Mariano Di Vaio, ”Made in Italy”!

Mashkulli tipik Italian: lëkurë ngjyrë gruri, mjekër natyrale, flokë të krehura me kujdes, vështrim tipik mesdhetar dhe një pamje në të veshur e cila të lë gjithnjë me gojë hapur.

Pamja e tij është nga ato që mbahen mend lehtësisht, për tiparet tipike mesdhetare, elegancën, shikimin, flokët e mbi gjithçka profilin e klasit të lartë që prezanton. Edhe pse nuk është më pjesë e pasarelave të modës, Mariano Di Vaio, modeli, stilisti dhe blogeri i njohur italian prej kohësh ka preferuar të pozicionohet në rreshtin e parë gjatë sfilatave prestigjioze të modës. Vetëm 28 vjeç dhe beson se epoka e tij e modelingut ka perënduar, sepse ka zbuluar një tjetër udhë që i jep kënaqësi. Prej kohësh i është dedikuar tërësisht jetës si një bloger mode, duke u konfirmuar në listën e 40 blogerëve më me ndikim në botë. Faqet e rrjeteve të tij sociale regjistrojnë miliona ndjekës, saktësisht mbi 3.5 milionë në Facebook dhe 5.3 milionë në Instagram, një rekord, i cili përpos sugjerimeve që ai bën përmes stilit të tij, lidhen pazgjithshmërisht edhe me pamjen e djaloshit që të gjitha femrat dëshirojnë.

I lindur në një qytezë të vogël në Umbria, Mariano Di Vaio qysh kur ishte 17 vjeç nisi karrierën si model. Kur e pyet kush është Mariano Di Vaio nuk e ka siklet të tregojë për të shkuarën. “Jam një djalë i gatshëm për të lënë çdo gjë për të ndjekur një ëndërr. Isha vetëm 17 vjeç kur u largova nga familja dhe u transferova në Londër dhe më pas në Nju Jork. As për mua nuk ka qenë rruga e shtruar me trëndafila, më është dashur të shkel edhe mbi gjemba për të arritur ku jam sot”.

Pamja e tij tërhoqi menjëherë vëmendjen në pasarelat e Londrës, ku edhe jetoi për disa kohë, e më pas u zhvendos drejt Nju Jorkut. Pikërisht në këtë moment, i joshur nga magjia e kinemasë, ndoqi studimet për aktrim, të cilat edhe pse nuk i hynë në punë, e ndihmuan në mënyrën e të sjellurit gjatë karrierës së modelingut.

Profili i tij unik, tërhoqi menjëherë emrat e njohur të botës së modës, për ta pasur pjesë të fushatave të tyre publicitare, ndërsa nisën menjëherë propozimet për të qenë pjesë e kopertinave të revistave prestigjioze. Roberto Cavalli ishte i pari i cili i besoi reklamën e parfumit të tij, ndërsa më pas firmosi kontrata të njëpasnjëshme me markat e njohura: Hugo Boss, Cucinelli, Tommy Hilfiger, Omega dhe Cruciani.

Fillimi i karrierës si bloger, startoi në vitin 2012. “Fillova të postoja veshjet e mia dhe ato të njerëzve interesante që shihja në rrugë. Më pëlqen të udhëtoj, ndaj sa herë shoh dikë që vishet bukur, i kërkoj të shkrep një foto. Duke parë numrin e ndjekësve në rrjetet sociale, vendosa të fokusohesha në këtë rrugë”-rrëfen Di Vaio. I entuziazmuar nga suksesi dhe lidhja e tij me modën, ai vendosi të jetë pjesë e saj duke pasur një markë të vetën. Marka e veshjeve të tij është MDV, akronimi i emrit. Ai nisi të prezantojë fillimisht linjën e bizhuterive, të cilën e zbuloi për herë të parë në Paris White Show në bashkëpunim me Cruciani. Më pas vendosi t’i dedikohej linjave mashkullore, duke hedhur në treg linjën e koleksionit të këpucëve MDV Shoes, ku i mëshoi fort vlerave të produkteve Made In Italy. “Zgjodha të punoj me një kompani historike italiane këpucësh si Falc, për të krijuar një produkt me cilësi, ndërsa zgjodha që mënyra më e mirë për t’i shitur është përmes internetit dhe pjesërisht në dyqane”.

Mariano nuk është nga ata që rrinë 12 orë pa lëvizur për të krijuar, pasi ai ka një tjetër filozofi e cila udhëheq punën e tij krijuese. “Duke ditur sistemin e modës, edhe kërkesën që ka sot për të blerë, mënyra më e mirë për t’u frymëzuar janë udhëtimet. Nuk hezitoj kurrë ta bëj, sepse e di që kur të kthehem do të kem mësuar shumë nga kultura e vendeve apo njerëzve që takoj, stilet e jetës apo mentaliteti”.

Vitin e shkuar koleksionit MDV iu bashkëngjit edhe linja e atleteve dhe syzeve të diellit, pjesa më e madhe e të cilave, reklamohet nga vetë ai përmes rrjeteve sociale, por edhe duke qenë i pranishëm në evenimentet e modës. “Pasioni për modën lindi në vitin 2009 në Nju Jork. Të them të vërtetën gjithmonë kam dashur të kuroj imazhin tim, ndaj mendova pse të mos jem vetë kartvizita e emrit tim, pra të komunikoj përmes stilit tim”-rrëfen stilisti dhe blogeri Italian. Ai beson se njerëzit e shprehin veten përmes veshjes së tyre, ndaj ai ka vendosur të komunikojë me veshjen e tij.

Çelësi i suksesit? Mariano beson qartë se në botën e internetit nuk mund të bëhesh aspak i rëndësishëm në qoftë se nuk ke asgjë për të thënë. Unë flas vazhdimisht me ndjekësit e mi. Nuk lejoj banalitete, por i lejoj ata të më sugjerojnë.

E në fund, kur e pyet se sa ka shkuar numri i ndjekëseve femra, ai buzeqësh. Sigurisht ato janë miliona, por asnjë prej tyre nuk mund të zërë vendin e bashkëshortes së tij Eleonora Brunacci, e cila i ka dhuruar para pak kohësh frutat e dashurisë së tyre. “Familja është shumë e rëndësishme për mua. E dua dhe e mbroj atë” – përfundon modeli, blogeri dhe stilisti italian.

Botuar ne Revista BORDO!

easy dinner ideas
Previous ArticleNext Article