KreuStil Jetese

Rolex, miti dhe ikona e orave të dorës!

Nga: Roland Balla

Për të gjithë ‘Rolex’ është emri më i përmendur kur bëhet fjalë për orat e dorës. Kur nisa të shkruaja këtë artikull më erdhën në mendje seminaret e marketingut të kohëve të fakultetit duke më kujtuar që pikërisht ‘Rolex’ bashkë me pak shembuj të tjerë ishin ndër modelet e marketingut të përsosur. Ajo që supozohej të kuptohej nga seminaret ishte pikërisht ideja e të bërit brand, e të krijuarit të një produkti simbol. Por, a është Rolex në të vërtetë vetëm frut i një marketingu të përkryer?

Ndryshe nga çfarë mund të mendoni, Rolex nuk është ndër orat më të mira në botë, as ndër orat më të shtrenjta, madje konsiderohet si një ndër orat e lira mes orave të luksit. Nuk janë as ora të rralla, pasi prodhohen në miliona ekzemplarë. Atëherë marketingu do thoni ju..! Përsëri gabim! Le ta fillojmë nga fillimi.

Rolex lindi në Londër në vitin 1905 nga mendja e gjeniut gjerman Hans Wilsdorf dhe Alfred Davis (Wilsdorf & Davis), të cilët importojnë nga Zvicra pjesë orash dore dhe xhepi që montoheshin në Londër në kasat e prodhuesve lokalë. Emri Rolex regjistrohet në vitin 1915 pas transferimit të aktivitetit në Gjenevë në vitin 1912. Që nga ky moment Rolex përqendrohet në prodhimin e orave të dorës, që deri në këtë moment konsideroheshin si më të përshtatshme për femrat. Që në fillimet e saj Rolex përqendrohet në orat rezistente ndaj ujit dhe suksesin e parë e arrin në vitin 1927 kur notarja Mercedes Glietze kalon kanalin e Manikës me një Rolex Oyster në krah. Lind kështu testimoniali i parë dhe në të njëjtën kohë miti Rolex. Që nga ky moment historia e marketingut ndërthuret me historinë e kësaj të fundit. Njëra i dikton rregullat tjetrës dhe anasjelltas.

Modelet Rolex më të njohura

Duke filluar nga lindja e kasës Oyster, lindin një mori modelesh që janë secila një sukses më vete. Rolex Oyster Perpetual, Oyster Date, Oyster Datejust dhe të tjerë që më shumë se ora dore, bëhen istrumenta për t’u përballur me sfidat e reja në fusha të ndryshme si ato të shkencës, eksplorimit, shpejtësisë, fluturimit etj.

1953 – Rolex Explorer

Në vitin 1953 Sir John Hunt dhe Sir Edmund Hillary pushtojnë majën e Everestit me në dorë një Rolex Oyster Perpetual. Pas këtij suksesi lind modeli Rolex Explorer, për të celebruar fitoren dhe bëhet ora e besuar e shumë eksploratorëve te tjerë.

1953 – Rolex Submariner

Lind ora e parë që i reziston zhytjes deri në thellësi 100 metra. Një ndër modelet më të suksesshëm të prodhuar në të gjithë historinë e orave të dores. Një ikonë e vërtetë.

1955 – GMT Master

Është koha kur lindin fluturimet trans-oqeanike, pra lind nevoja që pilotët dhe udhëtarët të lexojnë orën në dy vende të ndryshme. GMT Master tregon dy (sot tre), orë te ndryshme me një akrep shtesë, pa patur nevojë të konsultohesh me tabela orësh lokale. Modeli u studiua në bashkëpunim me pilotët e linjës ajrore Pan Am dhe që atëherë Rolex nuk e ka hequr kurrë nga prodhimi.

1956 Rolex Day-Date

Rolex-i i presidentëve! Modeli i famshëm që tregon datën dhe ditën e javës është modeli Rolex që më shumë ka nënkuptuar status-simbol pasi prodhohet vetëm në ar dhe platin.

1963 – Rolex Cosmograph Daytona

Në këtë vit lind ai që ndoshta është modeli më ikonik i Rolex, kronografi Daytona. Ky i fundit është modeli më Rolex nëse mund të thuhet, një pikë arritje për shumë nga ne që për orat e dorës kemi një dashuri të pamatshme. Elegant dhe sportiv në të njëjtën kohë, i saktë dhe rezistent, si pak ora në qarkullim, Daytona është ora që ka kontribuar më shumë në suksesin e Rolex.

Historia e Rolex dhe modeleve të saj është edhe historia e suksesit të burrave të shtetit si: Dwight Eisenhower, Winston Churchill, Che Guevara, Fidel Castro apo sportistëve si: Michael Jordan, Cristiano Ronaldo, Roger Federer, Ana Ivanović, Justine Henin, apo Hermann Maier. Nuk mungojnë si imazh yje nga bota e spektaklit si: Paul Newman, Steve McQueen, Nicolas Cage, Brad Pitt, Jennifer Anniston, Robert Radford, B.B. King, Eric Clapton, Placido Domingo apo Michael Bubble.

Falë Rolex dhe ambasadorëve të saj është shkruar një kapitull i veçantë në historinë e marketingut. Ja pse nuk mund të thuhet që Rolex është vetëm frut i marketingut të mirë. Sepse marketingu në një farë mënyre është frut i vetë Rolex! Të gjithë personazhet dhe shumë të tjerë kanë bërë të mundur krijimin e një besimi të verbër te kjo orë. Shto këtij fakti një kërkim të pareshtur për cilësinë, prakticitetin dhe elegancën dhe rezultati është: Ikona Rolex.

Tags:

Home bordo

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF