Intervistë/ Persida Shkrepa; mes talentit dhe sipërmarrjes!

Nga : Olsi Kolami

Themeluesja e APPA Architects rrëfen për projektet e saj nga komplekset e banimit tek vilat unike të Vunoit, si dhe butikët prestigjiozë që i besuan asaj dizajnin e tyre
Jam befasuar nga arkitektura dhe interiori juaj, nga minimalizmi tek stili mesdhetar, nga stili i rafinuar, luksoz deri tek rustika, po ju çfarë ju identifikon?

Është arritje e madhe që pasioni të perceptohet nga jashtë, jam krenare për këtë rrugëtim. Çdo projekt është unik, krijim i personalizuar, ka identitet, konceptim i parë nga sytë e arkitektit për komoditetin dhe jetesën e mirë të klientit. Projektet tona janë aq sa të ndryshme në stil dhe dizajn, aq edhe të ngjashme, sepse elementet bazë si simetria, analiza e kontekstit të zhvillimit të projektit, janë emërues i përbashkët në çdo projekt të ri që ne fillojmë të konceptojmë. Shpesh herë me kolegët e studios kemi këndvështrime të ndryshme, por jemi besnikë mbi rregullin bazë të studios; klienti duhet të jetë i lumtur mes propozimeve tona dhe pritshmërive të tij. Mua personalisht si arkitekte, më karakterizon stili nordik, minimalizmi, por bashkëpunimi me grupin e projektimit, ku secili prej tyre ka ngjyra të ndryshme në projektim, i bëjnë projektet tona unike.

Keni punuar me shtëpi të vjetra në Vuno, masivëve të gurtë u keni dhënë një lloj elegance, elasticiteti, vetrata me ngjyra të pazakonta, si ka qenë kjo eksperiencë?

Vunoi është magjik. Në fshatin më të bukur dhe piktoresk të jugut, në fshatin ku në çdo gur gjen histori, ndjen aristokracinë dhe lexon emrat e intelektualëve të parë shqiptarë, frymëzimi është në infinit. Eksperienca e projektimit në Vuno, ka nisur në vitin 2018, ku kemi projektuar vilën e parë që sot njihet nga të gjithë si një ndër vilat më të spikatura në fshat. Kjo vilë është projekti që më së shumti më ka shenjuar si arkitekte, pasi ka shtruar gurët e parë të karrierës time. Vazhdon të mbetet projekti im i preferuar dhe me të cilin krenohem. Vila duhet të ishte patjetër në harmoni me filozofinë e identitetin e ndërtimit të Vunoit, por duhej të vinte më e freskët dhe të dallonte se ishte ndërtuar dhe projektuar në shekullim e 21-të. Një vilë për t’u dashuruar me shikim të parë dhe jetesë komode sipas konceptit modern.

Sa e vështirë është të ruash origjinalitetin me objektet, por edhe t’i japësh një frymë tjetër? 

Prandaj duhet zgjedhur arkitekti i duhur… (qesh) Në fakt nuk është aspak e vështirë nëse ke respekt për veprën që do të trajtosh. Një projekt i mirë, nis gjithmonë me analizë dhe studim. Analiza e historisë, tipologjisë, studimi i infrastrukturës, kushtet e projektimit. Nëse i ndjek hap pas hapi të gjitha proceset, puna jonë rrjedh natyrshëm. Kërkon shumë kujdes që materialet dhe ndërhyrja me të tashmen, mos ta kalojë masën por të ecë paralelisht me të shkuarën.


Po ashtu në Vuno, një vilë që më befasoi ishte ajo me tarracën me guralecë, shoh që jeni e apasionuar pas arkitekturës landscape, sa e mundur është ajo në Shqipëri?

Projektimi i vilës minimaliste, ishte sfidë sepse dilte nga konteksti dhe tipologjia e ndërtimeve në Vuno. Materiali i suvasë së imët të përdorur në fasadë, dritaret gjatësore në muret vertikale dhe në ato horizontale në tavanë, ndryshojnë nga kompleksi i vilave ku shtrihet, por njëkohësisht shkrihet natyrshëm dhe bukur në atë pamje të mrekullueshme. Duke respektuar idetë dhe kërkesat e vetë klientit arritëm të kishim një rezultat mbresëlënës. Landscape design, është një fushë shumë e gjerë projektimi. Ne përpiqemi që çdo objekt në zhvillim ta projektojmë me landscape, duke respektuar dhe ndërthurur elementet natyrorë me funksionalitetin dhe jetesën e mirë.

Stili në San Pietro Residences është minimalist, i gërshetuar në interior me drurin jo tërësisht të përpunuar, por edhe me elemente industriale të betonit, pse kjo zgjedhje?

San Pietro Residences zë pjesën më të madhe të projekteve që kemi realizuar dhe kemi në zhvillim. Stili minimalist dhe filozofia e ndërtimit të këtij kompleksi na ka frymëzuar që ta ndërthurim edhe në interior. Në rezidenca të këtij stili, protagonistët e vërtetë janë vendndodhja, deti, natyra dhe jetesa komode. Detyra jonë është që dhe ambientin më të ftohtë në dukje ta sjellim bukur dhe funksionalisht perfekt për t’ju përgjigjur kërkesave komplekse të pronarëve të këtyre vilave. Përdorimi i materialeve të reja si mikrocement na krijon mundësinë, që ngjyrën gri të gurëve të fasadës, ta përkthejmë në çimenton gri si element të interiorit duke e gërshetuar me ambientin përreth. Edhe arkitektura, materialet dhe kërkesat në vitet e fundit avancojnë me një shpejtësi marramendëse dhe na japin mundësi të realizojmë punë të jashtëzakonshme që deri para disa vitesh ishin thuajse të paprekshme për Shqipërinë.


Dritare të mëdha, është një pikë e fortë, qëllimi për ju është drita natyrale, apo ka diçka tjetër?

Personalisht i dua shumë vetratat e mëdha në mure dhe shpesh herë i përdor edhe si element në tavane, mendoj se janë lidhja perfekte që arkitekti ka me natyrën. Ndriçimi natyral dhe jeta që përçohet duke realizuar vetrata të mëdha, krijon mundësinë që natyra të bëhet pjesë e hapësirës së brendshme duke jetuar në harmoni.


Në portofolin tuaj keni një numër dyqanesh prestigjioze në kryeqytet, sa e vështirë është të punosh me kompani që duan të ruajnë identitetin, frymën e tyre?

Të jem e sinqertë ka qene një hap i madh për mua dhe studion time. Vetëm vitet e fundit i është dhënë rëndësi projektimit të dyqaneve, ka qenë një sfidë e madhe pasi nuk konceptoheshin si një hapësirë multi-funksionale dhe komode me target shitje më të lehte të produktit. Know-how dhe eksperienca e markave të mëdha ndërkombëtare vendosi një tjetër standart, sidomos dyqanet e firmave prestigjioze italiane. Përveçse mjeshtër të modës, projektimi perfekt në detaje që nga ndarjet deri tek ndriçimi, i bëjnë të jenë numër një në botë. Sikronizimi midis dy grupeve të projektimit jo gjithmonë është i thjeshtë pasi duhet të jetë në harmoni të plotë nga ana teknike dhe dizajn. Por eksperienca jonë e gjerë në këtë fushë, tashmë e bën shumë të lehtë çdo bashkëpunim të ri.


Cili është projekti që ju bën më shumë krenare me punën tuaj?

Çdo projekt mbart frymën, energjinë dhe dashurinë e madhe që ne i japim, por për mua projekti më i dashur mbetet vila e parë në Vuno, me grilat e drurit ngjyrë turquoise. Vazhdon të mbetet pasaporta më e mirë imja dhe e studios pa dyshim.

Cilat janë projektet tuaja të ardhshme dhe ku janë të fokusuara?

Sektori i ndërtimit në Shqipëri ka bërë hapa gjigande dhe qasja e klientit ndaj teknologjisë, materialeve inteligjente dhe jetesës së mirë na bën ne arkitektëve dhe studiove të projektimit një zgjedhje të domosdoshme. Nga projektimi deri tek realizimi është një punë e gjatë dhe jo pak herë e lodhshme. Projektet tona si pikë e fortë me të cilat vijojmë rrugëtimin tonë, janë kryesisht vila dhe rezidenca në komplekset më luksoze në Tiranë, Lalëz dhe Jug i cili është në boom ndërtimesh.

 

easy dinner ideas
Previous ArticleNext Article