KreuArt

Naomi Campbell: Pantera e pasarelave

Ngjyra e lëkurës e bëri të jetë unike, por edhe bukuria, hiret dhe linjat e një pantere të vërtetë, e cila pas 30 vitesh karrierë renditet si e vetmja ikonë e modelingut më jetëgjatë dhe e pranishme e ende në botën e modës

Sa herë përmenden modelet, imazhi i saj është ndër të parët që na vjen ndër mend. Ndoshta, një nga përfaqësueset më tipike të njerëzve me ngjyrë, Naomi Campbell mbetet ndër ikonat e paharrueshme të botës së personazheve. Lindur në Londrën e viteve ’70, Campbell ka vetëm një frazë shumë origjinale për të përshkruar veten si fëmijë: “Kalova një fëmijëri të jashtëzakonshme, thjesht ndjeja se isha një njeri i rritur brenda një trupi prej vocërrakeje”. Me vullnet të hekurt për të arritur shumëçka, që në moshë fare të vogël, modelja ishte vetëm pesë vjeç, kur i duhej të ndërronte dy trena dhe një autobuz, për të shkuar në anën e kundërt të kryeqytetit britanik, ku dhe ndodhej asokohe shkolla e saj. Pas shtatë vitesh, Campbell u transferua në shkollën Italia Conti, por gjatë kësaj kohe kishte arritur të ishte pjesë e disa videove muzikore apo televizive në tërësi. Dhe, siç mund të kuptohet, ndër këto projekte të hershme, vetë Naomi nuk mund ta harrojë prezencën në klipin ‘Is This Love’ të Bob Marley. Arsyeja? “Familja ime e dashuronte reggae-në. Nuk e dija që ishte Bob Marley ai që do të qendronte pranë meje. Ishte mashkulli më i pashëm, me një strukturë kockore perfekte, i karakterizuar nga një mënyrë shumë e butë të të folurit, me theksin tipik xhamaikan, që unë e kisha të njohur nga shtëpia….”

Nga ana tjetër, e gjithë kjo dëshirë për t’u angazhuar aty, në botën e personazheve, buronte nga personi më i afërt për Campbell. Deri në moshën 12-vjeçare, modelja jetonte në shtëpinë e gjyshes, ndërsa e ëma, Valerie, të cilën e përshkruan si një femër plot stil dhe hijeshi, ishte kërcimtare, që nuk jetonte në Londër. Jeta e saj u orvat në Itali dhe në Zvicër, por nga ana tjetër, gjithmonë gjente kohën për t’u kthyer e për të vizituar të bijën. Ishte pikërisht Valerie ajo që i injektoi dëshirën për modelingun, kur Naomi ishte rreth trembëdhjetë vjeç. E ëma kishte marrë pjesë në një sfilatë mode asokohe, dhe Campbell ende e kujton se si ajo i kishte mësuar mënyrën e të ecurit në një pasarelë. “Në sfond dëgjohej Lionel Richie dhe unë e vështroja me kurreshtje, se si ajo lëvizte në bazë të tingujve të muzikës…” Dhe, pas kësaj, në një ditë krejt të zakonshme shkolle, do të vinte momenti që, pa dijeninë e askujt, pa e parashikuar, Campbell të spikatej në rrugët londineze. Në një pasdite të ngrohtë prilli, modelja kishte vendosur të shëtiste pak me mikeshat pas mësimit. Të treja të veshura me uniformat shkollore: fund blu me pala, bluzë blu e errët me jakë V, këmishë, xhaketë kollare, dhe (sa për Naomi-n, të paktën) një palë çizme Dr. Martens! Supozohej të vendosnin dhe kapele në kokë, por vajzat nuk kishin ndër mend të prishnin imazhin me një aksesor të atillë asokohe. Pikërisht, në një pasdite të tillë pranvere, Beth Boldt, drejtuesja e agjencisë Synchro, i ishte afruar Campbell duke e pyetur nëse e kishte menduar ndonjëherë të merrej me modeling. Mundësia e artë, fat që të tjerët e kërkojnë, e nuk iu vjen!…Por, në gjithë këtë entuziazëm e sipër, si për çudi, e ëma e modeles nuk ishte plotësisht dakort me këtë ofertë. Campbell e justfikon me faktin se kishin dëgjuar plot histori për vajza nga më të ndryshmet, që i paguanin një shumë të majme për t’i fotografuar, e më pas humbisnin në hiç. Valerie kishte plane për të bijën, dëshironte që ajo të mbaronte shkollën dhe çdo provim të detyrueshëm. Nga ana tjetër, Naomi dëshironte që t’i bënte gjërat siç dëshironte vetë!

Kështu, mori guximin dhe shkoi ta takonte vetë Beth Boldt. Kjo e fundit kishte filluar punën menjëherë: i kishte ndarë flokët në mes, e kishte grimuar dhe kishte realizuar disa foto bardh e zi të Campbell, ashtu siç ishte, me uniformën shkollore. Në çaste si ky, Valerie kishte kuptuar se pak nga pak mund të mësohej me idenë se e bija ishte modele, dhe një faktor që ndikoi dukshëm në këtë bindje, ishte dhe premtimi se puna nuk do të ndikonte në rezultatet në shkollë. Vetëm tre muaj pas firmosjes së kontratës me Synchro, për Campbell u bë i mundur realizimi i një seti të madh fotografik me British Elle. Iu desh të fluturonte në New Orleans, dhe sapo u kthye në Londër, mësoi se kërkohej nga agjentë amerikanë. Ishte vetëm 16 vjeç, kur mori ftesën e parë nga Parisi. Fillimisht, ishte teto e saj, June, ajo që e shoqëroi në Francë, por hoqi dorë shumë shpejt, kur e kuptoi se Campbell duhet të shkonte atje disa herë brenda muajit, vetëm për të realizuar setin për Elle Francë. Duke qenë se çdo gjë po shkonte mirë, diçka e keqe duhet të ndodhte medoemos. Kështu, një ditë të paparashikuar, modelja mësoi se i kishin vjedhur të gjitha të ardhurat në dhomën ku ajo qendronte. Është ndoshta momenti kur mendon se lipset nevoja të shprehësh keqardhjen, por fati i buzëqeshi Campbell menjëherë, duke e hedhur në një hap akoma dhe më të rëndësishëm në karrierën e saj të saponisur.

Amanda Cazalet ishte ajo që e ndihmoi modelen pasi humbi çdo të ardhur, duke e marrë me vete si shoqëruesen e saj. Për fatin e mirë të Campbell, Cazalet kishte një takim me një dizanjer atë ditë (eh, ç’dizanjer!) dhe fare pa e ditur dhe pa ia njohur emrin, Naomi përfundon në shtëpinë e … Azzedine Alaia! Me gjithë mikpritjen e tij tipike, Alaia kishte sugjeruar që Campbell të qendronte në shtëpinë e tij, për aq kohë sa do të endej në studiot e Parisit. Një vendim të tillë modelja nuk mund ta merrte e vetme, kështu që stilisti kishte telefonuar Valerie, duke e siguruar që e bija do të ishte për mrekulli nën kujdesin e Azeedine. Nëse më parë jeta e Naomi-t ishte vetëm hotel-studio-hotel, tashmë ajo e kishte të siguruar strehën e saj të ngrohtë, sa herë që do të shkonte në Paris. Marrëdhënia me Azzedine e tejkalonte atë të një miqësie të thjeshtë, për aq kohë sa ai e trajtonte modelen si vajzën e tij. Ajo i thërriste “Papa”, ndërsa ai “bija ime”. Tek Alaia, Naomi nuk gjeti thjesht një shtëpi apo rolin e babait të munguar. Nëpërmjet tij, ajo takoi shumë personalitete, si: Tina Turner, Andree Putman, Jean-Paul Goude, Jerry Hall, Grace Jones. Emra si Chris Blackwell apo Quincy Jones u shndërruan shumë shpejt në të tjerë modele tipike atërore për Campbell, e cila po përjetonte periudhën më të bukur të jetës asokohe. Duke qenë se ende ishte në fillime, kontratat nuk ishin aspak të thjeshta për t’u siguruar. Si për të mos mjaftuar kjo, ngjyra e lëkurës e penalizonte jo pak Naomi-n në atë kohë. Eksperiencat e mëparshme në punë e kishin ‘kalitur’ me këtë pjesë, dhe Campbell kishte mësuar diçka: të jesh i zi do të thotë të tregosh se je dyfish më i mirë nga ç’je në të vërtetë…

Si e pamposhtur nga ky realitet i hidhur, Campbell përfundon në kopertinën e Vogue Britania më 1987. As nuk e dinte që do të realizonte një arritje të tillë, për aq kohë sa stafi realizues e quante ‘provë për kopertinën’, që do të thoshte ‘provo më të mirën që të jesh aty’. Fotograf në atë kohë ishte Patrick Demarchelier, të cilin Naomi e cilëson si ‘xhentil të vërtetë’. Perceptuar në ngjyrë ari, Naomi ishte e veshur kokë e këmbë me Chanel, për të shkëlqyer në kopertinën e saj të parë. Menjëherë pas kësaj, modelja rendi për në zyrat e Vogue, ku mësoi se ishte imazhi i kopertinës së dhjetorit. “Duke parë gjithë ato numra me vajza të bukura përreth, si Christy dhe Yasmin, mendova me vete: ‘Uau, kam dhe unë një të tillë!’” Vitin vijues, qershori do të sillte setin për kopertinën e Vogue Italia. Tre muaj më vonë, ndodhi e papritura: imazhi i Campbell përfaqësonte kopertinën e Vogue Francë. Pse surprizë? Pavarësisht punës intensive në këtë revistë, duke u treguar të sjellshëm, stafi ia kishte bërë të qartë modeles se kopertina për të ishte një hap shumë i madh, që nuk do të ndodhte kurrë. Jo vetëm që ndodhi, por ishte dhe një marrëveshje goxha e majme. Naomi as që nuk e dinte se asnjë modele me ngjyrë nuk ishte bërë pjesë e kësaj kopertine më parë. Kur numri i ri doli në gusht të 1988-tës, Campbell mësoi se ishte e para vajzë zezake që po bënte histori në fushën e modës. “Vetëm kështu e tejkalova presionin e madh” Por, mirënjohjen e pafundme, Naomi ia dedikon Anna Wintour, pasi vetëm një vit më vonë, falë emrit më të njohur të Vogue, Campbell do të dilte në kopertinën e kësaj reviste në Amerikë. Ishte hera e parë që Wintour punonte si kryeredaktore, kështu që Naomi rrëfen se ajo investoi çdo energji të sajën për atë numër. Nga ana tjetër, për Campbell kjo ishte një eksperiencë shkatërruese për sistemin nervor, pasi sapo kishte mësuar se sa e rëndësishme ishte prezenca e një modeleje me ngjyrë në botën e egër të modës.

Treshja e Artë’

Naomi, Christy dhe Linda…! Campbell u takua me Christy Turlington në Londër në vitin 1986. Ishte ende në shkollë, por takimi i parë mes tyre ishte nga ato kimitë e lindura në çast. Edhe pse të saponjohura, Christy kishte sugjeruar që Naomi të jetonte me të në New York. Dhe kështu ndodhi, deri sa Campbell spikati Linda Evangelista në një shfaqje në Paris. Për Naomi-n, Linda konsiderohet si ‘fat’ në marrëdhënien e tyre prej tre mikeshave, të cilat karakterizoheshin nga një miqësi e pandashme. Çfarë nuk harron Campbell është fakti se si Turlington dhe Evangelista, filluan t’iu vinin kushte stilistëve: “Po nuk na morët të trijave, nuk vjen asnjëra!” Një përpjekje kjo e arritur me sukses, karakterizuar nga një frymë e fortë dhe e pazakontë dashamirësie, vetëm e vetëm që Naomi të përfshihej sa më shumë në botën e modës.

Humbja e miqve të ngushtë

1997-ta shënoi një rënie emocionale për Campbell. E miqësuar tashmë me shumë e shumë figura publike, shumë prej njerëzve të saj më të afërt në rrethin e VIP-ave, ndërruan jetë njëri pas tjetrit. Çfarë e lëndoi më shumë, ishte largimi nga jeta i Gianni Versace, duke i lënë kështu modeles një shije të hidhur për jetën në tërësi. Vetë Naomi rrëfen se u përpiqte ta mbyste dhimbjen duke pirë në festa të ndryshme, por kjo thjesht e përkeqësonte gjendjen edhe më shumë. Takimi i fundit me Versace-n kishte qenë gjatë një darke në Ritz në Paris, pas shfaqjes në atelierin e dizanjerit. Pasi kujton momentet e trishtuara që e çuan gati në depresion pas mësimit për vdekjen e Gianni-t, Campbell nuk lë pa përmendur faktin se në varrim merrte pjesë edhe Princeshë Diana. Me të famshmen Lady D, modelja ishte takuar dhe më parë, kur e preferuar e Pallatit Kensington kishte ftuar Naomi-n, Claudia-n dhe Christy-n për t’i bërë një surprizë Princit William pasi të kthehej nga shkolla. Campbell kujton me të qeshur se si William ishte skuqur i tëri, sapo i kishte parë vajzat që qendronin para tij. Në çaste të vështira si ato të vdekjes së Versace-s, Diana e kishte ngushëlluar Naomi-n, duke i treguar se sa shumë stilisti e vlerësonte dhe e adhuronte Campbell. Dhe, shumë pak pas kësaj, modelja mësoi se Lady D kishte ndërruar jetë. “Sa herë që jam në Paris, i them shoferit të mos kalojë nga ai tunel!”

Takimi me liderët botërorë

Prezencën e saj të shpeshtë pranë emrave të rëndësishëm të politikës, dhe jo vetëm, Naomi ia dedikon kontributit të saj si redaktore në British GQ dhe në revistën Interview për Gjermaninë dhe Rusinë. Figura si Presidenti Lulu i Brazilit, Putini, Michelle dhe Barack Obama etj., janë fotografuar gjatë bisedave me Campbell, gjë që ka tërhequr jo pak vëmendjen e publikut. Naomi e deklaron që nuk ka asnjë lidhje me politikën apo qendrime të ngjashme të këtij lloji. E vetmja arsye pse e kemi parë aq shpesh pranë personazheve të tillë buron thjesht nga dëshira e saj për të mësuar më shumë rreth vështirësive të politikanëve dhe mënyrës së tyrë të menaxhimit për të bërë më të mirën për popullin e vendit që udhëheqin. Modelja kujton se si Vladimir Putin i kishte lënë një dhuratë në dhomën ku do të qendronte Campbell, sapo ajo kishte arritur në Moskë: një libër kushtuar arteve marciale, pasion i madh i rusit të famshëm. Hugo Chavez kishte lënë gjithçka pas dore plot dy ditë, vetëm për t’i treguar modeles Karakasin. Sa për çiftin Obama, Naomi shprehet se Barack ishte shumë frymëzues dhe sharmant, ndërsa Michelle tepër e zgjuar dhe mikpritëse. Ish-Zonja e Parë ia kishte shprehur hapur simpatinë Naomi-t si modele, duke i theksuar se e kishte ndjekur karrierën e saj prej vitesh. Nga ana tjetër, Campbell ka një peng të vogël lidhur me intervistat e politikanëve. Do të dëshironte të intervistonte Kim Jong të Koresë së Veriut para se ai të vdiste, vetëm për të mësuar pse e distancoi vendin e tij nga pjesa tjetër e botës…
Sot, pas gjithëçka kemi lexuar dhe mësuar për Naomi-n, pas gjithë rrëfimit të saj për rrugëtimin në botën e modelingut, mund të themi me siguri: E pamposhtura Campbell!

 

©Botuar në Revista BORDO,shkurt 2018

Tags:

Home Art

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF