KreuBusull

Nesër në Panairin e Librit mos harroni të ndaloni te “Pegi”; njihuni me librat e rinj!

Një nga eventet më të rëndësishme në vend është padyshim Panairi i Librit, i cili pritet me një kërshëri të madhe nga lexuesit besnikë. Sikurse vitet e tjera edhe Panairi i 25 i Librit “Tirana 2022” do të organizohet në mjediset e Pallatit tè Kongreseve, nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë në datat 16-20 nëntor.

Për 5 ditë me radhë të gjithë lexuesit do të kenë mundësi të blejnë librat e tyre të preferuar. Ndalesa e parë e gjithsecilit prej nesh do të jetë në stendën e shtëpisë botuese “Pegi”, e cila gjithmonë kujdeset të sjellë libra cilësorë që nuk duhen humbur.

Sikurse në çdo Panair edhe këtë vit “Pegi” vjen me libra të rinj, duke filluar nga “41 sekrete”, nga Ben Blushi, e duke vazhuar me linrin, “Rrethimi”, “Dëborë në Tiranë”, “Ëndrrat dhe dashuritë e një jete”, “Kompleksi im i Edipit dhe rrëfenja të tjera” e shumë të tjera.

Më poshtë do të gjeni disa informacione shumë të vlefshme në lidhje me këta libra të rinj: 

1.“41 sekrete”: Ky libër përmbledh 41 histori njerëzish të ndryshëm, shkruar nga Ben Blushi në formën e rrëfimeve dhe sekreteve të jetës së tyre. Përveç rrëfimeve, Ben Blushi ka fotografuar të gjitha personazhet e tij, duke harmonizuar fotografinë bardhezi me përshkrimin dhe dialogun artistik që ka zhvilluar me secilin prej tyre. Personazhet variojnë nga njerëz të familjes së tij te miqtë; shkrimtarë si Ismail Kadare, aktorë si Robert Ndrenika, Monika Lubonja e Viktor Zhusti, piktore, klerikë, fotografë, këngëtarë si Dren Abazi e Bojken Lako, sportistë; afganë, ukrainas, si dhe pinjollë të familjeve të shquara si nipin e Ismail Qemalit, nipin e Faik Konicës apo vajzat e Lasgush Poradecit dhe Vangjush Mios. Sekretet mbyllen me një rrëfim të sinqertë se si të bëhesh mysliman në Kavajë.

2.“Rrethimi”: Është Lufta e Parë Ballkanike, malazezët kanë rrethuar Shkodrën, kurse serbët kanë pushtuar tokat nga fusha e Zadrimës deri në Portin e Shëngjinit. Një qytet i tërë është zënë në grackë.Kush është brenda rrethimit, jeton nën rrebeshin e bombardimeve, të zisë së urisë dhe ngricës që s’ka zjarr ta shkrijë. Mbijetesa duket si mallkim, vdekja si shpëtim.Kolë Laca duhet të fotografojë këtë gjëmë. Aparati i tij nuk përjetëson vetëm kronikën e qytetit, por edhe fatin e tij. Trina do të ngrijë në pllakën e gurit që t’i shpëtojë besës. Një zë që qan nga gurët e kështjellës do të mallkojë fjalën e dhënë, gjë që e lë pa gjumë Esat Pashën, ndërsa Hasan Rizaja me murgun erëmirë kanë për ta treguar me gisht. Osja i Falltores do t’i shohë të gjitha, ndonëse i ndryrë brenda mureve të vetmisë. Në gjithë këtë lëmsh, endet Çerçiz Topulli në kërkim të armikut, pavarësisht se përballë i del veç i premtuari. Një rrëfim epik për qëndresën e një kombi përmes triumfit të dashurisë.

 

3.“Dëborë në Tiranë: Historitë e dedektivit privat Bardhyl Nini vijojnë nëpër një Tiranë kaotike, ku lufta mes së mirës dhe së keqes, pushtetit, parasë dhe dashurisë për vendin nuk reshtin asnjëherë. Për tri gjëra është i sigurt hetuesi privat Bardhyl Nini. E para, e vetmja drejtësi që do të gjejë në Shqipëri është ajo që do të arrijë ta bëjë me duart e tija. E dyta, kafja pa konjak “Skëndërbeu” është si pushka pa fishek. E treta dhe e fundit: po vajte në shesh mejdani, ose lufto me shpirt e me dhëmbë deri në fund, ose mos shko fare. Bardhyli duket sikur ka gjetur rehat në Tiranën e tij. I shtyn ditët në lokalin e lagjes me një kafe e konjak para, duke luajtur domino e duke ndjekur raste pa shumë rëndësi. Kur Esteri troket në portën e tij, duket sikur detyra që do t’i japë është thjesht një tradhti bashkëshortore si shumë të tjera. Por qysh nga ai çast, hetuesi privat hyn në një vorbull ngjarjesh që nuk arrin më ta kontrollojë.

 

4.“Ëndrrat dhe dashuritë e një jeteështë një ndër romanet më të njohura dhe emocionuese të letërsisë greke moderne. Shpesh, për nga struktura e rrëfimit dhe tematika që trajton, është  konsideruar si “Getsbi i madh” i shkrimtarit të njohur amerikan F. S. Fitzgerald.  Vasili Karloviç Junkerman është pinjoll i një familjeje të pasur finlandeze, i kredhur në botën e qejfit, alkoolit, kumarit, mashtrimeve dhe zhvatjeve, i cili, për shkak të revolucionit rus e të tjera ngjarjeve të turbullta, përfundon në brigjet e Pireut. Ashtu si Xhej Getsbi, Vasili Junkerman arrin të fitojë pushtet dhe pasuri përmes veprimtarive të dyshimta. Punësohet në një bankë dhe shpejt bëhet një prej krerëve të saj më të lartë, duke siguruar kështu jo vetëm një post qendror, por edhe mundësinë për të siguruar një mirëqenie të jashtëzakonshme. Në jetën e tij hyjnë e dalin shumë gra, të bukura, joshëse, përfituese, por vetëm njëra e përfshin në një pasion marramendës, zjarri i të cilit do ta shenjojë përgjithmonë. Sidoqoftë, ai do të mbetet i pazoti për të kuptuar gruan që dashuron e, kësisoj, thellësisht i papërmbushur dhe i dëshpëruar.

 

 

5.“Kompleksi im i Edipit dhe rrëfenja të tjeraështë një përmbledhje tregimesh të shkrimtarit irlandez Frank O’Connor, përzgjedhur nga Julian Barnes. Në to, përmes rrëfimeve mbi fëmijërinë dhe martesën, seksin dhe fenë, luftën dhe pleqërinë, O’Connor-i shpalos në formën më të plotë zhdërvjelltësinë, humorin dhe mprehtësinë e tij. Ai përshkruan djelmosha, të bindur se janë gjeni apo që i ka kapërthyer rivaliteti me babanë e tyre, si dhe ushtarë të Ushtrisë Republikane Irlandeze që duhet të marrin vendime të vështira në mes të një lufte topitëse. Diku tjetër, një grua e moshuar kërcënon të birin se do t’i shfaqet lugat, po të mos e varrosë në fshatin e prejardhjes, teksa një kurorë lulesh gati sa nuk plas skandalin, sepse një dorë anonime e lë në funeralin e një prifti. Në këto përjetime të bukura të jetës së zakonshme – sa komike, aq dhe tragjike – O’Connor-i portretizon çaste të parëndësishme, që na çojnë tek e vërteta psikologjike që qëndron në zemër të personazheve të tij.

 

 

6.“Leksione frymëmarrjeje” i shkrimtares Anne Tyler, fitues i Çmimit Pulitzer (1989), rrëfen historinë e gjithë jetës së një çifti, treguar gjatë një udhëtimi. Megi dhe Ira janë të martuar prej 28 vjetësh, gjë që duket qartë në rutinën e tyre, në aftësinë e tyre për t’i lëshuar pe me dashamirësi egos së njëri-tjetrit. Ajo që fillon si një udhëtim për të shkuar në një funeral shndërrohet befas në një aventurë të papritur. Teksa Megi dhe Ira përballen me peripecitë e udhës, kryqëzohen me njerëz nga më të çuditshmit dhe rizbulojnë magjinë e rrugëtimit të quajtur jetë dhe gëzimin e pasjes së dikujt pranë për ta ndarë atë me gjithë të papriturat e veta.

 

7.“Arti për të fituar miq dhe pushtet” i autorit Dale Carnegie, me mbi 30 mijë kopje të shitura, libri që ka shndërruar jetën personale dhe profesionale të miliona njerëzve, një bestseller i pakohë, vjen tashmë i përditësuar, për herë të parë që pas më shumë se dyzet vjetësh. Ky botim i ri vjen i plotësuar sipas kërkesave të kohës, për lexuesit e sotëm dhe mbetet libri më i mirë i llojit të vet. Ndonëse libri daton në vitin 1936, informacioni që përmban mbetet ende aktual e i vlefshëm. Ai ka hyrë brez pas brezi në zemrat e njerëzve dhe vazhdon të pëlqehet edhe nga lexuesit e sotëm. Shumë nga ekspertët e sotëm të idesë për përmirësimin e vazhdueshëm të vetvetes, ia detyrojnë suksesin e tyre pikërisht themeleve të hedhura nga ky libër këtu e nëntëdhjetë vjet më parë. 

 

8.“Hajduti dhe Rebelja” është historia e dy të dashuruarve të rinj e të guximshëm, të cilën duhet të vendosin, siç thotë vetë Sendker, “çfarë jete duan të bëjnë, nga cilat vlera morale të prindërve të tyre të shkëputen”. Djaloshi 18-vjeçar Niri dhe familja e tij bëjnë një jetë të thjeshtë, por të sigurt, duke punuar në vilën e familjes së pasur Benz. Por kur pandemia pllakos botën, të gjithë lihen në mëshirë të fatit duke parë në sy honin e një varfërie të skajshme. Ndërsa gjendja e tyre bëhet gjithnjë e më e dëshpëruar, Niri, dikur nxënës manastiri, që respektonte të gjitha rregullat, vendos që nuk do të presë më duarkryq ndihmat e një qeverie të korruptuar dhe shpërfillëse ndaj popullit, madje ai rebelohet edhe ndaj të atit, që tashmë i është dorëzuar fatit të tij. Fshehurazi, nëpër qytetin e izoluar për shkak të pandemisë, në kushtet e një shtetrrethimi të egër, përmes patrullave ushtarake, Niri kthehet te vila për të marrë ushqimet e nevojshme për mbijetesën e familjes. Aty e pret shoqja e fëmijërisë, Meri, e bija e zotit Benz, e cila ka një plan më të madh, që do t’ua ndryshojë jetën përgjithmonë.

 

9.“Jeta shpirtërore”: Dezideria, e bukur, e re dhe pamëshirshme është vajza e birësuar e Violës, një borgjezeje të pasur romane, por tërësisht të shthurur moralisht dhe
seksualisht. Romani zhvillohet si një intervistë e gjatë, ku një personazh i quajtur “Unë”, që mund të interpretohet si gazetar, psikolog, shkrimtar, interviston Deziderian, duke e ngacmuar me pyetje në dukje të thjeshta mbi jetën e saj, por nga ana tjetër duke nxjerrë në pah rrënimin e vërtetë të vlerave shoqërore.
Vajza rrëfen historinë e jetës së saj që nga fëmijëria e hershme me një qartësi dhe sinqeritet të skajshëm, rebelimin e saj ndaj familjes, klasës dhe shoqërisë, së cilës i përket jo për shkak të lindjes.
E shtyrë nga një Zë i brendshëm, nga shpirti i revoltës, i cili do t’i imponohet përmes një “plani për shkelje dhe përdhosje” të të gjitha të ashtuquajturave vlera borgjeze, ajo nuk ngurron të ndërmarrë hapa të guximshëm që do ta shpien drejt prostitucionit, orgjisë, komplotit të rrëmbimit, grabitjes dhe incestit.

 

 

 

Tags:

Home

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF