KreuArt

Simbol/Lajmësi i Pranverës

Simbol/Lajmësi i Pranverës

Zogjtë kanë qenë prej kohësh një simbol i fuqishëm në jetën e njerëzimit, një motiv popullor në bizhuteri, gdhendje dhe qëndisma, por asnjë nuk ka patur rëndësinë dhe fuqinë e dallëndyshes.

Qysh në mitologji, dallëndyshja është një simbol i pranverës, ngrohtësisë dhe rilindjes, fillimi i një jete të re. Kënga gazmore e këtyre zogjve që kapërcejnë distanca të pabesueshme çdo vit, dëshmon për fundin e dimrit të gjatë dhe motit të ftohtë, ardhjen e pranverës dhe të diellit. Në Egjiptin e lashtë, dallëndyshja konsiderohej një simbol i perëndeshës Isis, një figurë e cila lidhej me familjen, gratë shtatzëna, fermerët dhe marinarët. Për grekët e lashtë, këta zogj përfaqësojnë perëndeshën e tyre të dashurisë, domethënë Afërditën. Grekët besonin se dallëndyshet kanë aftësinë t’i sjellin dashuri dhe lumturi një personi. Për romakët e lashtë, ata i lidhin dallëndyshet si mishërim i shpirtrave të humbur të fëmijëve që vdiqën gjatë lindjes. Në Japoni, dallëndyshja simbolizon parimin femëror, lumturinë, dashurinë, ndërmarrjet e guximshme dhe ndryshimet për mirë. Në Kinë, përfaqësojnë fertilitetin që lidhet me ekuinoksin pranveror: shumë legjenda kineze janë të lidhura me simbolikën e pjellorisë së këtyre zogjve. Koncepti i simbolit Yin Yang bazohet në ritmin sezonal: në dimër (yin) ky zog strehohet në vendet e ngrohta dhe në Verë (yang) kthehet në fole, pra dallëndyshja simbolizon dy ciklet, metamorfozën, ripërtëritjen, shpresën dhe ringjalljen.

Bizhuteritë e epokës viktoriane janë veçanërisht interesante pasi janë të mbushura plot simbolika dallëndysheje, sepse ata kishin një marrëdhënie interesante me zogjtë. Në disa shembuj spektakolarë të bizhuterive me dallëndyshe të epokës viktoriane bie në sy fakti se në dasmën e Mbretëreshës Viktoria dhe Princit Albert, dymbëdhjetë shoqërueseve iu dhurua një karficë me këtë zog.

Shkolla e tatuazheve tregon se ato ishin nga më të zakonshmet në mesin e marinarëve, pasi ato çonin lajme nga përtej detit. Për marinarët, simbolizon fatin – kur shihje këtë zog në qiell mendoje tokën pranë, sepse ajo simbolizon edhe dritën e shpresës. Por sot, ky tatuazh më shumë nënkupton fatin e mirë në dashuri.

Dallëndyshet janë zogj shtegtarë, që do të thotë se lëvizja e tyre mund të simbolizojë suksesin ose dështimin në jetë. Ato përfaqësojnë gjithashtu shpresën për ata që kanë humbur të dashurit. Në disa kultura, ata mendohet se janë lajmëtarë nga përtej varrit, ndaj edhe për të krishterët, ajo përfaqëson ringjalljen dhe rilindjen pas vdekjes; kur Jezusi ishte në tokë ai tha: “Unë vij që ata të kenë jetë.” Pra, në kohën e Pashkëve ne festojmë Krishtin e Ngjallur! Periudha kur edhe shfaqen dallëndyshet. Një tipar tjetër i simbolizmit të dallëndyshes është hijeshia e saj. Këta zogj lëvizin në ajër lehtësisht, ndaj edhe besohet se ato janë domethënie e pastër e elegancës. Nga ana tjetër, si totem, dallëndyshet besohet se sjellin lumturi, fat në një familje. Dhe nënkupton mbrojtjen për një familje. Sa herë që një dallëndyshe largohet nga shtëpia, mund të nënkuptojë se do të ketë ngjarje fatkeqe që mund të ndodhë në të ardhmen. Ky zog gjithashtu simbolizon lënien pas të kaluarës. Ajo paralajmëron një person se nëse duhet të gjejë lumturinë në jetën e tij, ai duhet të lëvizë nga e kaluara e tij, të heqë dorë nga shqetësimet e së shkuarës, veçanërisht nga gjërat që nuk i kontrollon.

Pra, në çdo kulturë ky zog bart një kuptim të mirë, që tregon se është një hajmali e mbarë në çdo kohë.

                                                                                         Botuar në BORDO maj 2022

 

Tags:

Home Art

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF