regjisorin që të zgjedh. Filmi është më i kuruar, është një projekt që ngelet në kohë. Janë shumë ndryshe, por nuk do t’i veçoja. Të qenit komediane, është ajo që më plotëson.

A mendoni se aftësinë e të bërit komedi apo humor dikush e ka ose s’e ka. Është një aftësi e lindur apo e fituar në rastin tuaj?

Kam shumë respekt për të gjithë aktorët dhe zhanret, nuk është një sport i lehtë për t’u praktikuar. Por komedianët ose e kanë yllin ose jo, është një talent që e ke brenda teje derisa e praktikon, mëson, perfeksionon, por është shumë e rëndësishme ta kesh!

Ju pëlqen të luani personazhe që ju ngjajnë juve karakterialisht, apo pëlqeni të dilni krejtësisht nga vetja me një personazh që nuk ka asnjë pikë takimi me Rudinën?

Në karrierën time, ka patur role nga më të ndryshmet, ata që më ngjajnë shumë dhe role që s’më ngjajnë aspak. Publiku i ka përqafuar të dyja dhe nuk besoj se ka perceptuar ndonjëherë diferencën. Përveçse e dashuroj punën time, kam një disiplinë pune që nuk le preferencat të më ndikojnë. Publiku pret nga unë që të jem në lartësinë e duhur me çdo personazh që më caktohet.

Në momentin që pranon një rol cila është gjëja e parë që bëni për ta shkrirë atë personazh brenda vetes tuaj?

Në fillim pranoj, i them vetes; ti mundesh! Më pas studioj si ta përshtas dhe punoj fort. Marr gjithmonë një mendim e bisedoj me koleget e afërt. Është shumë i rëndësishëm këndvështrimi i profesionistëve të tjerë.

Për një aktor, pasi përfundon një shfaqje teatrale apo kinematografike, si ndodh më pas procesi i shkëputjes nga roli? Ju ndodh që të merrni në të përditshmen tuaj ‘copëza’ nga roli?

Gjithmonë… Na shoqërojnë batutat për gjatë, madje dhe nëse do t’i harrosh është gjithmonë dikush që t’i kujton, kur je duke blerë një akullore me vajzën apo në njerëz që dashamirësisht të ndalojnë rrugës. Secili prej tyre ka një personazh të dashur që ja mëson përmendësh batutat.

Ju kujtohet periudha apo çasti kur (ndoshta qysh fëmijë) kur po kuptonit se ju pëlqen aktrimi? Çfarë ka ndikuar në zgjedhjen tuaj për t’u bërë aktore?

Nëse je “Dembacaj” ke humor. Familja ime e madhe ka ndikuar në çdo hap timin. Ne jemi një ansambël humori. Të mos ishin shpërndarë të jetonin nëpër botë do të kishim bërë një ‘stand up’ të gjithin brenda familjes.

Keni parë ndonjë ‘skills’ për aktrim tek vajza juaj Viktoria?

Fatmirësisht po, është imitatore e talentuar dhe ka shumë fantazi. Por është shumë herët për ta përcaktuar, jemi në fazë eksplorimi artistik, të çdo zhanri të mundshëm (qesh)

Nisur nga fëmjëria juaj, çfarë do të donit t’i sillnit sot Viktorias nga ajo kohë?

Marrëdhëniet me të afërmit dhe kushërinjtë. Shkoj shpesh me të në fshat dhe i tregoj çdo natë nga një histori të fëmijërisë time. Kam shumë nostalgji për fëmijërine time të rrethuar me shumë dashuri dhe çiltërsi.

A ka një person në jetën tuaj që ka ndikuar shumë në mënyrën se si ju silleni apo mendoni?

Babai im ishte boshti i edukimit dhe mësimit më të madh në jetë, lumturisë. Motra ime Reda është njeriu që zhduk çdo re nga qielli dhe nxjerr diellin dhe në ditë me stuhi. Jam me fat për familjen time, falenderoj Zotin çdo ditë.

Thuhet se në një marrëdhënie dashuria merr forma të ndryshme; ç’formë ka dashuria e Rudinës dhe Markut në këtë periudhë?

Formë zemre të kuqe, të shndritshme.

Në nisje të kësaj romance çfarë kujtoni të dy me shumë nostalgji?

Që ishim shumë miq, dhe shpreheshim hapur edhe për tema delikate. Sot ndoshta Marku është penduar, më ka thënë shumë sekrete të jetës private.

A ka ndonjë gjë që keni në ‘sirtarin e dëshirave’; qoftë personale apo karriere;  diçka në jetën tuaj që dëshironi të keni ose të bëni, që ende nuk është arritur? 

Karakteri i fortë dhe luftarak më ka bërë gjithmonë të punoj fort të bëj ëndrrat e mia realitet, por ndoshta për ato që nuk varen totalisht nga unë do më duhet një ndihmë hyjnore. (Qesh)

 

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF