KreuArt

Anxhelina, mami chic i Damian!

Prej disa muajsh ‘feed-i’ i saj në instagram ka marrë formë e ngjyra të tjera, madje edhe përjetimet aty janë shumë më ndryshe që kur kryefjala e ditënetëve të Anxhelinës është i biri Damian. Blogu i Anxhelina Kotorrit fare natyrshëm u kthye në një blog familjar, ku përpos posteve të modës apo bashkëpunimeve me brande të ndryshme, ajo ka ndarë edhe gjatë shtatzënisë vështirësitë, përkujdesin dhe çdo vizitë mjekësore duke u krijuar në këtë mënyrë korniza e bukur “Baby Damian”.

Si blogere Anxhelina është mësuar të flasë shpesh për modën, stilin apo lifestyle, por kësaj here në edicionin special të Revista Bordo kushtuar tërësisht fëmijëve, blogerja e njohur e rrjeteve sociale pranoi me shumë dëshirë të ndante me ne përjetimet e bukura por dhe sfiduese të të qenit nënë për herë të parë. Më çiltërsinë që i ngjan asaj të Damianit në rrëfimin e saj si mami Anxhelina pranon se jo gjithmonë është e lehtë të menaxhosh mirë një post gjithë ngjyra e stil në instagram ndërsa një natë më parë i është dashur të presë agimin zgjuar për shkak të grindjeve të të voglit. Ama ata që e ndjekin ja njohin mirë dëshirën për të qenë gjithmonë pozitive dhe optimiste dhe nëse do të kërkoni për ankesa të tipit se sa e lodhshme është të rrisësh një fëmijë duket se në profilin  e saj nuk do ta gjeni asnjëherë. Të qenit influencer ndonëse në rastin e Anxhelinës në modë, shpesh derivohet nga ndjekësit edhe në mëmësi, duke kërkuar këshilla rreth rritjes së fëmijëve! Ajo çfarë ka zgjedhur të bëjë mami i Damian është që  t’i vërë një ‘stop’ kërkesave të tilla.

“Më shumë se këshilla ndaj pak përvojë nga mëmësia dhe përditshmëria ime me djalin. Ama janë disa këshilla që ndonjëherë ndjekësit kërkojnë, që nuk janë të fushës time, nuk jam eksperte në këtë fushë atëherë s’marr përsipër dhe i kam vendosur stop disa kërkesave apo pyetjeve të tilla”; tregon e vendosur Anxhelina.

I biri erdhi ne jetën e çiftit Anxhelina-Kristi në një kohë kur marrëdhënia e tyre i kishte kaluar të gjitha ‘testet’ për t’u quajtur mjaftueshëm e fortë ndaj duket se ishte momenti perfekt që ata të merrnin epitetet e ëmbla; mami dhe babi. Si çdo nënë e re edhe blogerja e njohur kishte lexuar dhe marrë mjaft informacione se cili do të qe stili i duhur i prindërimit, dhe ashtu siç ndodh shpesh kur Damian erdhi në jetë, bashkë me të lindi edhe një mami Anxhelina e cila u përball me realitetin që ndonjëherë ishte shumë ndryshe nga ai i librave që kishte lexuar.

“Stili i prindërimit vjen natyrshëm, thjesht e gjen veten duke bërë më të mirën tënde për bebushin.  Mendoj se jam duke e bërë shumë mirë, dhe pse asnjëherë s’do mjaftohemi. Çdo kush kërkon më të mirën, ama sinqerisht mendoj se po bëj më të mirën time. Po e them pra, unë jam një mami e mirë. (Qesh) Nuk ka mami jo të mirë në këtë botë, jemi të gjitha të mira në mënyrën tonë.”; shpjegon më tej mami i Damian e cila duket se ka bërë paqe me dilemat që shumë nëna kanë nëse janë mjaftueshëm të mira apo jo.

“Nënat janë filozofet më instinktive”; perifrazon mëmësinë autorja e njohur Harriet Beecher Stowe çka i shkon më së miri edhe stilit të prindërimit që bukuroshja Kotorri ka zgjedhur duke ja besuar vetëm instinktit të saj.

Sa i përket ‘sfidës’ së hapur që ndodh mes prindërve se kujt i ngjan fëmija, duket se mami Anxhelina për momentin e ka humbur pasi Damian duket një kopje e vogël e të atit.
Ndërsa për Anxhelinën si influencer mode përditshmeria kalon mes postesh me ngjyra trendesh, udhëtimesh pune e bashkëpunime markash, në folezën e vogël brenda dyerve të shtëpisë, çapkënia dhe simpatikja e instagramit shijon ‘kontratën’ më të çmuar që ka firmosur ndonjëherë, atë të të qenit mami i Damian….

Nga: Nada Biraçi
Fotografia: Erjon Beshiri 
Botuar ne BORDO, qershor 2022

Tags:

Home Art

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF