KreuArt

Përgjithmonë Sofia!

Sytë e saj të bukur kafe të vendosura në një fytyrë të mrekullueshme volpine, pothuajse satanike, ndërsa lëkura e saj është skalitur me çokollatë që bota të mund ta përpijë.

Pasditja e nxehtë fashitet si me magji, sapo kalon pragun e vilës zhytur në gjelbërim ku banon aktorja Sofia Loren. Pas dyerve të rënda prej druri ecim përgjatë një korridori të freskët me rifinitura ngjyrë ari dhe bordo për të dalë në ajrin e freskët të kopshtit. Të sheh syri gjithfarë objektesh që janë sjellë nga vila Marino në Romë: tapiceria, karriget e veshura me fije ari, një kanape e kuqe prej pellushi, tavolina antike të mbushura me korniza fotografish, Carlo, Sofia dhe dy djemtë, një më e madhe, me një buzëqeshje joshëse të aktores e kapur nga kamera e Yousuf Karsh.

Sofia Loren rrëshqet në heshtje dhe hyn në dhomë. Në moshën 83-vjeçare ende duket e mahnitshme. E veshur me pantallona të zeza, një triko me jakë V në po të njëjtën ngjyrë dhe një varëse argjendi: një siluetë e përsosur që ecën me hapin e një kërcimtareje, sikur do të promovojë elegancën dhe bukurinë e përjetshme.

Na shërbejnë ekspres me dy gota të vogla, shoqëruar me copa çokollate të mbështjellë me fletë ari. Kam para një nga perëndeshat e gjalla të kinemasë. Edhe pse kohët e fundit, sytë e mëdhenj e të ndritshëm fshihen pas shamave të syzeve, ajo mbetet po kaq joshëse, elegante dhe padyshim seksi, pa marrë parasysh se ka vetëm një muaj që sapo mbushi 83 vjeç. Pamja e saj i ngjan një sirene të magjepsur, por edhe një dame me mentalitetin e  nënës të zënë në kurth në trupin e një seks-simboli. Admiruesit e saj kanë qenë legjion nga momenti që ajo u shfaq në ekran. Richard Burton i përshkroi sytë e saj të bukur kafe të vendosura në një fytyrë të mrekullueshme volpine, pothuajse satanike, ndërsa Noël Coward tha se ajo është skalitur me çokollatë që bota të mund ta përpijë.

Sapo i drejtohet aparatit fotografik, sytë e saj etruskë vihen në vallëzim. Format janë ende të përsosura. E kush nuk ëndërron të bjerë në gjumë në një moment magjik në gjirin e Sofies? Tek sytë në formë bajame kalon shkarazi dorën, në të cilën mban një unazë me pinguinë që shkëlqen nga drita e diamanteve, mbërthen lehtë me mollëzat e gishtave mjekrën dhe sheh drejt tavanit. “Jeta ime nuk është një përrallë, është ende e dhimbshme të flasësh për të”-thotë aktorja.

Pas kaq vitesh pa dalë në ekran, ajo ka ditur të mos harrohet. E moshuar, por me sharm dhe hijeshi, ajo është një portret ekzotik me linjat e fytyrës të papërpunuara, sidomos ngjyra e ullirit të fytyrës me një shkëlqim të butë. “Bukuria vjen nga një lumturi dhe ekuilibër sekret brenda vetes. Gjithmonë i gjykoj njerëzit nga brenda, nuk gjykoj kurrë nga jashtë. Bukuria vjen nga brenda.” Ndal për pak, pa dyshim, që 60 vitet e një karriere që e gdhendi si një seks-simbol, një ikonë kinemaje, e detyrojnë të mendohet…

Lindi në Pozzuoli, një qytet i vogël peshkatarësh, ku përjetoi disa nga privacionet më të këqija të Luftës së Dytë Botërore – terrorin, bombardimet dhe urinë. U rrit në një lagje për nënat e pamartuara në Romë. Sofia Scicolone (emri i vërtetë) u tall gjatë fëmijërisë sepse ishte fëmijë i paligjshëm. E ëma, Romilda Villani, ishte një bukuri krenare e cila u kthye në shtëpinë e prindërve duke jetuar me turpin e saj; ishte koha e një Italie katolike, ku një nënë e pamartuar, nuk ishte thjesht një skandal, por një mëkat. Kujton se deri sa u largua nga Pozzuoli, nuk fjeti kurrë në shtrat me më pak se tre vetë, ndërsa nuk mund të harrojë urinë dhe ushqimin e racionuar.

Gjithçka ndryshoi në jetën e saj kur mbushi 14 vjeç. Papritur filloi të dëgjonte fishkëllima pas hapave të saj. E ëma e regjistroi në një konkurs bukurie, ku u zgjodh një ndër vajzat më të bukura dhe fitoi 35 dollarë. Që nga ai çast, Romilda iu kushtua karrierës së vajzës. Çdo gjë kishte ëndërruar duhet të realizohej me të bijën.

Fillimisht Sofia gjeti punë si modele, derisa me paratë e para, plot 1500 dollarë, ju desh të blinte mbiemrin e saj, pasi ishte vajzë e paligjshme, duke u quajtur Sofia Lazaro.

Mbiemrin Loren e mori kur luajti për një film suedez, ku duhej të luante një rol jo italian.

Do të duheshin 8 vite derisa të takonte Carlo Ponti, 38 vjeç, i martuar, me dy fëmijë. Ai e përfshiu Sofian në audicione, duke i dhënë mundësinë për t’u bërë aktore. Fitoi rolin e parë serioz, pasi e refuzoi Gina Lollobrigida. Kujton një telegram të Carlo Ponti “Mëso anglisht”. Rruga drejt Holivudit ishte hapur tashmë. Media e kategorizoi si “bomba e zhurmshme italiane”, kjo sidomos pas shfaqjeve të shpeshta me Cary Grant. Edhe pse mes tyre kishin një tërheqje, lidhja me Pontin e mbante atë të pazgjithshme. Vendosi të largohej nga Amerika, duke zgjedhur Italinë, e pikërisht në këtë moment Hollivudi i dhuroi një Oscar, të vetmin në karrierën e saj, si e para italiane që vlerësohej me çmimin më të madh të kinemasë. “Kurrë nuk do ta kisha fituar Oskar nëse do të qëndroja në Hollivud. E dija se në Itali, mund të tregoja me të vërtetë atë që kisha brenda. Në Amerikë, nuk më kanë dhënë role që më përshtaten për t’u bërë aktore e suksesshme. U bëra e suksesshme në Amerikë për shkak të filmave italianë. Nuk e fsheh se raporti me Marcello Mastroianni. Ishin të dashur në film, por miq jashtë ekranit. “Marcello ishte i dashuruar pas grave, ushqimit dhe cigareve”-qesh ajo.

Martesa e çkishëruar

Jeta e saj private, përpos skenave të nxehta që mund të keni parë në ekran, ka qenë vetëm krah një burri: Carlo Ponti. Kur e ëma mori vesh se e bija takohej fshehurazi me Carlon, i cili ishte i martuar, pati frikë se po ndiqte gjurmët e saj të turpshme. “Doja një familje të ligjshme. Një burrë, fëmijë, një familje e ligjshme si çdo njeri tjetër”. Carlo ndërkohë kishte nisur tentativat për divorc, por asokohe nuk ishte e lehtë kjo në Itali. Aktores ju desh të shtrëngonte dhëmbët për një kohë të gjatë, derisa Ponti u divorcua nga martesa e parë. Por u fshikullua për hir të dashurisë nga të gjithë. Dasma e saj alla italiana, u dënua edhe nga Vatikani përmes gazetës L’Osservatore della Domenica, e cila cilësoi të paligjshme ‘martesën e një aktoreje të re dhe të bukur italiane’. Çifti u kërcënua me çkishërim dhe u dënuan si mëkatarë publikë. Ende e konsideron si ditën më të trishtuar të jetës së saj. U largua nga Italia për të jetuar në Rivierën Franceze dhe Zvicër. Ndihej e poshtëruar publikisht, gëzimi për të qenë znj. Ponti ishte kthyer në hi.

Pas 6 dekadash mbetet mister, sesi ajo i rezistoi propozimit të Cary Grant, dhe në vend të tij zgjodhi mentorin dhe producentin e saj, Carlo Ponti, 22 vjet më i madh, por 10 centimetra më i shkurtër se ajo. Ajo jetoi për hir të dashurisë së saj si një mbretëreshë në emigrim. “Nuk do të ndihem e qetë derisa të takoj Carlon. Ditët pa të janë bosh”- thotë ajo teksa na përcjell.

Hija gjigande e vilës zvogëlohet në horizont, duke fshehur  perëndeshën e fundit të bukurisë të mbetur gjallë…!

Botuar ne Revista BORDO!

Tags:

Home Art

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF