KreuStil Jetese

Luksi italian i këpucëve, mban emrin Sergio Rossi

Mjeshtrit italian Sergio Rossi i duheshin 120 faza dhe 14 orë për të krijuar një palë këpucë. Kjo dëshirë për përsosmërinë buronte nga pikëpamja se këpucët nuk janë thjesht një aksesor, por një pjesë e trupit të një gruaje. Ai bëri gjithçka që sandalet të reflektonin elegancën dhe natyrën e gruas.

Familje artizanësh

Sergio Rossi e mësoi mjeshtërinë e këpucarit nga i ati, i cili ishte një zejtar i njohur, por ndryshe nga babai ai e nisi punën si këpucëndreqës për turistët në plazhet e Riminit, derisa vendosi ta kthente në një industri të vërtetë e cila mbajti emrin e tij.

Sandalet Opanca

Në vitin 1951 ndërtoi fabrikën e tij ku lançoi markën e tij, e cila nisi me sandalet e famshme Opanca të cilat “çmendën” fillimisht turistët. Kjo sandale kaq e veçantë u bë e famshme gjatë asaj kohe për dizajnin e saj elegant, duke shitur mbi 2 milionë copë.

La Dolce Vita 

Momenti kur fitoi vëmendjen e publikut, ishte kur në vitin 1960 regjisori Federico Fellini përdori këpucët e Sergio Rossi për aktoren Anita Ekberg në filmin “La Dolce Vita”. Ai ka krijuar koleksione personale për stilistët: Gianni Versace dhe Azzedine Alaïa.

Stili gjeometrik

Që nga fillimi i krijimit të markës, filozofia e dizajnit ishte të reflektonte stilin e shkëlqyer italian, duke dalluar për ngjyrat e gjalla, aspektin e feminitetit dhe format gjeometrike. Ai besonte se me sandalen e duhur arrihej zgjatja e përsosur e këmbës së një gruaje.

Trashëgimia 

Edhe pse biznesi iu shit pjesërisht kompanisë Gucci në vitin 1999 dhe aktualisht tërësisht grupit Lanvin, rruga e mjeshtrit të madh po ndiqet me sukses prej vitesh nga i biri Gianvito Rossi i cili ka tashmë markën me emrin e tij të këpucëve luksoze.

©Botuar në Revista BORDO, Gusht 2022!

Tags:

Home bordo

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF