KreuStil Jetese

“Alo… Ju lutem më ndihmoni, bashkëshorti më dhunon”

“Alo… Ju lutem më ndihmoni, bashkëshorti më

Avokate Albana Llapi

Ashtu e gjakosur me syrin e nxirë dhe krahun që i dhemb nga grushti, ngrihet për të shkuar te fëmijët. Ata, të strukur në dhomën e gjumit, me zemrat e ngrira, mezi presin të vrapojnë tek nëna e tyre. E përqafojnë dhe nuk duan të shkëputen më kurrë prej saj…

Është vetëm një rast ndër mijëra të tjerë. Dhuna ndaj grave është një plagë e rëndë që mundon shoqërinë shqiptare. Ky problem prek të gjitha shtresat dhe grupet e shoqërisë, pa dallim race, niveli ekonomiko – kulturor, zone gjeografike, besimi fetar, moshe, etj. Dhuna ndaj gruas në Shqipëri, në pjesën dërrmuese të rasteve kryhet brenda familjes. Në shumicën e rasteve i vetmi burim informacioni mbetet vetë viktima, e cila në çdo rast nuk është e çliruar nga paragjykimet dhe modelet që ekzistojnë në komunitetin ku jeton. Ky është është një problem kompleks që përfshin më shumë se sa marrëdhëniet personale mes burrit dhe gruas. Është një problem social me përmasa të gjera që i ka rrënjët historikisht në qëndrimet ndaj gruas dhe marrëdhënieve martesore. Viktimizimi i grave nga bashkëshortët e tyre përforcohet nga gjendja ekonomike, mentaliteti, tradita dhe ndërgjegjësimi i pamjaftueshëm mbi dhunën në familje. Dhuna po bëhet gjithmonë shqetësuese në shoqëri, pasi shumë burra ndihen të kërcënuar nga koncepti i lirisë së grave.

Dhuna në familje nënkupton çdo akt dhune të ushtruar midis personave që janë apo kanë qenë në marrëdhënie familjare, që mund të jetë fizike, psikologjike, seksuale etj. Ligji nr.9669, datë 18.12.2006, “Për masat ndaj Dhunës në Marrëdhëniet Familjare”, është një ligj i posaçëm për mbrojtjen nga dhuna në familje, e çfarëdo natyre qoftë ajo. Pikërisht në këtë ligj përcaktohen hapat kryesorë dhe procedurat e ndjekura në rastet e prezencës së dhunës në familje, dhe organizmat shtetërorë në mbështetje të personave të dhunuar, të cilët në pjesën dërrmuese të rasteve janë gratë, kryesisht bashkëshortja, ish bashkëshortja apo bashkëjetuesja. Viktimat e dhunës mund të denoncojnë dhunën me të cilën janë përballur në polici, në komunë, bashki, qendër shëndetësore, organizatat qeveritare ose joqeveritare të ngritura në ndihmë të grave të dhunuara.

Ligji i lartpërmendur është hartuar me qëllimin e lartë të “Parandalimit dhe reduktimit e dhunës në familje në të gjitha format e saj, me anë të masave të përshtatshme ligjore, si dhe garantimit e mbrojtjes me masa ligjore të pjesëtarëve të familjes, të cilët janë viktima të dhunës në familje, duke i kushtuar vëmendje të veçantë fëmijëve, të moshuarve dhe personave me aftësi të kufizuar.” Në të përcaktohen institucionet përgjegjëse për mbrojtjen, mbështetjen dhe rehabilitimin e viktimave, lehtësimin e pasojave dhe parandalimin e dhunës në familje, si dhe orientimi i punës së organeve përgjegjëse për mbështetjen e viktimave dhe parandalimin e dhunës në familje. Po ashtu ky ligj garanton fuqizimin e gjyqësorit për marrjen e masave të mbrojtjes ndaj dhunës në familje dhe garantimin e një shërbimi të shpejtë në ndihmë të viktimave.

Neni 10 përcakton masat që merren nga gjykata në rastet e konstatimit të një çështjeje dhune në familje, nëpërmjet një urdhri të menjëhërshëm mbrojtje, i cili jep deri në një periudhë 12 mujore me të drejtë shtyrjeje, në favor të viktimës së dhunuar. Në ligj përcaktohet edhe mënyra e gjykimit të këtyre çështjeve, ku gjykata është e detyruar që në rastin e kërkesës për lëshimin e një urdhri të menjëhershëm mbrojtjeje, ta gjykojë kërkesën dhe të vendosë brenda 48 orëve nga paraqitja e kërkesës. Vendimi i komunikohet menjëherë palëve, dhunuesit, organeve të policisë apo prokurorisë në rast se kërkesën e ka paraqitur ky i fundit, si dhe organeve vendore, qendrave shëndetësore dhe të rehabilitimit të viktimave të dhunës. Në vendim citohet se “shkelja e urdhërit të mbrojtjes, të lëshuar me vendim gjykate, përbën vepër penale në kuptim të nenit 320 të Kodit Penal”, dhe shkelësi arrestohet menjëherë.

Në shumë raste, për arsye të frikës apo për çfarëdolloj arsye tjetër gratë e dhunuara tërheqin denoncimin e tyre për dhunë dhe kjo bën që gjykimi të pushohet. Por në rastin kur kërkesa është paraqitur nga policia ose prokuroria, tërheqja e viktimës nga procesi nuk sjell si pasojë mosgjykimin e çështjes së filluar. Theksojmë se ankimi ndaj vendimit të gjykatës për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes nga pala kundërshtare nuk e pezullon ekzekutimin e vendimit, pra urdhri i mbrojtjes vazhdon të ketë efektet e tij mbrojtëse për personin e dhunuar. Këto parashikime ligjore, si dhe mbrojtja e posaçme që ofrojnë organet kompetente në lidhje më dhunën në familje, i japin guximin e duhur çdo personi të dhunuar, e sidomos gruas shqiptare që të mos hezitojë të denoncojë dhunën e ushtruar ndaj saj apo fëmijëve, duke mos iu nënshtruar në asnjë rast dhunuesit të saj.

Tags:

Home bordo

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF