KreuBordo Men

Arbër Çepani: “Fama më ka ndihmuar për të ngritur biznesin tim, por nuk është gjithçka”

Kryeqyteti është i tejmbushur me kafene, por në rrugën “Fatmir Haxhiu”, shumë pranë Piramidës, disa karrige të nxjerra jashtë, si në oborrin e një shtëpie të vjetër tironse, vazo me lule në parvazin e dritares, shumë pranë së cilës shkruhet me një shkrim dore “Komiteti”, është një portë hyrëse që të fton pas në kohë, në periudhën e diktaturës komuniste. Ndonëse, nga ajo kohë shqiptarët kanë jo shumë kujtime të mira, Arbër Çepani, ka ditur të sjellë copëza të vogla prej saj, në një formë që ngjall shumë kureshtje dhe mjaft tërheqëse, në një kafene-muze. Arbri fitoi simpatinë e publikut shqiptar pas fitores së Big Brother 1, ku një pjesë të të ardhurave e dhuroi për bamirësi. Si një djalë i zgjuar, me ambicie, por edhe shumë punëtor, famën që fitoi, e përdori si katalizator për të arritur disa qëllime të tjera në jetë, që ia kishte vendosur vetes.

Faleminderit Arbër që pranove këtë intervistë për BORDO. Si po ju shkojnë punët aktualisht?

Faleminderit juve për interesimin, është kënaqësi të ndaj mendimet me një revistë prestigjoze si BORDO. Punët them se po lëvizin dhe kjo është e rëndësishme sepse për aq kohë sa ka mobilitet, ka progres.

Ju njohim si Arbri fitues i Big Brother 1, si Arbri i mëngjeseve, por edhe si Arbri i “Komitetit”, ju si e shihni më shumë veten?

Është vështirë edhe për mua t‘i ndaj… sepse çdo gjë që marr përsipër mundohem ta bëj me pasion dhe përkushtim, por mendoj se bota e sipërmarrjes është ajo që më tërheq më shumë dhe si rrjedhojë më pëlqen më shumë kur e lidhin emrin tim me produktin që unë kam ofruar në treg.

Me gjithë këto impenjime, si ja dilni që të jepni maksimumin tek të gjitha?

Pasion, pasion dhe vetëm pasion, miksuar me shumë punë dhe disiplinë për të arritur standartet që i vendos vetes. Nëse diçka nuk e bën me pasion, me dashuri, me qejf, lodhesh shumë shpejt dhe rendimenti në punë dhe rezultati është mediokër.

Si lindi ideja e hapjes së bar “Komitetit”?

Lindi nga pasioni për të mbrojtur dhe promovuar pasurinë e larmishme kulturore shqiptare. Koleksionoja çdo gjë që ishte prodhuar ose përdorur në Shqipëri, që prej shek. XIX e deri në vitet 1990; dhe nuk shisja asgjë nga këto objekte. Hapja e një kafe muzeumi ishte një mënyrë që të riktheja mbrapsht investimin pa qenë nevoja për të bërë tregti me to, por duke i ekspozuar, që shijimi i një kafeje apo rakie të të zhyste në histori.
Komiteti tashmë ka dhe një degë të tijën në pazarin e vjetër të Korçës, përse pikërisht Korça?
Korça është një destinacion i shkëlqyer jo vetëm për turizëm por edhe për biznes. Është i vetmi qytet në Shqipëri ku ka lëvizje 12 muaj të vitit dhe ku e gjithë administrata lokale dhe banorët e qytetit ndihmojnë ata që kanë guximin të investojnë në atë që ne e quajmë “Parisi i vogël”. Ishte zgjedhja më e përkryer që ta fillonim zgjerimin nga Korça, sepse në muajt në vijim do të vazhdojmë “ekspansionin tonë” edhe në pika të tjera të Shqipërisë.

Kemi parë shpesh shkrime për “Komitetin” në mediat e huaja, që ua referojnë audiencës së tyre ta vizitojnë, si ndiheni kur i lexoni ato?

Për ne është vlerësim i jashtëzakonshëm që kanë shkruar për Komitetin nga “New York Times” tek britanikja “The Independent”, apo nga italiania “Corriere della Sera” tek gjigandi i fashion-it “Vogue”. Është një vlerësim i jashtëzakonshëm që na jep kurajo për të ëndërruar akoma edhe më shumë. Fatkeqësisht ne shqiptarët kemi më shumë tendencën të pengojmë njëri tjetrin sesa ta ndihmojmë….Duhet të vijnë shpesh herë të huajt të të japin kurajo për vazhduar akoma edhe me fort përpara.

Arbër, sa e keni “shfrytëzuar” famën tuaj për të mirën e biznesit?

Fama të ndihmon vetëm në startim njohjeje të biznesit, por ajo çka është më e rëndësishme më pas është cilësia e shërbimit dhe e produktit që ofron në treg. Nëse nuk e ke këtë të dytën as që të hyn në punë fama për një vazhdimësi të biznesit.

A mendon se do të kishe të njëjtin sukses nëse nuk do ishe një personazh publik?

Do e kisha pak më të vështirë për promovimin fillestar vetëm, por nuk shoh pengesa më afatgjata sepse sikurse thashë edhe më sipër nëse ofron diçka cilësore në treg pak rëndësi ka nëse ai që është mbrapa është i famshëm ose jo.

A ka pasur ndonjëherë rast që ke dashur të hiqje dorë nga njëra ose nga tjetra, të jesh ndjerë shumë i lodhur?

Ndihem shpesh shumë i lodhur për të qenë i sinqertë…fundja njerëz jemi…Por pastaj në mbrëmje para se të fle lexoj histori dhe biografi super njerëzish si Elon Musk apo Richard Branson dhe e shkund veten duke thënë para pasqyrës: “Çohu dhe lëre lodhjen”, s’ke bëre akoma as 10% të asaj ç’ka kanë bërë ata”.

Nëse do të duhej të zgjidhje mes biznesit dhe botës së TV, cilën do të zgjidhje?
Biznesin! Sipërmarrja më ofron të njëjtën andrenalinë që mund të ndjejë Cristiano Ronaldo kur luan futboll në fushën e blertë.

Së fundmi ke filluar edhe një kurs për sommelier, që edhe ajo kërkon kohën e saj…a ka kohë Arbri për një jetë personale, sepse duket sikur ajo ka kaluar në plan të dytë tashmë për ty?

Kisha kohë që doja të “certifikoja“ dashurinë time për verën dhe distilatet dhe më në fund mu ofrua kjo mundësi nga Organizata Shqiptare e Sommelierisë. Sa i përket jetës private…ka kohë boll për të….Ky është 10 vjeçari më produktiv që njeriu duhet të shfrytëzojë për të ofruar maksimumin.

Cilat janë planet e tua për të ardhmen e afërt? Çfarë duhet të presim nga Arbri?
“E ardhmja u përket atyre që besojnë në bukurinë e ëndrrave të tyre“ thoshte Eleanor Roosevelt. Nga e ardhmja mund të presësh gjithçka por ajo ç‘ka është e rëndëishme, është që të vazhdosh akoma të ëndërrosh dhe të punosh derisa sa ëndrrat t‘i nxjerrësh nga sirtari!

 

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF