KreuArt

Sa e vështirë të vendosësh!

Sa e vështirë të vendosësh!

Nga Blendi Salaj

A je ti, siç jam dhe unë, një nga njerëzit që kur vjen koha për të paguar në supermarket nuk di cilën rradhë të zësh, nga frika se mos tjetra lëviz më shpejt? Nëse po, ky shkrim është për ty. Në këtë numër të BORDO, do të merremi pak me çështjen e vendimeve të shumta që duhet të marrim çdo ditë, nga ato të rëndësishmet, si partnerja që zgjedhim në jetë, apo se sa fëmijë do të kemi, deri tek ato më të rëndomtat, si “Kapuçinon, me kafe apo me bustinë?” Ne e kalojmë jetën të bombarduar me alternativa dhe zgjedhje, para të cilave duhet të marrim vendime, të cilat më tej do të diktojnë fatin e jetës sonë. Por jo të gjitha zgjedhjet janë aq të rëndësishme sa të na çojnë në agoni. E megjithatë, në botën tonë moderne, zgjedhjet e shumta trumpetohen si një arritje, si një e mirë, ndërkohë që zgjedhjet e pafundme nuk janë gjithnjë ajo që na duhet. Mendoni të rinjtë që futen në faqe ku mund të gjesh dashurinë, dhe përballen me mijëra dashuri – të cilat duhet t’i përzgjedhin nga një menu, si të ishin shije akulloresh.

Malcolm Gladwell është një autor shumë i famshëm librash mbi natyrën dhe sjelljet njerëzore që prej vitesh është botuar edhe në shqip. Një burrë i mençur dhe i bredhur, zoti Gladwell të habit kur thotë se nuk e ka përdorur asnjëherë Yelp-in, një faqe online që shërben si guidë për restorante. “E njoh faqen. Kam dëgjuar njerëz të flasin për të por nuk e kam hapur kurrë.” – thotë ai. Ai thotë se nuk dëshiron të bëhet rob i mijëra zgjedhjeve që prezantohen në atë faqe. Pasi do që drejt një restoranti të mirë ta udhëheqë edhe rastësia. Fundja, nuk ka pse shkon në mijëra restorantet e Nju Jorkut kur katër apo pesë të mirë, janë mjaft. Dhe ky largim nga zgjedhjet e shumta në fakt i jep atij një lloj lirie. Sepse nuk e detyron veten të rrijë në internet duke lexuar se ç’kanë shkruar njerëzit për këtë apo atë restorant, por gjen mënyra më të mira për të shijuar kohën e vet. Në të vërtetë, shumë njerëz kalojnë orë duke lexuar se ç’kanë shkruar klientët për hotele, muzeume, qytete e pastiçeri.

Sheena Iyengar, profesoreshë biznesi në Universitetin Kolumbia në SHBA, thotë se sot është domosdoshmëri për biznesin që t’ia eliminojë konsumatorëve zgjedhjet e tepërta. Fjala kyçe sot është “thjeshtim” pasi rreziku që klienti të hyjë në paralizë për shkak të zgjedhjeve të shumta, është më se prezent. Profesoresha tregon sesi në një eksperiment të kryer për të parë se si reagojnë njerëzit ndaj zgjedhjeve të shumta, kërkuesit vendosën në daljen e një supermarketi ushqimor një tavolinë ku ekspozuan lloje të ndryshme reçeli. Ditën e parë kërkuesit vendosën mbi tavolinë 24 lloje reçeli, ndërsa ditën e dytë vetëm 6 lloje. Në fillim kërkuesit donin të zbulonin se në cilin rast do ndalonin më shumë njerëz për të provuar reçelin. Më shumë njerëz ndaluan kur kishte 24 lloje reçeli, rreth 60%, sesa kur kishte 6 lloje reçeli, 40%. Gjëja e dytë që kërkuesit donin të zbulonin ishte se në cilin rast, njerëzit do të blinin më shumë reçel. E kundërta e asaj që ndodhi ditën e parë, ndodhi ditën e dytë, dhe ishte befasuese. Nga njerëzit që ndaluan kur kishte 24 lloje reçeli, vetëm 3% e tyre blenë reçel. Por nga njerëzit që ndaluan kur kishte 6 alternativa, 30% zgjodhën të blejnë diçka.  Po të bësh llogaritë del se njerëzit blenë gjashtëfish më shumë kur kishin më pak zgjedhje. Del se ajo që ndodh kur u jep klientëve alternativa pa fund, është e kundërta e asaj që ne kemi shpresuar. Njerëzit nuk duan të zgjedhin nga 24 lloje reçeli, pasi llogaritjet në kokën e tyre bëhen tepër të komplikuara kur ka shumë alternativa, dhe përfundojnë duke mos blerë asgjë. Kjo na ndodh kur shkojmë në një dyqan sporti ku ka 60 lloje atletesh, apo në dyqanet ku gjen qindra parfume dhe esenca të ndryshme e nuk di më ç’të zgjedhësh. Ekspertët sot sugjerojnë që restorantet të largojnë nga menutë ato gatime që kërkohen shumë rrallë, pasi njerëzit porosisin më shumë nga një menu e thjeshtë. Sa më e mbledhur menuja, aq më të kënaqur janë klientët me zgjedhjet që bëjnë, pasi mundësia për pishmane është e reduktuar. Ne e kemi provuar edhe vetë këtë, në bujtinat malore ku hahet bukë misri, djathë e mish, asnjëri prej nesh nuk ndjen mungesën e salcave të tartufit apo sushit.

E rëndësishme është të kuptojmë se nuk kemi pse ta vrasim mendjen më shumë se ç’duhet për zgjedhjet e rëndomta në jetë, qoftë edhe për ato më të rëndësishmet, pasi në momentin kur ne zgjedhim nuk kemi nga ta dimë se cili do të jetë rezultati i zgjedhjeve tona, e sado të shqetësohemi, nuk ndyshojmë dot asgjë. Jeta do ta përmbajë gjithnjë rastësinë, kot nuk thonë se ajo është mbreti i botës.

Botuar në Prill 2017, në revistën Bordo!

Tags:

Home Art

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF