KreuArt

Villa Gjeçaj, në zemër të alpeve shqiptare!

Nga: Anita Aliaj

Thethi është padyshim një nga bukuritë e rralla të vendit tonë. Një nga ato destinacione që të lë pa frymë, dhe impresionohesh nga gjithçka sheh.. Një atraksion turistik që mund ta vizitosh sa herë të jepet mundësia dhe asnjëherë mos të të mërzitet. Veç bukurisë fantastike që Thethi mbart, aty do të gjeni edhe komoditetin e bujtinave, të cilat kanë gjithmonë dyert hapur për të mirëpritur turistë vendas dhe të huaj. Në mesin e tyre spikat Villa Gjeçaj, nga e cila do të mbeteni të kënaqur me shumëçka ofron.. E zonja e shtëpisë Aida Gjeçaj ndan detaje të vyera për të gjithë pushuesit, teksa zbulon se çelësi i suksesit i vilës së tyre është komunikimi dhe përgjigjja ndaj kërkesave të personalizuara të turistëve..

Për të gjithë ata që nuk e dinë, prej sa kohësh Villa Gjeçaj ka hapur dyert për turistët?

Villa Gjeçaj ka hapur dyert për turistët e huaj prej vitit 2008, me një shtëpi modeste karakteristike fshati, por me plot përkushtim për t’ju ofruar atyre mikpritjen shqiptare me ‘bukë e zemër’, produkte shtëpie nga kopshti e gatime tipike të zonës.

Çfarë e bën të veçantë bujtinën tuaj?

Ndër vite familja ka investuar duke e kthyer atë në kullën më karakteristike në veri për nga ana arkitekturore, me tre kate ndërtim me gurë, frëngji e çati me dërrasa, në respektim me traditat e ambientin. Gjithashtu e veçanta tjetër që e ka diferencuar dhe i ka dhënë një emër të mirë, që shkon paralel me emrin e Thethit, është kuzhina e ofruar në Villa Gjeçaj dhe komforti në akomodim.

Cilat janë ushqimet që zgjidhni për ata që vijnë në shtëpinë tuaj? 

Synimi ynë ka qenë e vazhdon të mbetet ofrimi i produkteve sa më organike e lokale. Veriu nuk ka një menu të shumëllojshme sikurse jugu, por le të themi që mishi dhe bulmeti janë ato produkte që nuk mungojnë kurrë. Gatimet e gatuara në furrë druri, mishi e maza, kacimaku, janë baza e kuzhinës sonë edhe pas rikthimit pas tre viteve shkëputjeje për shkak të pandemisë.

Po vendet që ju sugjeroni pushuesve të vizitojnë në Theth, cilat janë?

Thethi ka disa destinacione ikonike që nuk mund të ikësh pa i parë, siç janë Kisha dhe Kulla e Ngujimit, si dhe Ujëvara dhe Syri i Kaltër. Por edhe për ata që rikthehen dhe janë të apasionuar pas ecjeve dhe ngjitjeve ka disa variante. Thethi, si zemra e Alpeve, lidhet me të gjitha luginat e tjera të alpeve siç janë ajo e Lëpushës, Vuthajve në Mal të Zi, dhe Valbonën.

A keni ju një çelës suksesi? Nëse po, a mund ta ndani me ne?

Mbase çelësi i suksesit i vilës sonë është komunikimi dhe përgjigjja ndaj kërkesave të personalizuara. Është një nder për vendin tonë që shumica e turistëve që vizitojnë Shqipërinë duan të bëjnë një ndalesë në alpe para se të vazhdojnë drejt bregdetit. Familja jonë shquhet për përkushtimin dhe investimin e krijimit të një emri të mirë në këtë sektor.

Pse turistët duhet të vizitojnë Thethin edhe gjatë verës?

Vera është e rëndësishme të kalohet edhe në alpe, pasi ecjet ndërmalore nga masa kryhen gjatë muajve të thatë. Ndërkohë ecjet malore në dëborë kërkojnë hikers profesionistë e jo çdo turist mund t’i bëjë ato.

A ka diçka që pushuesit duhet ta dinë para se të nisen drejt këtij destinacioni?

✓ Tashmë Thethi ka një rrugë të asfaltuar dhe të gjithë mund të arrijnë aty me makina normale në çdo kohë. Mbajtja hapur e rrugës edhe në dimër do ta zgjasë sezonin përgjatë kësaj stine.

✓ Karburanti më i afërt është 70 km larg. Nuk ka ATM, por ka bujtina që punojnë me kartë krediti apo Paypal.

✓ Pushuesit duhet të kenë parasysh që të mos vijnë kurrë pa prenotuar, pasi ose nuk do të gjejnë diçka brenda pritshmërive ose nuk do të gjejnë akomodim.

✓ Gjithashtu do t’ju rekomandoja të mos synojnë të vijnë të gjithë (shqiptarët) në korrik e gusht kur Thethi ka kërkesë të madhe, çmimet rriten dhe nuk ka mjaftueshëm restorante për të përballuar fluksin e turistëve ditorë. Them turistëve shqiptarë pasi ata mund të shfrytëzojnë çdo muaj të vitit, sidomos maj-qershor e shtator-tetor që janë muaj perfekt për nga klima për t’u vizituar.

Tags:

Home Art

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF