KreuStil Jetese

Mbresa nga udhëtimi i stafit të revistës “Bordo” në Budva!

Nga Anita Aliaj 

Magjia që mbartin udhëtimet është e pakrahasueshme! Një arratisje nga e përditshmja, ishte ajo që na kishte munguar në revistën “Bordo”, për t’i dhënë ngjyra ditëve tona dhe për t’i bërë ato më të bukura, pasi energjia që merr nga udhëtimet është e patjetërsueshme. Vendi që menduam të vizitonim ishte Budva, një nga vendbanimet më të vjetra në Mal të Zi që spikat për historinë e pasur kulturore, turizmin, bregun kaltërosh, e padyshim vendet e panumërta që mund të pushosh. Zgjodhëm që udhëtimin t’ia besonim “Arlo Travel”, agjencisë më të mirë në kryeqytet me destinacione unike, shërbim cilësor dhe gatishmërinë për t’u përgjigjur në çdo kohë.

Shiu ishte shoqëruesi i ditëve të fundit të prillit, por atë të premte dielli po shkëlqente. Gjithçka që nisi si një ide e momentit po bëhej realitet dhe në sytë tanë dukej qartë gëzimi si të ishim fëmijë. Gjithë rruga, ishte e shoqëruar me shaka dhe të qeshura pafund…! Vendosëm që ndalesën e parë në Mal të Zi ta bënim në hotel, në mënyrë që më pas të ishim të lirë për të shijuar çdo moment në qytet. Vendi mikpritës ishte “Iberostar Slavija”, hoteli me 5 yje, për të cilin ishte kujdesur “Arlo Travel”. Sikurse e prisnim nuk na zhgënjeu aspak. Çdo gjë ishte e përsosur, dhomat luksoze, me hapësirë dhe të gjitha kushtet e nevojshme.

Tarraca e “Iberostar Slavija” ishte magjepsëse, me një pamje piktoreske që na la të gjithëve pa fjalë: qyteti prej aty dukej si në pëllëmbë të dorës, deti e qielli bëhej njësh me pishinën, por perëndimi i diellit atë mbrëmje ishte momenti më i bukur…!

E nisëm duke drekuar në “The Old Fisherman” restorantin i cili ndodhet buzë detit, me pamjen fantastike karshi qytetit të vjetër, ku shijuam një tryezë të mbushur me ushqime të shijshme. Më pas u nisëm nëpër rrugicat e Qytetit të Vjetër të Budvës, të përqafuara nga ndërtesa të gurta. Muret e qytetit fshihnin brenda tyre kishat, dyqanet e suvenireve, e padyshim kështjellën, prej nga e cila mund të shihje të gjithë Budvën.

Qyteti i Budvës së Vjetër është një vendbanim i cili daton që në periudhën antike, ka një arkitekturë unike që është krijuar kur në këto zona sundonin venecianët. Teksa arritëm afër njërës prej kishave, aty pranë në sheshin e Poetëve, qëndronte i ulur një burrë i thinjur, i cili luante në kitarë duke shijuar notat e muzikës që ndërthureshin me zhurmën e valëve të detit. Në qytet ndiheshin ditët tipike të pranverës: rrugët e mbushura me vizitorë, ndërsa në ajër ndihej aroma e luleve dhe bimësisë së sapoçelur. Kaltërsia e portit thurej me pasqyrimin e jahteve, anijeve dhe barkave të ankoruara në molin e qytetit. Mbi 10 kisha me një arkitekturë joshëse në Qytetin e Vjetër shpërndanin ngado aromën e temjanit, ku një prej më të bukurave ishte kisha e Shën Mërisë, me një shesh panoramik që sheh brigjeve të Adriatikut, e cila ishte një ndalesë shpirtërore për shumicën e vizitorëve, por edhe për të shkrepur fotografitë më të bukura të këtij udhëtimi.

Në mbrëmje zgjodhëm një nga lokalet e qytetit, ku shijuam pijet dhe muzikën e mirë, për të mbyllur ditën.

Dita e nesërme nisi plot energji. “Porto Montenegro” ishte destinacioni i radhës: një zonë luksoze, të cilën kushdo shkon në Budva nuk duhet ta lërë pa e parë, sepse ndodhet vetëm 25 kilometra larg. Porto Montenegro konsiderohet si një nga destinacionet më mbresëlënëse të Adriatikut dhe një nga më të mirët në Mesdhe. Ndërtesat dhe hotelet luksoze, shëtitorja buzë detit, dyqanet e markave ndërkombëtare, superjahtet në zemër të rivierës së Tivarit, bëjnë që gjithkush që shkon aty të shijojë pamjen e mrekullueshme të gjirit të Bokës, i cili mbrohet nga UNESCO.

Në kthim nuk kishim si të mos ndalonim për të parë nga afër Shën Stefanin, një nga pikat më të vizituara të qytetit. Dikur një ishull, por tanimë prej vitesh i lidhur me një rrugicë të ngushtë me bregun e detit, duke krijuar në këtë mënyrë një nga pikat më të bukura turistike. Ishulli i Shën Stefanit, daton në shekullin e 15-të, dhe karakterizohet nga ndërtesat e veçanta prej guri, nga oborre të bukura prej të cilave mund të shijosh në pafundësi pamjen dhe aromën e detit.

Këtë udhëtim menduam ta finalizonim me një drekë të vonë në Shirokën e bukur të Shkodrës për ta mbyllur ashtu siç duhej këtë arratisje fantastike, e cila ka për të mbetur gjatë në kujtesën time..

Botuar në revistën BORDO print, maj 2022

Tags:

Home bordo

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF