Artizani Agli Sefa, duart krijuese të Tiranës së re

Tirana po lulëzon me ndërtime të reja, komplekse apartamentesh, restorante dhe zhvillime të tjera të pronës së patundshme që i pershtaten një qyteti modern me investime ndërkombëtare, rritjen e pasurisë vendase dhe cilësinë e jetës. 2022 shënon një numër të lartë për lejet e ndërtimit, me miratimin e 800,000 metra katrorëve lëshuar vetëm në tremujorin e parë. Ndërtues të mëdhenj si KDK shpk, Agikons shpk , Salillari, ManeTci dhe kompani të tjera kanë mjete dhe metoda që krijojnë  pa pushim ndërtesa të panumërta me sistemet themelore të brendshme deri në përfundim; kanë punëtorë të kualifikuar, elektriçistë, hidraulikë, zdrukthëtarë, bojaxhinj dhe tregtarë të tjerë që formojnë skuadra të kualifikuara që i përkushtohen kësaj infrastrukture të jashtëzakonshme.  Por, çfarë e bën një ndërtesë më të veçantë dhe më unike? Ky është momenti kur ndërhyn artizani, një specialist krijues i cili me kontributin e dekorit dhe elementëve të tjera të bukurisë dhe funksionit ndihmon në zbukurimin e fasadave duke i dhënë këtyre ndërtesave personalitet të veçantë dhe duke influencuar në peizazhin e qytetit [cityscape]. Folëm kohët e fundit me Agli Sefa, 43 vjeç, një artizan i njohur, puna e të cilit zbukuron shumë nga strukturat më të njohura të Tiranës dhe që ka krijuar edhe vepra të tjera të shquara arti sipas mënyrës së veçantë të tij, si skulptura, monumente, friza dhe piktura në Shqipëri dhe ndërkombëtarisht.

Çfarë bën në të vërtetë një artizan dhe si ndryshon nga ajo që bën një artist?

Si artizan i përfytyroj veshjet arkitekturore dhe prodhimet e artit në mënyrë tre-dimensionale për të kuptuar se si do të funksionojnë kur të instalohen në një objekt. Një artizan ndërtimi mund të prodhojë punë nëpërmjet specialiteteve të ndryshme dhe në materiale të ndryshme, si betoni, allçiu, guri, bronzi, druri, por gjithashtu duhet t’i kushtojë vëmendje procesit të prodhimit. Procesi për të krijuar këto elemente fillon me vizatimin ose linjën e punës dhe shpesh modelimin e elementeve në miniaturë, bocet. Pastaj kalon në krijimin e formave të prodhimit të produktit të artit, sidomos parafabrikimet, të cilat mund të jenë korniza të ndryshme, kolona dhe veshje të tjera të një ndërtese. Shumicën e rasteve një artifakt kërkon një model të detajuar për ta bërë, njesoj si për një skulpturë unike. Në varësi të materialeve të ndryshme unë prodhoj forma të ndryshme në bazë të të cilave unë prodhoj stilet e kërkuara. Kur krijon forma duhet të jesh në gjendje të kuptosh negativin dhe pozitivin. Ja ta shpjegoj: Sipas modelit unë do të krijoj një negativ, në të cilin derdhet materiali, e zëmë me allçi, i cili kur forma hapet, jep pozitivin, pamjen fillestare të modelit që është pjesa përfundimtare e modelit të artit në materialin e dëshiruar. Pra, në këtë mënyrë artizanët mendojnë të kundërtën e procesit të projektimit. Ne mendojmë çdo proces të nevojshëm për të arritur rezultatin e dëshiruar, i cili është arti që dëshiron klienti; vetë procesi i realizimit është ndonjëherë i ndërlikuar por tepër i vlefshëm sidomos kur arrin rezultatet e dëshiruara. Ne jemi një kulturë mesdhetare ku dekorit të strukturave i jepet prioritet. Arkitektë, projektues të ndryshëm dhe ndërtues më kërkojnë shpesh për t’u dhënë ide para se të fillojnë ndërtimin; kontributi im mund të ndikojë në dizajn.

Si u bëre artizan?

Babai im, Agim Sefa, që i ri, ka qene pionier në artet në Shqipëri duke filluar në kohën e Enver Hoxhës. Hoxha kërkonte art kombëtar mbresëlënës dhe babai im dhe disa të rinj të tjerë u trajnuan nga Thanas Papa, i cili fatkeqësisht, vdiq kohët e fundit, për të prodhuar monumente masive bronzi dhe punë të tjera skulpturore, që ishin për t’u admiruar, edhe pse të porositura nga një diktator. Shqiptarët gjithmonë e kanë dashur artin vizual, edhe në komunizëm, dhe babait tim i është dhënë mundësia dhe liria për krijim në shumë fusha, duke përfshirë edhe kinemanë si skenograf. Sa fillova të rritem, ai më merrte me vete në atelietë ku punonte dhe më linte t’i provoja gjërat me duart e mia. Motra ime ishte shpesh atje, por vetëm shihte procesin edhe pse ishte shumë e interesuar. Ajo është një arkitekte tani – është një surprizë që ajo nuk donte t’i bënte duart pis! [Qeshje] Bashkëpunëtorët e babait tim, artizanë të tjerë, ishin gjithmonë prezentë dhe ai më dorëzonte tek ata për të mësuar. Thanas Papa më mësoi vizatimin dhe skulpturën e formës njerëzore dhe si të krijoja forma nga argjila dhe allçiu, dhe gjithashtu si të bëja relieve. Njazi Muka më njohu me teknikat e fonderisë për bronzin, “teknika e dheut” siç quhet, dhe si të trajtoj modifikime të skulpturave gjatë prodhimit, duke përfshirë saldimin dhe dhënien e dorës së fundit.  Thoma Thomai më trajnoi në skulpturë dhe modelim në miniaturë dhe Muntas Dhrami përforcoi rëndësinë e vizatimit dhe të linjës së punës si bazën kryesore të bërjes së artit. Mendoja e gjitha kjo, pjesëmarrja në fushën krijuese, ishte një pjesë e natyrshme e jetës time,  të gjithë të ngarkuar me projekte, hidhu nga njëri tek tjetri duke më lënë të perfshihem dhe vërtet duke bërë pjesë të rëndësishme të punës. Babai im është mjeshtër i të gjitha këtyre specialiteteve dhe më tregonte çdo gjë që ai mendonte të rëndësishme për t’u përforcuar, gjëra që kolegët e tij më tregonin mua ose për të prezantuar diçka të re. Ai dhe miqtë e tij artizanë, të cilët ishin të gjithë specialistë të mëdhenj, më ekspozuan gjërat më thelbësore të arteve praktike, të cilat bazohen në artet e mirëfillta, por që kanë për qëllim të jenë më funksionale. Pa e ditur në atë kohë, po rritesha në një zanat të mahnitshëm që përcaktoi të ardhmen time.

A mendove ndonjëherë se kishe nevojë për trajnim formal para se të filloje karrierën?

Me të vërtetë, jo. Familja ime vlerëson arsimin dhe babai më inkurajoi të shkoja në Liceun Artistik “Jordan Misja”. Motra ime ishte në një nga grupet e para të të diplomuarve të universitetit pas komunizmit, dhe unë nuk doja të ma kalonte mua! [Qeshje]. Kështu që po, shkova në Lice, por e bëra ndryshe, dhe shpresoj se rrëfimi im këtu poshtë nuk do krijojë probleme. Normalisht në Liceun Artistik zgjedh një specialitet, ndoshta dy, por unë i provova të gjitha! U futa në qeramikë, skulpturë, pikturë, dizajn grafik dhe fotografi, dhe në ekspozitat e detyrueshme të studentëve, instruktoret e mi shpesh tundoheshin per të prezantuar një pjesë të punës time si të tyren! Per këtë arsye, rekrutohesha nga instruktorë të tjerë për t’u bashkuar me disiplinat e tyre por e njëjta gjë ndodhte përsëri.  Kështu që përfitova dhe kisha mundësinë për të provuar dhe për të mësuar shumë gjëra nga specialistë të ndryshëm dhe të mëdhenj. Më vjen mirë që e bëra Liceun për këtë arsye, gjithashtu kjo më ndihmon me arkitektët dhe projektuesit që kane qejf diplomat. [Qeshje]

Cili është materiali yt i preferuar?

Betoni.

Vërtet? Diçka kaq e zakonshme?

Nga im atë mësova se në duart e duhura, betoni mund të prodhojë bukuri po aq të madhe sa guri ose mermeri. Është një proces i plotë projektimi që përfshin prodhimin e formave, prodhimin, përfundimin dhe instalimin, dhe të angazhosh gjithë aftësitë e tua në këtë mënyrë për një produkt është diçka e veçantë dhe kënaqesi. Ju duhet të kuptoni procesin kimik që të marrësh rezultatet e duhura, duke përfshirë ngjitjen, parandalimin e erozionit, përzierjen e duhur dhe rezistencën e motit, kryesisht shiun diellin dhe kripën. Betonin mund edhe ta gdhendësh, bocart. Për mua, betoni është një material kryesor krijues, ashtu si boja e vajit është për një piktor. Dhe për dekorin, kostoja e tij e ulët e bën atë popullor dhe të specifikuar gjerësisht. E vërteta është se mund të prodhosh gjëra madhështore me beton, madje edhe  kryevepra.

Cilat janë disa nga projektet më të bukura që keni pasur?

Unë isha pjesë e një ekipi të bronzit të zgjedhur nga Thoma Thomai për të prodhuar një statujë të mrekullueshme prej bronxi të Nënë Terezës së Kalkutës që iu dhurua Shtetit Brazilian nga Shqipëria. Ne përdorëm një metodë shumë të vjetër tradicionale të fonderisë per fabrikimin e saj, metodë e praktikuar vetëm nga disa mjeshtra e cila dha rezultate të mëdha dhe përshpejtoi kohën e realizimit. Statuja atje bashkohet me Krishtin “Redeemer” si një ikonë fetare shumë popullore dhe e veçantë. Unë bashkë-krijova me Etmond Balja statujën e Skënderbeut në Bulqizë. Këto janë pjesë arti unike shqiptare . Ne po kalojmë më shumë në stilet moderne, abstrakte dhe po i largohemi bazës klasike të artit tonë, megjithatë jam i lumtur që kam qenë pjesë e diçkaje më tradicionale dhe gjithashtu jam pjesë e punës me porosi që është më bashkëkohore.

E kuptoj që motra juaj është një arkitekte e suksesshme në Shtetet e Bashkuara. A ndikoni reciprokisht mbi njëri – tjetrin në anën krijuese?

Duhet të jem produktiv dhe i fortë sidomos kur kundërshtari im është kaq i fortë. [Qeshje]

Me çfarë po merresh tani në karrierën tënde?

Unë jam duke krijuar modele qilari vere me bazë betoni për Agikon shpk. Gjithashtu një repart qeramike dhe një linjë formash artistike për qeramikën në këtë  kompani.

Ju njiheni nga moshatarët tuaj si dikush me “duar të arta” për shkak të aftësive tuaja. Duke qenë një person kaq krijues, çfarë të jep kënaqësinë më të madhe në punë?  

Unë i kam duart të pista dhe të plasaritura nga puna, pyet gruan dhe fëmijët e mi! [Qeshje] Dhe çfarë më jep më kënaqesi kur punoj? Klientë të lumtur! [Qeshje]

Botuar në BORDO,shtator 2022

easy dinner ideas
Previous ArticleNext Article