KreuStil Jetese

Fëmijët me dado, çfarë rekomandojnë psikologët!

Fëmijët me dado, çfarë rekomandojnë psikologët!

Jo në të gjitha kulturat rritja e fëmijës merr angazhim të njëjtë. Në vendet e zhvilluara fëmija iu besohet gjithnjë e më shumë institucioneve të përkujdesjes siç janë çerdhet dhe kopshtet. Ndërsa në kultura të tjera ata vazhdojnë të gëzojnë angazhimin e të gjithë familjes, në veçanti të gjyshërve. Në vendin tonë nuk është dominant aspekti kultural, por më së shumti është një çështje mundësish, në kuptimin që shpenzimet janë më të pakta nëse fëmijën e rrisim në shtëpi. Shumë prindër mendojnë si avantazh edhe faktin se fëmija do të jetë më pak i ekspozuar ndaj viruseve të ambienteve të përbashkëta, përplot me kalamaj të tjerë. Ndërsa disavantazhi është se gjyshërit e moshuar nuk do të kenë mundësi e fuqi ti ndjekin ata çdo ditë në park apo në lodra, aty ku mundësitë e kontakteve me moshatarë të tyre janë të shumta.

Psikologët rekomandojnë kopshtin!

Në kopsht fëmija mëson çdo ditë diçka të re. Ai kalon kohë me bashkëmoshatarë, me të cilët ndan emocionet dhe arrin t’i shprehë ato pa presionin mbi kokë të të rriturve. Lojërat, vizatimet dhe improvizimet e shumta të edukatorëve (që kanë eksperiencë prej shumë vitesh me ta), do të kultivojnë tek fëmija aftësinë krijuese dhe të përpunimit siç duhet të informacionit që marrin gjatë ditës. Shpesh fëmija e demonstron gjendjen psikologjike me anë të vizatimit, ç’ka do ti shërbente një profesionisti të mirë që të kuptonte gjendjen dhe emocionet e tij.

Socializimi i hershëm me bashkëmoshatarët do t’a bënte një fëmijë më pak të llastuar dhe do ta përballte atë që në vitet e para të jetës edhe me një “jo”, apo me sprova që do të ndikonin pozitivisht në formësimin e personalitetit të tij në vitet e mëpasme. Gjyshërit dhe prindërit në shtëpi e kanë shumë të vështirë ti thonë “jo” fëmijës. Por duhet të dini se vitet e para të jetës janë përcaktuese të personalitetit dhe orientimit të fëmijës drejt asaj që ne e quajmë “e mirë” apo e “e keqe”. Një “jo” e argumentuar do ti shërbejë në të ardhmen fëmijës më shumë se një “po” e diktuar vetëm e vetëm për ti bërë qejfin dhe për të evituar një qarje momentale të tij.

Një tjetër avantazh që i japin kopshtet fëmijës është ndërveprimi në çdo aspekt me të tjerët. Kjo iu zhvillon atyre aftësitë sociale, marrjen përsipër të roleve dhe eliminon me një përqindje të madhe mundësinë e të qenurit egoist, vetëm për veten e tij. Gjithashtu ai gjendet në një hapësirë më të madhe, me rregulla që duhet domosdoshmërisht ti respektojë. Kjo e ndihmon instiktivisht që të njësohet dhe të gjejë mirëkuptimin shumë më lehtë se çmund ti përvetësonte të njejtat rregulla në shtëpi. Fjala bie, në kushtet e shtëpisë, një fëmijë do ta kishte shumë problem orarin e ushqimit, të gjumit, të përkujdesit për veten e të tjerët, apo mësimit të roleve. Ata kanë aftësi shumë të mira ti bëjnë për vete gjyshet dhe ti manipulojnë deri në atë pikë sa këto të fundit të mos ta duronin dot kundërshtimin apo qarjen e tyre. Në këto kushte, shpesh gjyshet do të neglizhonin dhe fëmija do të fitonte terren e “pushtet” aq sa rregullat ti vendosë vetë ai.

Dadot? Në vendin tonë në të shumtën e rasteve janë të patrajnuara dhe nuk gëzojnë profesionalizëm. Ajo mund të jetë komshija jonë e papunë apo e afërmja e një mikeshe të besuar. Në të tilla kushte, fëmija rritet brenda një kuadri me rregulla të përcaktuara prej dados. Ato nuk disponojnë programe mirëfilli edukative që do të mundësonin zhvillimin e fëmijës me aftësi sociale e ndërvepruese. Kjo do tu pengonte atyre zhvillimin e imagjinatës, aftësisë krijuese dhe mundësinë e ndarjes së emocionave me të tjerët. Rritja e fëmijës me dado do ti bënte ata më të mbyllur e të ndrydhur e nëse kjo e fundit do të ishte pakëz e ashpër me të, tek fëmija do të kultivohej frika, ankthi e paniku në rastet e veprimeve të kryera gabim prej tij. Frika dhe ankthi në vazhdimësi do të ndërpriste tek fëmija inisiativën dhe guximin për të eksploruar terrene e mundësi të panjohura.

Botuar ne Revista BORDO!

Tags:

Home bordo

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF