Me 8 vota pro dhe asnjë kundër nga anëtarët e bordit, Adi Krasta është zgjedhur zëvendësdrejtor i përgjithshëm i Radio Televizionit të Kosovës. Votimi që solli dhe emërimin e gazetarit të mirënjohur shqiptar, sipas njoftimit të vetë bordit, u bë me rekomandimin e drejtorit të përgjithshëm, Shkumbin Ahmetxhekaj.
“Për më shumë se tre dekada përvoje pune ne gazetarinë televizive dhe jo vetëm, Adi Krasta i cili mori pozitën drejtuese në transmetuesin publik të Kosovës, i bashkohet medias së vetme publike në Kosovë në këto momente vendimtare të zhvillimit dhe përparimit të saj”, thuhet në njoftim.
Nëntorin e 2022-shit, gazetari veteran pati marrë pasaportën e Republika e Kosovës, dhe mesazhin e postuar në rrjetet sociale për të treguar këtë fakt, e shoqëronte me një foto të flamurit të Shqipërisë dhe një zemër të kuqe.
Një vit përpara kësaj, ai e kishte shprehur hapur dëshirën për t`u pajisur pasaportë, ndërsa në rrjedhën e kohës nuk i kishte fshehur pakënaqësitë e akumuluara me lidershipin shqiptar. “Nuk di kujt t’ia kërkoj pasaportën e Kosovës, me shumë krenari do ta merrja bashkë me familjen,” thoshte në një intervistë të dhjetorit 2021.
Adi Krasta ka qënë drejtor i Radio Koha në 1997 dhe drejtor i përgjithshëm i stacionit Telesport në 2002. Më vonë, pas mbylljes së televizionit Agon Channel, zhvendoset edhe njëherë në Top Channel, bashkëpunim ky që përfundon në qershor të 2017. Pas një periudhe prej një viti e gjysmë pa u shfaqur në ekran, Adi Krasta nis emisionin “A Shoë”, çdo të hënë, ora 21:00, në News 24. Në gusht 2019 u raportua që se nuk do ta vazhdonte drejtimin e emisionit “A Show” në kete kanal televiziv, duke gjeneruar dhe nje debat publik rreth arsyeve përse bashkëpunimi u ndërpre.