Ekskluzive/ Florian Marku, një grusht i hekurt!

Nga Nada Biraçi

Prej vitesh zilja e zgjimit në komodinën e Florian Markut bie herët në mëngjes kur ende dielli është fshehur pas malesh e përgatit rrezet e para që në Londrën e vranët shpesh janë zbehta. Agimi i 3 prillit për Markun qe emocionues, i ethshëm, ama me një bindje në zemër se edhe në atë sfidë grinta e kampionit nga Shqipëria do të triumfojë mbi teknikat e mirëstudiuara të një tjetër kampioni të huaj. Pasi i dha puthjen e mëgjesit bashkëshortes dhe të birit që sapo ka nisur gugatjet e para, Floriani ndjeu se mori energjinë e nevojshme për t’i premtuar Matinit dhe Eirinit se në mbrëmje do të kthehet në shtëpi sërish kampion, pasi ai nuk di të bëjë ndyshe. Pas perdeve të dhomës dalloi se moti londinez edhe atë mëngjes premtonte zymtësi dhe pasi rrahu ajrin me disa grushte instinktive, sportisti shqiptar buzëqeshi dhe pëshpëriti me vetvete: “Nisu Florian, ata thonë se Chris Jenkins është kampion, është i frikshëm, por nuk do ta thonë më pas kësaj ndeshje”

Intuita dhe besimi në forcën e tij nuk e gënjeu as kësaj here luftëtarin e pamposhtur i cili arriti të mbrojë titullin e tij “International Welterwight” në versionin IBF, duke regjistruar fitoren e 11-të në karrierë ndaj uellsianit Chris Jekins. “I tregova publikut anglez se ky boksier shqiptar po kthehet në një problem për ata vendas”; ndau me Bordo emocionet e para pas ndeshjes Floriani, pa e fshehur aspak krenarinë.

Fitoret për Markun po kthehen në rutinë e me gjithë rritjen e vrullshme profesionale, në momentin që atij i drejtohet një mikrofon nga cilido televizion i botës, përshëndetja e tij nis gjithmonë shqip dhe me një falenderim përulës për tifozët shqiptarë. Ndonëse është larguar fare i vogël nga Shqipëria dhe është rritur e formuar në shtetin Helen, lidhjen me vendin nga i cili ka rrënjët ai i ka shenjta. Aq sa para çdo ndeshje në kufje Floriani dëgjon vetëm muzikë patriotike të Kosovës, një mënyrë kjo për të ‘injektuar’ fuqinë që i duhet para çdo sfide.

Ka kaluar shumë kohë që kur në një lagje të vjetër të Selanikut Florianit ende fëmijë ju desh të mësonte se rruga është e ashpër sidomos për karakterin e tij çapkën. Gjatë rrëfimit të tij për Bordo tregon se ndryshe nga boksierët e tjerë të famshëm ai nuk është rritur duke parë ndeshje nga televizori.  Ndoshta në atë kohë psikika e një 10 vjeçari nuk ishte e vetëdijshme se zënkat me grushte mes moshatarësh do të ktheheshin në profesionin e ardhshëm pasi ato goditje nga duar të njoma që asokohe qenë për vetëmbrojtje, sot janë kthyer në grushte të hekurta. Thuhet se boksi është sporti i të varfërve dhe Floriani pranon se ai është pikërisht stereotipi që vërteton këtë thënie. Edhe pse nuk dëshiron ende të japi detaje, Floriani na tregon se fëmijëria e tij ka qenë e vështirë, ndoshta më shumë nga sa shumë prej nesh mund ta mendojmë. Ai na tregon se shumë shpejt të gjithë fëmijërinë e tij do ta rrëfejë në një libër ku sipas tij në çdo rresht publiku do të mund të lexojë shumë të pathëna rreth jetës së djaloshit kryeneç e trazovaç që u kthye në kampion…

A ka frikë Floriani para çdo ndeshje? A i frikësohet ai grushteve që derdhen pamëshirshëm mbi të nga kundërshtari?

“Jo!” Përgjigja e tij është e prerë, dhe ndonëse tingëllon klishe, profesionisti i grushtave na siguron që kjo përgjigje është e sinqertë. Megjithatë ai pranon se ndonjëherë ndjen dhimbje fizike nga goditjet por kjo s’mjafton për t’u dorëzuar. “Nëse nuk jam dorëzuar ndaj lutjeve dhe syve me lot të nënës time për të hequr dorë nga ky sport, është e pamundur të më bëjnë të dorëzohem disa goditje nga një i panjohur, qoftë ky edhe një kampion bote”; vulos vendosmërinë e tij luftëtari i ringut, ndonëse ironikisht pranon se s’do të donte kurrë që i biri Matin të dashurohej me këtë sport.

Goditje poshtë brezit është një term që njihet mirë në sportin e tij por goditje të tilla shpesh ka edhe në jetën jashtë ringut. E në raste të tilla si fëmijë i zënë në  faj Flori pranon se në shumicën e rasteve e ka zgjidhur njësoj si në ring, me grushte. Ardhja në jetë e të birit përpos se e ka bërë të zbulojë një dimension tjetër dashurie, i ka shtuar edhe një tjetër motiv, atë më të rëndësishmin për të rendur edhe më shumë pas fitoreve, shumicën e të cilave tashmë mbajnë emrin Matin.

Askush nuk di se si dhe sa do të shkëlqejë karriera e Florian Markut, por një gjë e dimë me siguri, se çdo trofe, titull a grusht suksesi do të flasi shqip. Karriera e boksierit shqiptar tashmë ka marrë udhën e pakthyeshme, destinacioni i së cilës sipas Markut është një dhe i vetëm!

Faleminderit kampion!

Botuar ne BORDO Maj 2022

 

easy dinner ideas
Previous ArticleNext Article