KreuArt

Si ta shmangim depresionin post-pushime?

Nga Fleura Shkëmbi 

Sindroma post-pushime ose depresioni post-pushime karakterizohet nga një humor i ulët dhe simptoma të tjera që përkojnë me depresionin, por që i përkasin periudhës së kthimit në shtëpi pas pushimeve. Ndërkohë që njerëzit mendojnë gjatë gjithë vitit për pushimet e rradhës, kthimi në shtëpi nuk pritet me aq shumë entuziazëm. Kalimi nga ditët plot aktivitete të dëshiruara dhe larg stresit të përditshmërisë, në rutinën e përhershme, për shumë njerëz rezulton në sindromën post-pushime…

Cilat janë simptomat që tregojnë që po përjetojmë këtë sindromë?

Pasi kthehemi nga pushimet është e pritshme që humori jonë të jetë pak më i ulët se zakonisht. Megjithatë, kur kemi të bëjmë me depresionin pas pushimeve, simptomat mund të variojnë:

Stres

Ankth

Irritueshmëri

Mungesë përqendrimi

Mungesë motivimi

Probleme me gjumin

A mund të parandalohet trishtimi që na kaplon pas rikthimit në rutinë?

Janë disa masa që mund të ndërmarrim në mënyrë që ta parandalojmë depresionin post-pushime. Si fillim, përpara se të nisemi për udhëtim, është mirë t’i lëmë të gjitha gjërat të organizuara, që kur të kthehemi të mos na duhet të përballemi me sasi të tepërta pune. Këtu përfshijmë edhe çështjet e punës, por edhe punët në shtëpi. Po ashtu, mund të planifikojmë paraprakisht një takim me miq apo një aktivitet tjetër argëtues për ditët e para pas kthimit në shtëpi, duke patur parasysh që fundi i pushimeve nuk ka pse të jetë fundi i argëtimit. Një mënyrë e mirë për ta ruajtur entuziazmin e pushimeve edhe më pas janë fotot e ditaret. Përgjatë pushimeve mund të përdorim një ditar ku shkruajmë mbi ngjarjet më të bukura, mendimet e ndjesitë tona. Kështu mund t’i kthehemi atyre kujtimeve e t’i ripërjetojmë sa herë të kemi nevojë, qoftë nga përshkrimet e detajuara të ditarit, qoftë nga kapja e momentit përmes një fotoje. Gjithashtu, është e rëndësishme që përgjatë pushimeve, ndërmjet aktiviteteve të njëpasnjëshme, të lihet hapësirë e mjaftueshme për qetësi e relaks. Studimet tregojnë që ata individë që kalojnë pushime më të qeta, e ruajnë kënaqësinë e pushimeve për një kohë më të gjatë se sa ata që kalojnë pushime shumë aktive e të ngjeshura me aktivitete.

Depresioni post-pushime sa mund të zgjasë në kohë?

Kohëzgjatja e depresionit post-pushime është relativisht e shkurtër, megjithatë varion. Mesatarisht pritet që ky lloj depresioni të zgjasë 7 deri në 10 ditë. Ka studime që tregojnë që në fakt zanafilla e këtij humori të ulët, është akoma pa u kthyer nga pushimet, pra gjatë ditëve të fundit, atëherë kur nisim të mendojmë që pushimet po mbarojnë dhe do na duhet të kthehemi.

Kur duhet shqetësohemi dhe të kërkojmë ndihmën e specialistit?

Nëse vini re që po përjetoni simptoma të depresionit post-pushime, duhet të keni parasysh që ndihma e specialistit mund të jetë e nevojshme për ju. Depresioni post-pushime mund të nxjerrë në pah problematika të reja të shëndetit tuaj mendor apo mund të theksojë problematika të mëparshme, për të cilat është e nevojshme të kërkohet ndihmë profesionale.

Shpesh rikthehemi menjëherë në punë nga pushimet, a duhet të kemi orare më të kufizuara për ta përballuar?

Në mënyrë që periudha e kthimit në normalitet pas pushimeve të jetë më e lehtë, rekomandojmë që puna të mos rinisë menjëherë. Është mirë që pushimet të mbyllen të paktën 1 apo 2 ditë përpara fillimit të punës. Do të ishte akoma më mirë nëse kjo periudhë do të zgjaste edhe më shumë. Në këtë mënyrë rikthimi mund të bëhet gradualisht. Nëse është e mundur, oraret dhe intensiteti i punës është mirë po ashtu të rriten gradualisht drejt normalitetit.

Joga apo teknikat e tjera të meditimit, a ndihmojnë për t’u kthyer në normalitet?

Benefitet e meditimit janë nga më të shumtat. Pa dyshim që meditimi shërben si një mjet mjaft i mirë për t’u përdorur për lehtësimin e tranzicionit pas pushimeve. Nëpërmjet meditimit dhe jogas çdokush mund të përftojë ndjesitë e relaksit aq të dëshiruara, që vijnë së bashku me një sërë efektesh të tjera pozitive si menaxhimi i stresit dhe i ankthit, fokusimi në të tashmen, reduktimi i emocioneve negative, rritja e durimit dhe e përqendrimit, e me rradhë.

Botuar në BORDO, shtator 2022

Tags:

Home Art

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF