KreuArt

Intervistë ekskluzive/ Tiri Gjoci: Nuk bëj muzikë për klikime!

Nga Emi Koleci
Fotografia: Leo Arapaj 

Të gjithë e njohim Tiri Gjoçi, për artistin e talentuar që ai është. Suksesi nisi me këngën “Zemërthyer” që vazhdon të mbetet hit, një bashkëpunim me artistin Dr. Flori. Për t’u shpallur më pas zëri më i mirë në Shqipëri në spektaklin “The Voice of Albania”.
Këngët dhe zëri i Tirit janë gjithmonë zgjedhje e mirë për t’u patur në kufje në vrapin e mëngjesit, në xhirot me makinë apo në festat me shoqërinë. Ai numëron disa projekte shumë të arrira artistikisht dhe mjaft të suksesshme. Kemi patur kënaqësinë që për disa sezone televizive të shijojmë zërin që i rebelohet epokës komerciale çdo javë në ekran. Për të, arti nuk është thjesht biznes… është pasion. Është inspirim dhe ndonjëherë është vetë shpirti që i serviret publikut në nota. Ne mund dhe të heshtim, mos të vazhdojmë të flasim për Tirin, e sërish muzika që ai bën do të flasi furishëm dhe në këtë intervistë do të kuptoni sa shumë pasion, dëshirë dhe frymëzim ka brenda tij.

Vitin e fundit e kemi parë Tirin më shpesh në ekran dhe më të angazhuar në muzikë, si ndihesh me suksesin e deritanishëm? 

Duhet thënë që ka qenë një vit i ngarkuar për mua por dhe një vit i suksesshëm, të paktën deri më tani, e megjithatë besoj që më e mira nuk ka ardhur akoma… Jam shumë i fokusuar në projektet e së ardhmes, të cilat janë objektivi im kryesor për momentin.

Këngët e tua, mes të tjerash japin mesazhe dashurie, në projektet e fundit je shprehur edhe për dedikime… A janë historitë personale gjithmonë frymëzimi i krijimeve të tua?

Për mua është e pakuptimtë të krijosh një këngë me tekst dashurie dhe mos të kesh dikë ndër mend! Por megjithatë, jo gjithmonë këngët që këndoj unë janë me tekst të shkruar po nga vetë unë. Përshembull  tekstin e këngës së fundit “A ma thu” ja besova Neda Ballukut e cila ka bërë një punë të shkëlqyer.

Prej kohësh po punoni me vëllezërit Veshaj, të cilët së fundmi janë bërë edhe pjesë e tregut muzikor, keni menduar për një bashkëpunim të mundshëm? 

Po, ka pothuajse dy vite që po punoj sëbashku me ta dhe përsa i përket bashkëpunimit, e kemi menduar një gjë të tillë në një të ardhme të afërt, por nuk kemi momentalisht diçka konkrete.

Si profesionist në atë fushë, cili është më i talentuari? 

Nuk mund të them se kush është më i talentuar, fundja ata janë si dy pika uji, nuk mund të vendosësh gishtin tek asnjëri si më i talentuari. Mund të them se ku çalon njëri, e plotëson tjetri.

Je shpallur zëri më i mirë në Shqipëri, por nga ana tjetër lufta për klikime ka bërë më të populluar, famshëm, këngëtarët e playback-ut, këngëtarët autotune.., çfarë të vjen të thuash për këtë? 

Epo me sa duket, nuk është çështje talenti… ( Qesh ) Besoj se gjithsecili nga ne ka perceptimin e tij për sa i përket “suksesit”. Për mua suksesi nuk është të arrij të sfidoj të tjerët me anë të klikimeve, por të arrij të depërtoj thellë me artin tim në shpirtrat e atyre që më ndjekin dhe më dëgjojnë. Ky është suksesi im.

Shohim hyrje të reja në muzikë që marrin një sukses të menjëhershëm vetëm nga emri i ‘labelit’ që menaxhohen… Tiri e ka nisur rrugën e muzikës vetë, vështirësia më e madhe që ke hasur?

Kur diçka e bën me pasion dhe për pasion nuk i llogarit vështirësitë, por megjithatë lufta më e madhe ka qenë dhe vazhdon të jetë përballja me tregun tonë të ashpër dhe sipërfaqësor muzikor, ku siç e thatë dhe ju, përditë mbijnë këngëtarë të rinj që në fakt nuk thonë asgjë.

Kemi dëgjuar raste që kanë hequr dorë nga bota e muzikës dhe pse të talentuar, a mendon se lidhet vetëm me mungesën e pasionit? Po ti ke menduar ndonjëherë të heqësh dorë nga ky treg? 

Nuk mund të merresh me muzikë nëse nuk e ke pasion… Jo vetëm në muzikë, por në asnjë fushë nuk duhet të jetë ndryshe. Mendoj tregun e muzikës, shumica e shohin si një mënyrë për të fituar famë, ndërkohë që qëllimi i vërtetë duhet të jetë të krijuarit e një materiali të mirë muzikor, sigurisht edhe me një mesazh.
Nuk e kam menduar dhe nuk e mendoj se do të heq ndonjëherë dorë nga muzika, mbase në një të ardhme të largët mund të mos jetë prioritet, siç ka qenë deri tani, por që të heq dorë besoj se është e pamundur.

Klipet, muzika që ti bën, vjen ndyshe nga çfarë eshtë trend në Shqipëri, do bëheshe më komercial në të ardhmen, apo nuk do të bëje një kompromis të tillë për famën? 

Unë nuk synoj të jem trend, apo më komercial, sepse kjo gjë sot është shumë e thjeshtë dhe mbi të gjitha shumë e përhapur. Nëse qëllimi im do ishte i tillë, do kisha vepruar dhe punuar ndryshe. Mendoj se arti dhe muzika nuk janë thjesht biznes, dhe se gjithsecili është i ndryshëm.

Çfarë dëshiron ti të ndjejnë dëgjuesit e këngëve tuaja?

Atë që ndjej unë kur i shkruaj këngët…
Do doja që të ndjenim të njëjtin emocion që unë ndjej kur i këndoj ato.
Ky është suksesi i vërtetë…

Je një nga artistët që nuk kemi dëgjuar për shuma marramendëse në koncerte, me hapat e tua dhe “me këmbë në tokë” mund të fitojë mjaftueshëm profesioni i këngëtarit?

Patjetër! Fakti që nuk dalim nëpër “listat e këngëtarëve që marrin shuma marramendëse”, nuk do të thotë që nuk ja dalim.

Suksesi juaj ka ardhur në shkallë rritje por jo të menjëhershme, artist i netëve ‘Live’, pjesëmarrës në kompeticione, krijon muzikë… si do ta këshilloje një të ri/re që do të futet në botën e artit? 

Në fakt jam shumë i lumtur që arritjet e mia kanë qenë graduale dhe jo të menjëhershme. Të rinjve do t’i thoja që çelësi i suksesit është puna e vazhdueshme dhe intensive. Ëndërroni shumë dhe mbështetuni tek ëndrrat tuaja, por gjithmonë duke pasur një vizion tuajin në kokë.

Jemi në mbyllje të këtij sezoni televiziv, do të jesh sërish pjesë e “Më lër të flas” edhe për sezonin tjetër? Cilat janë planet për projektet e reja artistike? 

Ende mbetet për t’u parë nëse do të ketë një sezon të dytë…
Plane kam shumë dhe jam shumë i motivuar për projektet që do të vijnë. Kam shumë besim tek e ardhmja dhe tek puna që kam investuar për materialet që pres të publikoj shumë shpejt.

©Botuar në Revista BORDO, Gusht 2022!

Tags:

Home Art

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF