KreuBusull

KuajFuqi/ Zbuloni misterin e kafshës më të dashur dhe fisnike për njeriun

Zbuloni misterin e kafshës më të dashur dhe fisnike për njeriun, një raport i cili ndër shekuj i ka dhuruar misticitet kësaj figure

Një nga figurat më të pranishme në kultura të ndryshme është simboli i kalit. Nga një emblemë lufte, në një simbol i pushtetit, figura që lidhet pazgjidhshmërisht me lirinë, e po ashtu një imazh që nënkupton forcën. Kjo kafshë madhështore është një qenie e cila vjen nga mitologjia e lidhur fort pas njeriut. Shpesh ky imazh shfaqej si shoqërues i perëndive, ndaj edhe për nga natyra simbolizon fisnikëri dhe pasuri.

Kali është një nga kafshët e para të zbutura nga njeriu, i cili prej kohësh ka luajtur një rol thelbësor në jetën e njerëzve, duke qenë një shoqërues besnik në gjueti, fushata dhe beteja, të cilat nuk mund të mos pasqyroheshin në mitologjinë e popujve të ndryshëm, ku kësaj kafshe gjithmonë i është kushtuar shumë vëmendje. Kali simbolizon mençurinë, fisnikërinë, dritën, pjellorinë dhe guximin. Po ashtu lidhet edhe me pasionin dhe aftësinë për të parashikuar, pasi mendohet se kjo kafshë ka mprehtësinë dhe njohuri intuitive për të paralajmëruar diçka që mund të ndodhë.

Kali është një nga kafshët më të zakonshme në mitet e popujve të ndryshëm, i cili ishte i pajisur me fuqi të mbinatyrshme, një simbol i jetës dhe vdekjes. Në kohët e lashta, njerëzit besonin se Dielli dhe Hëna udhëtonin me një karrocë të tërhequr nga kuajt. Sipas shëmbëlltyrave budiste, Buda lë shtëpinë e tij dhe shkon në një udhëtim nëpër botë me një kalë të bardhë, po ashtu perëndia e greke e diellit Foebus fluturon nëpër qiell mbi një karrocë me kuaj të bardhë. Në mitologjinë kineze, kali është konsideruar gjithmonë si një ogur i mirë, i lidhur me qiellin, zjarrin, shpejtësinë dhe këmbënguljen. Edhe në kulturën e krishterë kjo simbolikë vjen përmes katër kuajve të Apokalipsit që janë: lufta, vdekja, uria dhe epidemia. Në kalendarin lindor, kali ka shenjën e vet astrologjike. Zakonisht të lindurit në këtë zodiak janë njerëz punëtorë dhe kokëfortë dhe nënkupton të gjithë të lindurit në një 10 ose 12 vjeçar, p.sh, vitet 1990, 2002, 2002, etj.

Kali ka qenë objekt i ritualeve  magjike dhe në shumë kultura konsiderohej një kafshë e shenjtë, ndaj shumë popuj e kishin të ndaluar të hanin mish kali. Grekët e lashtë i sillnin çdo vit një karrocë të tërhequr nga kuaj si dhuratë për perëndinë e diellit, ndërsa në Romën e lashtë çdo tetor organizohej gara me kuaj. Përveç vetë kalit, pjesë të trupit të tij ishin të pajisura me veti magjike. Për shembull, një kokë kali e mbajtur si amulet bartte një fuqi mbrojtëse, po ashtu edhe patkoi, sillte përparësi dhe begati nëse e mbaje në shtëpi.

Kali në ëndrra mund të ketë kuptime të ndryshme në varësi të veprimit ose ngjyrës. Një kalë i bardhë që vrapon mund të shfaqet në vizionet tuaja të natës kur jeni të dashuruar dhe së shpejti do t’ju afrohet një fejesë, pasuri ose sukses. Kuptimi i hamshorit të bardhë mishëron një lidhje të thellë dashurie. Po çfarë simbolizon një kalë i zi? Mund të përfaqësojë dhimbje, zhgënjim apo tradhëti, një lajm i cili do t’ju bëjë të derdhni lot. Mendohet se ata njerëz që mbajnë kuaj dhe janë të lidhur me ta, janë shumë miqësorë dhe të dashur, sepse nën e efektin e kësaj kafshe ata pësojnë transformime të dukshme shpirtërore.

Mbajtja e këtij simboli në formën e një varëse, qoftë edhe koka e kalit, apo vendosja e një statuje të vogël në hyrje të portës së shtëpisë tuaj, tregon se do të keni begati në familje dhe një gjendje shpirtërore dhe emocionale pozitive.

Botuar në BORDO, Nëntor 2022

Tags:

Home

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF