KreuBusull

Intervistë/ Giulia Sciotti: Vera në ADN-në time!

Nga Olsi Kolami 

Kur në vjeshtë niste sezoni i vjeljes së rrushit në vreshtat e pafundme të Abruzzo-s, Giulia Sciotti ende një vogëlushe vraponte e dehur nga era e mushtit që përhapej ngado, fill pasi hardhitë ishin çliruar nga bistakët e kishin përfunduar procesin e përgatitjes së verës. Në kujtimet e saj rri ende zgjuar puna e gjyshërve, të cilët nuk ndalonin për asnjë moment gjatë gjithë vitit duke punuar në vreshta, derisa shishet e verës nisnin e mbusheshin, e pastaj shërbeheshin në tryezën e familjes. Pasi u diplomua për Administrim Biznes dhe kishte provuar një eksperiencë në një kompani ndërkombëtare në Spanjë, ajo dëgjoi zërin e rrënjëve të saj për t’u kthyer në vendlindje, teksa i ati kishte ndërtuar me sukses kompaninë Fantini Wines. Ishte momenti që Giulia jo vetëm kuptoi se vera ishte në ADN-në e saj, por edhe e ardhmja do të lidhej pazgjidhshmërisht me këtë sektor.

Giulia, kur pashë postimet e tua në IG ishte e pabesueshme se si një vajzë kaq e re ishte kaq e lidhur  me verërat, në përgjithësi në këto kompani janë njerëz më të pjekur?

Le të themi se vera ka qenë gjithmonë në ADN-në time. Unë vij nga një rajon, Abruzzo, ku 80% e tokës së punueshme i kushtohet kultivimit të verës dhe vajit të ullirit. Që fëmijë jam rritur duke parë gjyshërit e mi sesi gjatë gjithë vitit kujdeseshin për vreshtat dhe kur vinte periudha e vjeljeve, ky ishte një moment magjik për të gjithë familjen. Të gjithë kishin një rol, disa kujdeseshin për të korrat, të tjerë me aktivitetet e bodrumit si shtypja apo kontrolli i fermentimit et. Gjyshërit e mi e prodhonin gjithmonë vetë verën. Më kujtohet shumë mirë që në ditët e vjeljeve, shtëpia kundërmonte erë të mirë mushti. I kam ruajtur gjithmonë këto kujtime dhe pas diplomimit për Administrim Biznesi, zgjodha të punoj për dy vjet në një kompani teknologjike në Spanjë, por në fund vendosa t’i përkushtohem pasionit tim të vërtetë: verës.

Cili ishte momenti që ju bindi t’i përkushtoheni plotësisht enologjisë?

Një udhëtim enologjik në Kili me familjen time në vitin 2017 ishte momenti kur kuptova se jeta ime duhet të ndryshonte kurs, duhej të braktisja karrierën në kompaninë shumëkombëshe dhe t’i përkushtohesha pasionit tim të vërtetë, verës. Vendosa të shkoj në Bordeaux ku bëra Master në Marketingun e Verës dhe arrita 3 nivelet e para të WSET. Pas studimeve në Francë, doja të përfshihesha me një kompani të rëndësishme në botën e verërave, kështu që bëra një praktikë me Concha Y Toro, gjigantin global kilian që ka më shumë se 8700 hektarë vreshta. Kam punuar si ambasador i markës në tregun kinez për 8 muaj, me qendër në Shangai. Pas eksperiencës për CYT në Kinë, vendosa t’i kthehem rrënjëve të mia dhe në fillim të vitit 2019 nisa të punoj si Menaxher Marketingu për kompaninë e themeluar nga babai im me 2 miq të tjerë: Fantini.

Fantini Wines lindi nga pasioni i tre burrave, sot e ardhmja e kompanisë i është besuar brezit të ri si ju Giulia, cila është këshilla më e vlefshme që ju ka dhënë babai juaj? 

Të mos kesh kurrë frikë të rrezikosh dhe të vendosësh të arrish gjithnjë e më lart, drejt qëllimeve të reja, atyre më sfiduese dhe ambicioze.

Shija e rafinuar e verërave tuaja është e pranishme edhe në Shqipëri, ju si eksperte marketingu, si e shihni shpërndarjen në vendin tonë?

Më duket një shembull i bukur suksesi dhe një kënaqësi e madhe për kompaninë tonë. Kur filluam punën në Shqipëri eksportuam vetëm disa shishe dhe tani, vite më vonë, volumi është rritur dukshëm. E gjithë kjo falë partnerëve shqiptarë, të cilët janë “martuar” me kompaninë tonë dhe besojnë në potencialin e madh të produkteve tona. Verërat tona kanë karakteristika organoleptike që lidhen shumë mirë me shijet e shqiptarëve dhe lidhen po aq mirë me shumë pjata tipike si: supat, involtini me perime dhe mishi.

Cilat janë etiketat më të preferuara në Shqipëri nga kompania juaj?

Nëse shikojmë vëllimet tona të shitjeve, do të thosha se Zolla Primitivo di Manduria DOP është kryesori. Primitivo është varieteti më i afërt me shijen shqiptare. Ndërsa tek verërat e bardha, do të veçoja Pipoli Bianco Basilicata PGI, e cila vlerësohet veçanërisht edhe për paketimin që kemi bërë së fundmi. Tapa e re e qelqit Vinolok i jep shishes elegancë dhe stil, duke e kthyer në një aksesor të këndshëm për t’u mbajtur edhe pasi shishja të jetë bosh.

E di që Miss Giulia është një produkt i ri, i cili bën dallimin pikërisht nga paketimi…?

Në nivel ndërkombëtar ka gjithmonë një kërkesë në rritje për një produkt “të thjeshtë”, të këndshëm, të gjithanshëm dhe që nuk shoqëron domosdoshmërisht ushqimin, pra në rastin e një dreke apo darke. Para disa kohësh po lexoja një artikull në Wine Spectator ku flitej për mundësitë e konsumit tek të rinjtë, se si ata i qasen botës së verës. Shkrimi theksonte një aspekt se: ​​shumë të rinj po largohen nga sektori ynë sepse nuk gjejnë përgjigje dhe stimuj të rinj. Miss Giulia është përgjigjja: një produkt që shumëfishon pikërisht rritjen e konsumit, për shembull mund të merret me vete në një varkë, në plazh, në park, në një koncert apo gjatë një aperitivi me miqtë. Është një verë që nuk do shumë mund të merret me vete dhe mund të konsumohet lehtësisht kudo: kemi versionin e kuq, të bardhë dhe rozë.

Cilat janë projektet e ardhshme të kompanisë suaj në Shqipëri?

Ne jemi një kompani që i kushtojmë shumë rëndësi çështjes së qëndrueshmërisë. Tani më shumë se kurrë ne po zhvillojmë shumë projekte që synojnë të reduktojnë ndikimin mjedisor në prodhim dhe në zgjedhjen e ambalazhit. Një projekt që ne kemi zhvilluar së fundmi në Siçili me markën tonë Cellaro quhet Solea Sostenibile, e cila është një linjë e zhvilluar me paketim 100% të riciklueshëm duke filluar nga shishja, qelqi i ricikluar, kapaku që përdor ngjitës natyralë të marrë nga kallam sheqeri dhe një etiketë të përgatitur nga letra të ricikluara dhe të certifikuara nga një zinxhir furnizimi i kontrolluar nga FSC. Kjo linjë përbëhet nga dy referenca: e bardha Grillo Sicilia DOC 100% organike dhe e kuqja Nero d’avola Sicilia Doc, gjithashtu organike. Është një linjë shumë interesante që do të donim t’ia ofronim edhe tregut shqiptar dhe të kuptonim se çfarë reagimi kanë konsumatorët.

A keni keni provuar verërat vendase shqiptare dhe çfarë përshtypje keni?

Shqipëria ka potencial të madh për zhvillim enologjik si dhe një histori të thellë verërash që ka rrënjë shumë të lashta. Ndër verërat që kam pasur kënaqësinë të shijoj dhe më ka bërë përshtypje janë nga hardhitë autoktone dhe që për mendimin tim mund të konkurrojë shumë mirë në nivel ndërkombëtar, është Kallmeti i cili ka fuqi dhe strukturë të integruar dhe të balancuar gjithashtu, që ka potencial të shkëlqyer sidomos pas vjetërimit.

 

 

 

 

 

 

 

 

                                                            Botuar në BORDO, Dhjetor-Janar 2022

Tags:

Home

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF