KreuArt

Supermodelja, Linda Evangelista!

Mëngjes i zakontë në Manhatan. Më shumë se çdo ditë tjetër, një turmë kureshtarësh është joshur nga ajo ç’po ndodh brenda një rrethi njerëzish që sa vjen edhe zmadhohet. Prej së largu dallohet drita e një blici. Asistentët vrapojnë lart e poshtë, ndërsa dy stilistë kqyrin prej së largu lëvizjet e modeles. Në qendër bie në sy silueta e përsosur e supermodeles Linda Evangelista. Është ajo, e fundit e llojit të vet e mbetur në tokë. Supermodelja kanadeze me gjak italian është në superformë, edhe pse sapo ka mbushur 51 vjeç. “Dikur ishte shumë më e vështirë të bëjë një foto të bukur. Nuk kishe mundësi ta rregulloje atë. Lodheshim shumë. Përdornim polariod dhe mbi të bazoheshin modifikimet që bënim. Sesioni fotografik ishte art i pastër. Me film, imazhet kishin më shumë shpirt. Arti i sotëm, retushimi, nuk japin të njëjtin rezultat dhe kënaqësi”-rrëfen Linda Evangelista.

Mbiemri Evangelista konsiderohet ende sot një busull orientuese në universin e modës, ‘ungjilli’ i të bukurës para të cilit dorëzohet çdo kult, ikona e përsosur e cila fton në mëkat dhe adhurim çdo burrë: kjo shpjegon misterin dhe magjinë e Lindës.

Ikona e modës e viteve ’80 dhe ’90, sapo ka kaluar të 50-at, por ka ende një pamje të freskët, elegante dhe plot sharm. Asgjë nuk ka ndryshuar në pamjen e saj: sy të mëdhenj, të gjelbër smeraldi, një gojë e bukur, një fytyrë ëngjellore, flokët që i derdhen mbi supe si një ujvarë mëndafshi dhe lëkura e trëndafiltë.

Ajo gdhendi në fjalor termin ‘supermodele’ krah Naomi Campbell, Cindy Crawford, Christy Turlington, Claudia Schiffer dhe e fundit mes tyre ishte Kate Moss. Linda kishte gjithçka i duhej një femre të suksesshme, jo vetëm kur arriti majat, as tani, pasi që kur ishte ende fëmijë, nisi karrierën si modele profesioniste, kur ishte vetëm 12 vjeçe. Ajo u bë pjesë e një agjencie modelingu ku punoi gjatë periudhës së pushimeve verore, ndërsa u zbulua nga agjencia Elite kur ishte 16 vjeç mes konkurenteve të Miss Niagara, moment kur firmosi kontratën e parë të modelingut, e pas kësaj ajo u zhvendos në New York e Paris për të vijuar karrierën. Linda është e vetmja që nuk ka pozuar kurrë nudo gjatë gjithë karrirës dhe kjo për shkak të edukatës italiane dhe katolike me të cilën është ushqyer. “Mua më ka pëlqyer gjithnjë moda. I dua fotot natyrale. Kur vjen puna tek nudot, mendoj se ka të tjera që e bëjnë më mirë se mua”-përgjigjet ajo. Edhe pse e lindur në Kanada, nuk e mohon kurrë origjinën italiane. Adhuron kuzhinën italiane, modën gjithashtu, sepse beson se vendi i origjinës së saj trashëgon të bukurën në gjene.

Brenda tre viteve të para, vajza e një mekaniku që punonte për General Motors, kishte pozuar tashmë për të gjitha kopertinat e revistës Vogue në botë. Fotot që ka realizuar me Steven Meisel ishin çelësi i suksesit, sidomos nga momenti që preu flokët, duke u transformuar nga një brune në bjonde platinium. “Ajo është jashtëzakonisht e bukur dhe fotozhenike, ajo rrëzëllen para aparatit fotografik. Kur Linda buzëqesh, është shumë frymëzuese për mua”.-thotë fotografi Steven Meisel. E në fakt, nuk do të mbaronin lehtë të gjitha frazat që kanë himnizuar modelen Linda Evangelista, e fundit bukuroshe e brezit të supermodeleve, sepse pas kësaj, të gjitha janë thjesht modele.

Deri në vitin 1990 Linda kishte pozuar për mbi 60 kopertina revistash në botë, ndërsa kishte firmosur një kotratë me markën e njohur ‘Revlon’. Ky sukses ishte i hatashëm, aq sa u kthye në një baracaletë shprehja e supermodeles “Nuk ngrihem nga krevati pa 10 mijë dollarë sesioni fotografik”. E në fakt e gjithë kjo ndodhi kur Versace e thirri atë për të pozuar në një sfilatë me këtë shifër, edhe pse Evangelista u shfaq në skenë vetëm pak minuta krah Naomi Campbell dhe Christy Turlington.

Në vitin 1993, Linda firmosi disa kontrata të majme me Valentino, Gianfranco Ferré dhe Alberta Ferretti, duke i dhënë asaj gjithë vëmendjen si imazh i tyre, ndërsa ishte pjesë e sfilatave të: Dolce & Gabbana, Ralph Lauren, Yves Saint Laurent, Azzedine Alaïa, Oscar de la Renta, Giorgio Armani, Thierry Mugler, Donna Karan, Jil Sander, Jean Paul Gaultier, Escada, Calvin Klein, Salvatore Ferragamo, Max Mara, Chloé, etj,.

Karriera e saj nisi të zbehej pas shfaqjes në skenë të aktoreve-modele. Ajo që kishte parashikuar Ana Wintour, se lexuesit e revistave nuk kishin më nevojë për modele të përsosura, por për aktore, po ndodhte. Linda humbi kontratën me Revlon, imazhi së cilës u bënë Halle Berry, Salma Hayek dhe Renée Zellweger.

Ajo u tërhoq nga modelingu pas problemeve me martesën e saj. Mikesha e saj Christy filloi universitetin, Cindy u zhvendos për të jetuar në Malibu me bashkëshortin e saj. Të gjitha nga supermodele, u kthyen në supermama. “Më pëlqen të bëj jetë të qetë familjare falë modelingut. E vlerësoj atë periudhë dhe ndihem krenare. Nuk shkova në universitet, por kam 6 pasaporta plot me vula”-tregon Linda. Pas një periudhe të gjatë divorci me miliarderin Peter Morton, ajo arriti t’i siguronte të birit një ‘pension’ prej 49 mije dollarësh në muaj, duke garantuar kështu edhe të ardhmen e djalit, August.

U rikthye sërish në kopertinat e revistave në 2001, por që prej atëhere preferon të bëjë këtë profesion part-time.

Botuar ne Revista BORDO!

 

Tags:

Home Art

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF