KreuArt

Intervistë/Rita Petro ”Një tango pasioni”

Nga: Olsi Kolami

Rita Petro është si poezia e saj, një tango pasioni, së cilës duhet t’i njohësh shumë mirë hapat. Rita është kaq e vërtetë, sa kushdo, kur lexon vargjet e saj, i duket sikur sheh veten para pasqyrës. Askush më parë, nuk kishte folur me zë të lartë, me vargje, jo domosdoshmërisht me rimë, të vërtetat e fshehta të jetës, ato që secili prej nesh ia di vetes, por zgjedh t’i mbajë në vargonj nga frika e etiketimit – Pervers. Rita ka zgjedhur të jetë përjetësisht e lirë, ashtu si me vargjet, edhe jetën e saj! Ajo është pasionante kur shkruan për jetën dhe dashurinë, vdekjen dhe ripërtëritjen. Ka një buzëqeshje të dlirë, ndaj pa drojë flet edhe për “Vrimën” librin për të cilin shqiptarët “e kryqëzuan” sepse tha të vërtetën. Rita rrëfen me poezi ndjesitë, vibrimet e saj, por edhe të gjithkujt prej mishi e gjaku. E takova Ritën dhe folëm për të gjitha! U kënaqa!

Letërsia apo filozofia moderne rikthehet gjithmonë tek antikiteti, pse?

Antikiteti është baza, të gjitha veprat moderne aty bazohen – ajo është baza e kulturës, filozofisë. Madje, edhe ato që duken si perversitete në letërsinë moderne, janë shkruar të gjitha në periudhën e antikitetit: nga inçesti deri tek të gjitha dukuritë e tjera, tema të cilat janë marrë më pas nga shkrimtarët e mëdhenj, por janë parë në një dritë moderne.

Kur lexon Safon erosi duket krejt natyral, por pse kur lexojnë Ritën të gjithë revoltohen?

Safo përveçse është një lirikë e hollë, ajo i ka fjalët shumë të zgjedhura. Safo nuk i shkruan vetëm ndjenjës shpirtërore, pavarësisht se ajo është erotike, sensuale, ajo i shkruan vibrimeve të trupit. Mendoni sesa e moderuar ka qenë ajo që në atë kohë: flet për kiminë që ka me nxënëset e saj, por kjo është një kimi truri. Edhe ne na pëlqejnë njerëzit, por jo me të gjithë na pëlqen të bëjmë dashuri, seks. Safo ka pasur ndjesi shumë të bukura të cilat i ka shprehur qoftë për meshkujt dhe femrat, ajo ka shkruar për vibrimet e trupit, sepse nuk e ka ndarë shpirtin nga trupi. Ajo thotë që sinjalet i merr nga trupi, ndërsa kjo ndryshoi tek letërsia romantike ku çdo gjë pastaj lidhej me zemrën.

Rita si të vjen frymëzimi për të shkruar: është i akumuluar, janë vibrime…?

Njerëzit mendojnë se edhe tani që jemi duke pirë një kafe, nëpërmjet detajeve mund të bësh një poezi, siç mund të bëjë një pikturë, një piktor. Por, poezia e vërtetë është ajo që shkruhet nga ndjeshmëritë. Edhe pse të duket sikur e bën në moment ajo është e akumuluar. Unë kam shumë diferencë vitesh kur i kam shkruar poezitë, siç ka ndodhur edhe me “Vrimën”. Isha në një periudhë të ngarkuar, dukej sikur poezia ime ishte harruar, dhe erdhi një shpërthim, si një lloj vullkani, i cili ndodhi jo vetëm brenda vetes time, por ndodhi për të tjerët, pas publikimit. Ka qenë një lloj orgazme truri që na lidh me Zotin: ti menjëherë e ndjen që lidhesh me Zotin, është e gjitha ajo që ke grumbulluar, është gjithë arkivi që ke në kohën tënde, gjithë ndjeshmëritë, derisa në një moment vjen një shkëndijë, ajo që ndez fitilin për të shpërthyer. Të paktën unë kështu e kam mënyrën sesi shkruaj poezi…! Përveç ndjesisë poezia duhet të ketë logjikë, filozofinë, nëntekst, që kushdo që e lexon të thotë: kjo nuk i ka ndodhur vetëm Ritës, por edhe mua…!

Muzafer Xhaxhiu e ka etiketuar poezinë tuaj jo erotike, por filozofike, por me librin “Vrima” erotika, sikur e ngushton këndvështrimin, revoltoi shumë njerëz, pse?

“Vrima” ka shumë nëntekste! Mua më vjen mirë që po e bëjmë këtë bisedë sepse çështja është që nëse ne i referohemi fjalës “vrima”, e cila asnjëherë nuk ka bërë kaq bujë në shoqërinë shqiptare siç bëri me poemën time, vjen sepse ka shumë konotacione. Vrima përdorej edhe për mirë edhe për keq, por normalisht poezia ime kryesore, e cila i dha edhe librit emërtimin ishte kjo poemë. Unë jam frymëzuar kur kam qenë në vullkanin Santorini. Kam afruar dorën aty, ishte një vrimë e vogël, prej andej vinte një afsh dhe ata thonin që këto janë shenjat që vullkani nuk fle. Aty ka nisur gjithçka, madje edhe era e squfurit e cila krahasohet me orgazmën. Për mua çdo gjë nisi nga natyra, pasi vetë natyra ka orgazmën e vet, shpërthimet janë orgazma të natyrës. Të duket sikur sjellin vdekjen, por në fakt gjithçka ripërtërihet..! Unë e kapa pozicionin e Vrimës në poemë nga disa këndvështrime, ku ajo kishte lidhje edhe me vaginën e femrës. Tani disa duan të pyesin cili është kuptimi kryesor? Organi femëror apo të gjitha kuptimet e tjera? Nuk e di, por mendoj se aty nuk ka diçka kryesore, pasi mua ndjeshmëria më ka çuar tek Vrima. Ashtu siç libri hapet me vrimën e zezë nga krijohet jeta, po ashtu edhe mbyllet nga vrima prej nga shohim yjet, për t’u rikthyer përsëri. Dëshira ime e fundit për të shkruar librin ishte: pse të mos besojmë se kemi lindur dikur, përderisa disa imazhe të cilat na duken të njohura, por ama edhe mund të kemi lindur dikur dhe më pas të kemi rilindur. E kam mbyllur me sirenën jo më kot me vargjet: një këmbë në tokë, një këmbë në det – më mbetën të dyja këmbët të hapura – Sepse është ajo liria njeriu do t’i shijojë të gjitha…

Personazhi juaj kryesor ishte femra, a ju vjen keq që u sulmuat më shumë nga femrat…

Po, personazhi kryesor është femra dhe u sulmova nga femrat më shumë sesa nga meshkujt. Ato nuk arritën të kuptojnë se çfarë lirie femërore kam nxjerrë dhe sa energji të jashtëzakonshme ka femra brenda vetes. Poemat epike greke, por edhe të mëvonshme kanë femrën që bart misterin, madje personazhet kryesore janë femra dhe kjo vjen nga fakti që shtypja që i është bërë femrës i ka zgjeruar horizontin e misterit, dinakërisë, ndaj edhe unë them: Do të sfidoj me çvirgjërinë time të shenjtë dhe pabesinë e seksit mashkullor. Pra ekstremi, luftohet me ekstrem.

Në ditët tona nuk ka censurë, por po ndodh një vetëcensurë…

Unë gjithmonë e kam refuzuar censurën, që nga poezitë e para. Ka dy lloje censurash, ajo zyrtare që bëhet në regjimet totalitare dhe censura e opinionit. Ne na vret opinioni, pse ka një mentalitet të caktuar për diçka? Këtu ka tre gjëra, e para shija, të sulmosh shumicën që thonë se ka vetëm një lloj poezie, e dyta, edhe ata që pranojnë se ka një lloj poezie, e dinë që ka edhe një poezi tjetër, që e kanë lexuar tek të tjerët, por e pranojnë vetëm tek poetët e huaj dhe e treta, një poezi e tillë e shkruar nga një grua në shoqërinë shqiptare. Kjo është arsyeja që unë justifikoj sulmin ndaj poezisë time…

Pra ju thoni që opinioni është sulmi më i keq?

Sigurisht, sepse kjo poezi e trondit opinionin. Dashje pa dashje poeti i zbulon njerëzve diçka që ata e dinë, që e kanë, por e fshehin dhe kur ua nxjerr në dritë, vjen arroganca, sulmi. Edhe Krishti ka thënë: të hedhë gurin ai që është më pak mëkatar! Pra, kjo poezi i prek të gjithë, sepse të gjithë kanë njolla dhe duke sulmuar duan të fshehin njollat e tyre. Kjo është psikoza e turmës. Të gjithë mund të biem pre e saj, madje edhe shumë njerëz të lexuar ranë pre. Më pas shkrova “Kënga e Turmës” – sepse të gjithë po shanin, rrjetet sociale sillnin informacionin e gatshëm dhe ranë lehtësisht pre. Njerëzit e thjeshtë e përqafuan më lehtësisht, sepse u çliruan.

Çfarë mendon se e ka hermetizuar poezinë erotike shqiptare?

Besoj se kjo nisi nga periudha e Rilindjes, por edhe pse ndryshoi me Migjenin dhe Koliqin, ku mund të gjeje pjesë erotike, asnjëherë nuk hyri si sistem poetik. Poezia erotike popullore ka qenë më e lirë sepse ishte anonime. Vargjet që kalonin gojë më gojë janë fantastike, të përsosura, jo vetëm nga pikëpamja estetike, por edhe nga mënyra sesi e kanë shfaqur erotizmin. Edhe Lasgushi e ka parë në anën metafizike, por duke u bazuar tek letërsia popullore, tek folklori.

Keni botuar së fundmi një vëllim të ri në Kosovë, si po ecën?

Shumë mirë dhe jam e kënaqur, sepse edhe pse janë poezi të botuara më parë, atyre u duket sikur është një libër i ri dhe kjo më pëlqen. E vrava mendjen sesi t’i vendosja poezitë në këtë vëllim, dhe e nisa me poezinë që mbyll librin “Vrima”, duke ndjekur një lloj kronologjie me fundin që sjell rilindjen. Shoh që në Kosovë kam shumë lexues dhe që është zgjeruar rrethi i tyre.

A ke diçka në dorë?

Kam një roman që është në vazhdë të poezisë time, i të njëjtit sil. Jam duke kërkuar mbresat më të errëta në fëmijërinë time. Vërtet kam jetuar në periudhën e diktaturës, por jam munduar të nxjerr disa mbresa që janë universale, përtej kohës, që nxjerrin në pah mënyrën si e kemi jetuar fëmijërinë tonë. E ndërpreva për disa kohë, por besoj se do të jetë një prozë e veçantë.

Ka ndikuar humbja e bashkëshortit, di që keni qenë shumë të lidhur…

Kemi qenë shumë të dashuruar, shumë shokë, partnerë të ngushtë në biznes. Çdo gjë funksiononte, sikur na kishte hipur dikush në një tel ku ne kemi bërë kërcimin e jetës tonë për 22 vjet. Kemi bërë një lloj tangoje, kemi ecur tek ky teli i rrezikut dhe pastaj avash-avash ai tel u bë tra, pastaj u bë shah dhe e kishim më kollaj të kërcenim lirshëm. Përveç dashurisë së madhe, kemi pasur edhe kimi truri – kemi luajtur një lojë shahu perfekte të jetës, e quaj fat të madh në jetën time…! Dhimbja është shumë e madhe, sidomos tani kur ngelem vetëm. E ndjej mungesën sidomos kur arrij diçka dhe dua t’i them; e shikon, ja arrita! Por tani më ka ikur frika e vdekjes, sepse kur humbet njerëz të dashur, nuk frikësohesh, sepse e di ku do të shkoj, do të shkoj tek njerëzit e mi të dashur…!

A beson në Zot?

Besoj tek Zoti im. Zoti im ka pamje mashkullore, madje vargu i parë që kam bërë ka qenë: Zoti mashkull në lotin e tij krijoi botën! Gjithmonë e kam parë Zotin me atë figurën e mashkullit. Më ka pëlqyer gjithmonë autoriteti i mashkullit, e kam parë tek babai im, tek ish-bashëshorti tek partneri im.

Cilat janë pasionet e tua përtej të shkruarit?

Notin e kam pasionin tim më të madh. Madje kam një shprehje: jeta është si stil i lirë – duhet të mbash ritmin, të dish frymëmarrjen. Në momentin që i mban të dyja, mund të ecësh sa të duash, madje edhe në jetë…!

Botuar në BORDO maj 2022

 

Tags:

Home Art

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF