Sallata me oriz, pjata ideale për Verën, ja disa receta!

Sallata me oriz është pjata e ftohtë ideale për sezonin e Verës. Këtë numër revista Bordo ju sjell disa nga recetat më të mira, por edhe disa sekrete për të pasur një sallatë perfekte orizi. Sallata me oriz është një pjatë shumë e thjeshtë e përbërë nga orizi i bardhë i pasuruar me përbërës të ftohtë. Lind pyetja, cilin oriz duhet të përdorim për këtë sallatë? Përgjigjia: çdo lloj orizi. Ky drith kaq kaq i lashtë dhe i shijshëm ka veti të jashtëzakonshme. Para se ta zieni, kalojeni në ujë të ftohtë, kullojeni mirë dhe lëreni të thahet.

Një prej orizëve specialë është i kafti, të cilit i është hequr vetëm lëvozhga dhe i është lënë pjesa e brendshme e tij me ngjyrë kafe, e cila e bën atë shumë më të ushqyeshëm se orizi i bardhë për vitamina dhe fibra bimore. Orizi këshillohet të konsumohet 2-3 herë në javë, duke alternuar orizin e kaftë me atë të bardhë.

Por çfarë përbërësish duhet të zgjedhim për sallatën e orizit, që shkojnë në shije dhe kanë vlera ushqyese. Disa prej tyre janë: kaperi, ullinjtë, toni, veza e zier fort, djathërat, perimet nga ato të freskëta tek turshitë. Vaji ekstra i virgjër i ullirit duhet të jetë i mjaftueshëm për të veshur sallatën e orizit dhe të gjithë përbërësit e tjerë. Disave u pëlqen të shtojnë majonezë, por kujdes shtojeni vetëm në momentin e fundit. Interesante e bëjnë edhe produktet e detit nga krudot deri tek të skuqurat, si: karkalecat, salmoni, oktapodi i zier dhe molusqet e skuqura më parë.

Sallatë me oriz në pjepër

Përbërësit; 400 gr oriz, 1 pjepër, 250 gr proshutë, 250 gr djathë pikant, mente, vaj ulliri ekstra i virgjër, kripë, piper.

Përgatitja: Hedhim ujë në një tenxhere, shtojmë kripë dhe ziejmë orizin sipas kohës së treguar në paketim. E kullojmë, e ftohim në ujë dhe e vendosim që të thahet. Priteni pjeprin në gjysmë dhe heqim farat me një lugë. Marrim tulin nga gjysma e pjeprit, e vendosim në një tas dhe pjesën e mbetur e përdorim si shërbyes. Lani dhe thajini gjethet e mentes. Fetat e pjeprit i presim në kubikë. Presim fetat e proshutës dhe djathit në shirita. Shtojmë të gjithë përbërësit e përgatitur në pjepër, i përziejmë me orizin. E spërkasim me 4 lugë vaj, shtojmë piper, kripë dhe i përziejmë butësisht përbërësit. Sipër e dekorojmë me disa gjethe mente dhe e vendosim për 10 minuta në frigorifer para se ta shërbeni.

Sallatë me oriz dhe avokado 

Përbërësit: 250 gr oriz basmati, 40 gr domate gjysmë e thatë, 1 avokado, 1 limon, 2 qepe të kuqe, 2 tufa lakra, vaj ulliri ekstra të virgjër, kripë, piper

Përgatitja: Lani orizin basmati me ujë të rrjedhshëm, e hedhim në një tenxhere, shtojmë ujë të ftohtë deri në një gisht sipër masës dhe e ziejmë në zjarr të fortë. Ulim zjarrin, shtojmë kripë dhe e mbulojmë me një kapak të mbështjellë me një peshqir për të parandaluar avullimin. E ziejmë për 10 minuta, e hiqim tenxheren nga zjarri dhe e lëmë të pushojë për 5 minuta. E trazojmë orizin e zier me një pirun, e derdhim në një tas dhe rregullojmë me 4 lugë vaj ulliri ekstra të virgjër. E lemë të ftohet dhe shtojmë 40 gr domate qershi gjysmë të thara të kulluara nga vaji i konservimit, 2 qepë të prera dhe lëngun e 1/2 limoni. Qërojmë avokadon e pjekur, heqim bërthamën dhe e presim në kubikë. E spërkatim me lëngun e mbetur të limonit dhe e përziejmë me orizin. I rregullojmë me kripë dhe piper dhe e dekorojmë me gjethe lakrash.

Sallatë orizi me fruta tropikale dhe piper rozë

Përbërësit: 120 gr oriz kaf, 1/2  avokado, 1/2 mango, 1/2 lime, një lugë çaji piper rozë, vaj ulliri ekstra të virgjër dhe kripë.

Përgatitja: Zieni orizin sipas udhëzimeve në paketim, maksimumi 14 minuta në tenxhere me presion. Ndërkohë pasi të ziejmë orizin e kalojmë në ujë të rrjedhshëm, e ftohim dhe e lëmë të thahet. Shtojmë pak piper rozë, vaj ulliri ekstra të virgjër dhe e përziejmë. Në një tas hedhim pak vaj ulliri, grijmë lëkurën e më pas shtojmë lëngun e gjysmë lime, pak kripë dhe pak piper rozë, e më pas e përziejmë me pirun. Qërojmë mangon dhe avokadon, i presim në kubikë dhe i vendosni në një tas. Përbërësit i bashkojmë me orizin dhe i përziejmë ngadalë, pastaj shtojmë salcën me piper rozë.

 

easy dinner ideas
Previous ArticleNext Article