KreuArt

Të përjetosh jetën e shkuar, mësoni mbi praktikat e kësaj terapie!

Të përjetosh jetën e shkuar, mësoni mbi praktikat e

Kthimi mbrapa në jetët e shkuara – Past life regression therapy, është një teknikë terapeutike për të pasur akses dhe për të ripërjetuar jetët tona të shkuara. Kujtimet e jetës së shkuar janë një autobiografi e shpiritit tonë të përjetshëm dhe histori personale që shpjegojnë pse ne jemi tani dhe në tokë. Teknika që përdoret gjatë kësaj terapie përfshin subjektin i cili u përgjigjet një seri pyetjesh gjatë kohës që është i hipnotizuar, për të zbuluar identitetin dhe ngjarjet që lidhen me jetën e shkuar.

Në literaturën e lashtë Indiane, procesi i kthimit në jetët e shkuara quhej prati – prasav (kthim në lindje) dhe shihej si adresim i problemeve aktuale përmes kujtimeve të jetëve të shkuara. Disa lloje yogash, vazhdojnë të përdorin praktikën e prati – prasav.
Në mitologjinë Kineze, besohej se hyjnia Menk Po, e njohur ndryshe si Zonja e Harresës, privonte shpirtrat që të kujtonin jetët e shkuar, duke i dhënë atyre një pije të ëmbël dhe të hidhur njëkohësisht, që fshinte kujtimet e tyre para se të vendoseshin në ciklin e rimishërimit.

Në periudhën moderne ishte puna e Madame Blavatsky, themeluesja e shoqërisë theosophicial, që i dha kësaj lloj terapie popularitet, sidomos në perëndim. Edukatori francez Alan Kardec, bëri kërkime për jetët e shkuara në librat The Spirits Book dhe Heaven and Hell.  Terapia e kthimit në jetët e shkuara është zhvilluar nga viti 1950 nga psikologë, psikiatër dhe mediumë.

Praktikat e terapisë së kthimit në jetët e shkuara

Gjatë kohës që është në një trans të lehtë pacienti me hipnoterapistin si një drejtues fillon të përjetojë jetën e tij të shkuar. Ai e shikon dhe e ndjen atë. Ai është personazhi kryesor, thellësisht i përfshirë në historinë e jetës së tij të shkuar. Ai mund të përjetojë kujtimet, si një film ose si një varg imazhesh të zbehta. Pacienti mund të kujtojë skena nga një fushë beteje nga jeta e shkuar, mund të dëgjojë muzikë apo të kujtojë dhe aroma të caktuara. Gjatë kohës që historia zbërthehet pacienti mund të kujtojë emocione që mund të ketë përjetuar në situata të caktuara, të rëndësishme në jetën e shkuar. Si për shembull gëzim dhe ankthe.

Psikiatri, hipnoterapisti dhe autor i një sërë librash mbi kthimin në jetët e shkuara, Brian Weiss këshillon se pacienti duhet të jetë i relaksuar, i hapur dhe jo gjykues mbi eksperiencën. Nëse pacienti i lë hapësirë pjesës racionale të trurit duke dyshuar nëse ajo që po sheh po krijohet nga imagjinata dhe nuk është e vërtetë, kujtimet do të bllokohen dhe ai do të humbasë një mundësi për të kujtuar jetën e tij të shkuar.

Pacienti duhet të lërë eksperiencën të ndodhë dhe informacionin nga e pavetëdijshmja të zbërthehet, në fund të seancës ai mund ta analizojë atë. Ekzistojnë njerëz të cilët kërkojnë të vërtetojnë kujtimet e tyre pas seancës. Ata mund të kërkojnë për identitetin që kanë pasur në jetën e shkuar, të kërkojnë rrugën kur kanë jetuar, shtëpinë etj.

Një nga rastet më të jashtëzakonshme është ajo e një gruaje të quajtur Jenny Cockwell. Kur ishte fëmijë, ajo kishte kujtime sikur kishte jetuar në Irlandë dhe kishte vdekur gjatë kohës që fëmijët e saj ishin shumë të vegjël. Kur u bë adulte ajo vendosi të kërkonte për fëmijët dhe arriti të gjente 5 nga 8 fëmijët që kishte pasur gjatë jetës së saj së kaluar.

Xenoglossy, e cila është aftësia për të folur në mënyrë fluente një gjuhë që nuk e ke mësuar apo dëgjuar më parë, është një fenomen i cili vërteton ekzistencën e jetëve të shkuara.

Gjatë seancës së kthimit mbrapa në jetët e shkuara, hipnoterapisti i lexon pacientit një skenar, i cili ka si qëllim t’a relaksojë atë dhe të bëjë të mundur regresionin në jetën e shkuar. Elementë të këtij skenari mund të jetë një shkallë e cila zbret poshtë, një kopsht me lule, një dritë e bardhë. Këto elementë përdoren për të thelluar kalimin në jetën e shkuar dhe për t’a bërë pacientin të ndihet i relaksuar, i qetë dhe i sigurt.

Për shembull, drita e bardhë është një simbol i njohur në të gjitha kulturat dhe shoqëritë në botë. Drita transmeton ndjenjën e paqes dhe ngjyra e bardhë përdoret si metaforë për të hapur mendjen dhe për të aktivizuar perceptimin. Shkalla e cila simbolikisht zbret poshtë e drejton pacientin drejt një vetëdijeje dhe fokusimi më të thellë. Kopshti është një metaforë e vendit të sigurt, ku pacienti mund të ndihet i mbrojtur. Kalimi në jetën e shkuar është një proces ku pacienti është totalisht i sigurt dhe nën drejtimin e hipno-terapistit.

Trajtimi

Të gjithë mbajmë kujtime nga jetët e shkuara. Kujtimet për të cilat jemi të pavetëdijshëm dhe përmbajnë një ngarkesë energjie që vazhdon të kenë efekt mbi ne. Mund të kenë qenë gjëra që kemi lënë për gjysmë, arritje, dështime, gabime, sukses, mos përmbushje emocionale, ndjenja faji, mirënjohje, vdekje traumatike dhe dashuri.

Këto ngarkesa nga e kaluara formojnë modele të cilat janë vazhdimisht të ngacmuara dhe të përsëritura në jetët e tanishme. Këto modele mund të jenë pozitive ose negative dhe prekin marrëdhëniet tona, sjelljet, motivacionet madje dhe trupin fizik e shëndetin.

Modelet pozitive mund të ndikojnë në talente, urtësi dhe në qëllimin e jetës. Modelet negative nxisin sjellje jo të shëndetshme dhe kompulsive, gjykim të turbullt dhe mund të bllokojnë rrugëtimin tonë. Duke u bërë të vetëdijshëm për kujtimet tona ne mund të çlirojmë modelet që nuk na duhen më. Duke u ndjerë më të lirë dhe duke jetuar në të tashmen, modelet pozitive mund të përforcohen dhe modelet negative të neutralizohen.

Kthimi në jetët e shkuara është një proces i cilin shëron shpirtin duke shëruar të shkuarën.

Botuar në Revista BORDO, 2018

 

Tags:

Home Art

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF