KreuCelebrity

Noizy ja doli! Theu rekord.

Këndoi live, i shoqëruar me bande live, për t’i dhënë koncertit të tij të tjera përmasa edhe më reale edhe më gjigande, siç e kishte premtuar që në krye të herës për gjithë funs-at e tij. Theu rekord në shitjen e biletave që shkuan mbi 15 mijë, siç nuk ka ndodhur asnjëherë më parë në Shqipëri e siç në fakt ai vetë deri diku e kishte parashikuar e besuar.

Ndoshta sepse e di më mirë se askush tjetër energjinë, forcën që e lidh atë më gjithë njerëzit që e ndjekin dhe ja duan muzikën që ai bën. Ndoshta sepse ishte i bindur për gjithçka kishte përgatitur për të sjellë në këtë skenë, jo vetëm 16 vitet e pjekurisë dhe suksesit të tij artistik por dhe artistët më të mirë shqiptarë e të huaj të muzikës hip- hop e rap.

Mbrëmë në më shumë se shtatë orë Noizy shfaqi para qindra e mijëra njerëzve në sheshin “Nënë Tereza” një koncert në përmasat e një festivali ndërkombëtar, me ritme e muzikë që i bëri gjithë njerëzit në shesh të këndojnë njëzëri e të kërcejnë pa u lodhur për asnjë sekond deri përtej mesnatës, në qejfin e një evenimenti me standarte të larta organizative, ku u respektuan të gjithë rregullat e protokollet e sigurisë, që nuk shqetësoi askënd edhe në momentin kur ikja e dritave u duk se do të krijonte probleme për organizatorët… por jo gjithçka u kalua me një eufori të jashtëzakonshme që ta japin vetëm koncerte si ky i “Alpha show”.

Kulmi ishte sigurisht ai momenti kur kurora e madhe e skenës nisi të ngjitej, ndërsa në ledwall po shfaqej në pak fjalë historia e artistit që e kanë dashur e kontestuar në gjithë këto vite ndësa ai shënonte vit pas viti sukseset e tij, kur protagonisti i asaj mbrëmje, Noizy, u shfaq si nga nëntoka, kur muzika e tij nisi e kur fishekzjarrët ndezën qiellin.

Pastaj për afro 90 minuta i vetëm, me bandën e tij muzikore në skenë Noizy e rriti adrenalinën e turmës që kishte pushtuar sheshin “Nënë Tereza” në maksimum… derisa do të vinte dhe momenti i dueteve më të suksesshme që ai ka sjellë së fundi në tregun muzikor me Dhurata Dorën, Ylli Limanin, Loredanën e Raf Camorën. Apo edhe ai momenti i takimit skenik e publik me Stresin, si një sinjal për paqen, që u mirëprit me brohorima nga publiku. Finalja do të ishte ajo e duhura: Noizy përmblodhi në një këngë të fundit gjithë historinë e tij: “Nuk kanë besu” por ja që tashmë askush s’mund të ketë më asnjë pikë dyshimi e diskutimi se ai ja doli të kthehet në një fenomen të muzikës hip- hop e të thyejë rekordet me këtë koncert të madh që solli mbrëmë në Tiranë.

Historia që Noizy bëri mbrëmë është vetëm një: theu rekordet. Dhe siç ai e ka thënë në gjithë këto kohë e siç e theksoi dhe në skenën e koncertit: gjithçka ndodhi mbrëmë, çdo këngë e fjalë, edhe kurora e madhe që u ngrit ishte e gjitha për funs-at e tij që e kanë ndjekur e i kanë dhënë suksesin në 16 vitet e karrierës së tij muzikore.

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF