KreuArt

Emilio Pucci/ Bordo sjell një profil të stilistit Italian, markezit të elegancës dhe feminitetit!

Emilio Pucci
Stilisti aristokrat

Plot 75 vite nga krijimi i markës që gdhendi cilësinë “Made In Italy” Bordo sjell një profil të stilistit Italian, markezit të elegancës dhe feminitetit

Njëherë e një kohë, në fund të dekadës së parë të shekullit të 21-të, në një pallat madhështor të shekullit të 15-të në Firence, pak metra nga Piazza del Duomo në zemër të qytetit u mbajt një festë kaq elegante. Të ftuarit erdhën nga Anglia, Shtetet e Bashkuara, Australia, Italia, Franca, Greqia dhe Rusia. Ishin mbi gjashtëdhjetë të ftuar specialë: gratë ishin veshur me fustane të gjatë dhe xhaketa pellushi, ndërsa burrat me smoking. Teksa qëndronin në oborrin elegant të ndërtesës madhështore prej guri, mes bustesh prej mermeri, nga tarraca u lëshuan qindra balona shumëngjyrëshe si flluska gjigante shampanje që notojnë drejt qiellit. “Ishte një natë magjike,” kujton manjatja e komunikimit Karla Otto, e cila ndihmoi në organizimin e ngjarjes.

Atë natë superylli i pop-it Kylie Minogue, ishte veshur me një mini-fustan me temina, Delphine Arnault kishte zgjedhur një fustan prej ​​mëndafshi me ngyra ylberi, ndërsa aktorja Elizabeth Hurley thesksonte linjat me një korse chifoni. Ishte një natë magjike, ku e kaluara shkrihej me të tashmen dhe e tashmja ngatërrohej me të ardhmen. Të gjithë ishin të relaksuar së bashku duke pirë një gotë së bashku. Nuk mungonte asnjë, sepse ishte një festë e jashtëzakonshme, celebrohej 60-vjetori i një marke mode. Ishte fundi i shekullit të 20-të dhe përvjetorët e modës ishin kthyer në një tendencë, sidomos kur flitej për Emilio Pucci.

Stilisti Emilio Pucci ka qenë gjithmonë, dhe është identifikuar ende sot, më shumë sesa për krijimet e tij, një dimension të pazakontë që solli në botën e modës. Kur flitet për Emilion si burrë: markezi nga Barsento, ishte një figurë e jashtëzakonshme dhe karizmatike – një sportist, aventurier, shijues i të bukurës. Ai kishte vizionin për të parë të ardhmen përtej normave shoqërore, duke e zbatuar vizion e tij në krijimin e veshjeve dhe aksesorëve super të rafinuar. Eksperienca e tij nisi në vitin 1949 me një kuti bizhuterish në një dyqan në ishullin Capri, vendpushim i të pasurve dhe të famshëmve.

Familja Pucci ishte një mbiemër i lidhur në historinë e fisnikërisë fiorentine: ata kanë një Palazzo (pallat madhështor) dhe një rrugë me emrin Via dei’ Pucci, e cila e ka prejardhjen nga Lorenzo de Medici dhe Katerina e Madhe. Shtëpia stërgjyshore i quajtur Pallati i Rilindjes u ndërtuar nga familja Pucci, është ende e mbushur me afreske, buste dhe filigranë. Ishte pikërisht Palazzo ai që i dha Emilios një burim të pafund frymëzimi si dhe u kthyen në selinë e biznesit të tij. Që këtu nisi një evolucionin, i cili filloi si një kompani familjare me një dyqan bizhuterish në ishullin turistik dhe kulmoi me mbi 54 butiqe në mbarë botën, nga Bangkoku në Bahrein, Moska në Milano si dhe 250 degë të tjera, shumica në pronësi nga Moet Hennessy-Louis Vuitton, grupi më i madh i luksit në botë.

“Moderniteti, stili dhe lumturia ishin filozofia e Pucci. Kur po prezantonte koleksionin e tij në Rusi në vitit 1957, ai shpalosi 197 ngjyra në pasarelë, ku secila kishte paletën e saj. I thashë: Emilio ka shumë ngjyra! Ai më tha: çdo printim ka personalitetin e vet” – kujton në një rrëfim Carla Sozzani, ish kryeredaktore e revistës Elle.

Ajo që spikati nga fillimi deri në ditët e sotme, ishte fakti se ishte një markë e cila u lidh fort me emrin e një personi të vetëm Emilio Pucci, i cili ishte në gjendje të jetonte dhe krijonte me një identitet unik. Ajo që konsiderohet inovacion tek Pucci nuk ishte vetëm marka e parë e vërtetë italiane e veshjeve të gatshme, por edhe një nga të parët që mbajti një logo, e cila u diversifikua në fushën e dizajnit nga interior dizajni tek veshjet sportive, duke shfrytëzuar teknologjinë për të krijuar pëlhura që mund të përshtaten nga një fustan tek një çantë dore. “Coco Chanel ishte e vetmja që u tregua gjithmonë e mirë me mua. Kur krijova skuterin tim e pyeta dhe këshilla e saj ishte kaq e paimagjinueshme. Më sugjeroi që ta dërgoja në Gjermani dhe ashtu bëra, ata e kopjuan. Ishte momenti kur ideja ime për të krijuar rroba më lodhi dhe po mendoja të bëhesha shpikës”- kujton Emilio Pucci,

Sot ai është pjesë e “ëndrrës italiane, për të jetuar si italianët” duke e kthyer në filozofi sloganin “Made in Italy”, një sinonim i përsosmërisë dhe cilësisë. Magjia e stilit të Pucci-t është e rrënjosur në pikëpamjet e e tij pakompromis mbi elegancën dhe feminitetin. Ai ishte minimalist përpara se minimalizmi të futej ende në fjalor; ai krijoi një jet-seter përpara se të fluturonin avionët; ishte një shkencëtar përpara se teknologjia e rrobave të kthehej në disiplinë; sepse ai ishte provokues në modernitetin dhe guximin e tij sartoral. Për të, printimet ishin ritëm dhe lëvizje, aty ai shprehte një mesazh lumturie ngjitëse. E shijonte bukurinë në çdo formë; përmes të qeshurës, natyrës dhe rinisë! Ai arriti të krijonte një ndjeshmëri të veçantë mes madhështisë së produkteve napolitane të trashëguar nga e ëma, ndërsa nga i ati ekstravagancën ruse.

Por mbi të gjitha kur përmendet emri i tij, fokusi ka qenë fakti se duke u bazuar në një ide, e cila kishte të bënte me mënyrën sesi visheshin gratë, ai arriti të bënte botën të funksiononte ndryshe. “Liria dhe joshja, ishin fiolozofia e krijimeve të tij nga veshjet deri tek aksesorët” – thotë stilisti Stephan Janson, i cili punoi si dizajner për Pucci në 1998, pasi themeluesi kishte vdekur. E bija, e stilitit Laudomia Pucci tregon se është në traditën italiane që fëmijët t’i bashkohen biznesit familjar. “Edhe pse nuk kisha studiuar për stiliste, pak para diplomimit, e gjeta veten të gëlltitur nga “stili Italian” duke punuar në krah të babait tim. Në 25 vjet kam qenë e fokusuar në misionin për të çuar përpara trashëgiminë që la im atë. Falë mësimeve të tij, si dhe ndihmës së vlefshme nga LVMH dhe vetë Bernard Arnault: ne kemi qenë në gjendje ta mbajmë gjallë markën në shekullin e 21-të madje edhe ta rikrijojmë atë nëpër kontinente” – shprehet Laudomia Pucci.

Plot 75 vite nga krijimi i markës e cila identifikohet gjithmonë me Emilio Pucci, sot ajo konsiderohet një histori brezash që po vazhdon të evoluojë. E ardhmja është e sigurt, sepse trashëgimia që ai la pas nuk ka asnjë kufi për imagjinatën. Shpesh dizajnet e dikurshme të stilistit rikthehen në pasarela, here origjinale, por edhe të ripunuara duke ruajtur origjinalitetin e krijimeve që mbajnë firmën e markezit të modës Emilio Pucci.

Botuar ne BORDO, qershor 2022

Tags:

Home Art

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF