Një udhëtim në Lago di Braies 

Nga Edlina Losha 
@dreamtravel.world

Shkak që unë të zbuloja një perlë të vërtetë ujore në mes të maleve në një natyrë fantastike që kush e shikon qoftë edhe vetëm një herë dashurohet menjëherë me të, u bënë disa postime në rrjete sociale të një mikeshës sime virtuale në llogarinë e saj! U mrekullova nga pamja dhe kërkova të gjeja pozicionin në hartë të këtij liqeni. Për çudinë time ishte vetëm 230 km larg vendndodhjes sime në Trieste. Atëherë i shkruajta mikeshës sime virtuale dhe i kërkova informacione të ndryshme nga eksperienca e saj aty, përveç “gërmimeve“ dhe hulumtimeve që po bëja vetë në internet. Gjithmonë shkoj “e armatosur“ në udhëtimet që bëj, mbushem me të dhëna, këshilla dhe njohuri. Ishte fillim Qershori, koha më e duhur për të ndërrmarrë një udhëtim tek ky liqen i vogël alpin që ndodhet në Val di Braies në rreth 1,500 m mbi nivelin e detit dhe që ndodhet brenda një parku natyror mbresëlënës të Dolomiteve. Ndërkohë që vapa e menjëhershme e këtij viti të trulloste nëpër qytete, në lago di Braies mbizotëronte një freski dhe rehati, vetja të dukej si në parajsë.

Pasi parkon makinën tek një nga 3 parkimet e mëdha që gjenden aty, para syve, shfaqet  hoteli në liqenin Braies, “Hotel Pragser Wildsee”, i vetmi hotel mbi liqen. Një nga episodet e fundit të Luftës së Dytë Botërore në Itali u zhvillua pikërisht tek ky hotel, ku nga fundi i prillit 1945,  141 të burgosur mbaheshin peng në liqenin Braies, dhe kur mëngjesin e 4 Majit 1945 mbërritën amerikanët, u bë dhënia e tyre tek aleatët, dhe pengjet u kthyen robër lufte.  Për gjermanët e pranishëm mes të burgosurve u vendos që ata që nuk kishin pasur asnjë lidhje me nazistët mund të liroheshin, pasi të mbaheshin për një periudhë në ishullin Kapri. Të gjithë gjermanët e tjerë u arrestuan. Pasi kalon hotelin e madhërishëm dhe ato pak lokale e dyqane suveniresh aty, futesh në një shteg disi të ngushtë dhe befas fillon të shfaqet gradualisht por me një bukuri mbresëlënëse liqeni i Braies. Liqeni ka një shtrirje prej rreth 33 hektarësh, me thellësi maksimale prej 36 metrash dhe thellësi mesatare prej 17 metrash. Temperatura maksimale e ujit është 14 °C.  Duke qenë se perimetri rreth tij është diku tek 3000 m, t’i biesh rreth e qark është vërtet një shëtitje e bukur ku në çdo hap duhet të ndalosh për të shijuar natyrën. Me shtigje druri, vende-vende shkallë të drunjta, diku shkel në gurgullimën e ujërave si kristal që zbresin nga ujëvarat e vogla, e diku në zhavorrin borë të bardhë të bregut, diku i ngjitesh malit, e më pas sheh veten mes pyllit dhe cicërimës së zogjve, diku në monopatin e ngushtë që bie thikë në liqen, e diku pranë lëndinës ku bëjnë karshillëk lopët që tundin bishtin dhe plotësojnë relievin malor, udhëtimi rreth këtij liqeni është vërtetë fantastik.

Legjenda…

👉🏼Legjenda thotë se lugina e Braies ishte e banuar nga disa egërsira me pamje të shëmtuar që ruanin arin e pranishëm në malet aty pranë.  Për këto figura, ari ishte shumë i çmuar, por njëkohësisht pasuria i bënte ato të forta dhe të egra në shpirt.

Kur disa blegtorë u shfaqën në luginë së bashku me bagëtite e tyre, figurat e egra u dhanë atyre disa sende të prodhuara nga floriri i tyre. Fermerët, duke parë një bollëk të tillë ari, u bënë lakmitarë dhe filluan të vidhnin sende nga popullsia e të egjërve.  Atëherë egërsirat vendosen t’i pengojnë fermerët të arrinin malet dhe bënë që të buronin disa rrjedhje uji, të cilat krijuan liqenin Braies në pjesën e poshtme të luginës, gjë që i pengoi fermerët të mund t’u afroheshin.

Turizmi

Liqeni Braies nuk ka qenë një destinacion turistik, për aq kohë sa ai u shfaq në një serial televiziv gjatë viteve të fundit “Një hap nga qielli”,  dhe tashmë Liqeni Braies është bërë një nga vendet më të vizituara në Trentino Alto Adige.  Është një politikë nga disa politikanë vendas  të imagjinojnë zgjidhje që  synojnë reduktimin e numrit të turistëve nën një standard të caktuar, në përputhje me karakteristikat e vendit.

👉🏼Një tjetër ngjarje historike është “tragjedia e Ponticello di Braies”, ku më 7 mars 1970 shtatë trupa alpine humbën jetën për shkak të një orteku që shpërtheu përgjatë luginës së Braies.

Një vizitë në liqenin Braies, është mendimi më i mirë, veçanërisht në verë! Akomodimi mund të bëhet në qytezat përreth tij, qyteza autonome, të bukura e të veçanta, dhe përveç qetësisë e freskisë, mund të vizitohen shumë atraksione përreth tyre, ku vendin kryesor e zënë ngjitja me teleferik tek “Haunold-Dolimitet“- dhe atje të presin plot aventura, shëtitje, pishina, lojëra për fëmijët, por edhe adhuruesit e ecjes në këmbë kanë shumë mundësi zgjedhjeje. Njerëzit aty janë punëtorë, të dashur e miqësorë, flasin italisht me theks austriak dhe rregullat janë shumë të forta. Ndër liqenet që kushdo ka parë? Lago di Braies është më i bukuri! On the top 🔝

Fund 🤩

easy dinner ideas
Previous ArticleNext Article