“Ledio të lutem” rrëfen sekretet e komedisë “Dita më e bukur”!

Nga Nada Biraçi 

‘Ledio të lutem’! Të gjithë e njohin vetëm me këtë frazë Ledio Topallin, i cili prej 20 vitesh regjisor i ‘Zonë e lirë’ është një personazh i famshëm, por edhe totalisht i panjohur nga ana vizuale për publikun. Bordo e takoi dhe u pamë ballë për ballë, por pas disa tentativash, regjisori nuk u bind të shuajë kuriozitetin e publikut për t’u shfaqur me fytyrë. Së fundmi, Topalli është ulur në karrigen e regjisorit të teatrit pas 15 vitesh dhe rikthimi qe i magjishëm. “Dita më e bukur” ngjiti në skenë një kast aktorësh të talentuar si: Gent Zenelaj, Klodian Hoxha, Adelina Muça, Jorida Mema dhe këngëtarja Sheila Haxhiraj, duke e mbajtur publikun për disa ditë rresht të mbërthyer nga kureshtja. Për ata që nuk e ndoqën shfaqjen, por edhe që duan të dinë më shumë mbi profilin artistik dhe personal të regjisorit, ai ka vendosur të flasë për Bordo…,

Shfaqja teatrale “Dita më e bukur” rezultoi tejet e suksesshme! Jeni shprehur se me veprën e autorit francez David Foenkinos patët një dashuri me shikim të parë. Përpos klikut që patët gjatë leximit të veprës e nuhatët edhe suksesin e vënies në skenë? 

Në fakt është e vërtetë sepse gjatë kohës së pandemisë ju përkushtova gjuhës frënge dhe arrita që në një kohë të shkurtër të kisha një nivel shumë të mirë të gjuhës, e në këtë kohë kërkoja të lexoja sa më shumë libra në frengjisht që të përmirësoja nivelin gjuhësor. Ky ishte dhe momenti kur rashë në kontakt me këtë vepër që të them të drejtën edhe në frengjisht e lexova me një frymë. Në fakt as nuk e kisha fare ndër mend që t’i kthehesha skenës, por kjo pjesë më shenjoi dhe përshtypja e menjëhershme ishte që kjo do ngjisë shumë dhe do kishte impakt në publik. Edhe aty më lindi dëshira që t’i jap jetë këtij projekti.

Zgjedhja e kastit të aktorëve është një tjetër element që ‘vulos’ suksesin e një shfaqje. Çfarë cilësish duhet të ketë një aktor që të marrë vëmendjen tuaj si regjisor për ta bërë pjesë të kastit? 

Castingu është thelbësor për një vënie në skenë e unë gjatë këtij procesi kam qenë shumë i qartë në idetë e mia. Që gjatë leximit të veprës unë e kisha të qartë cilët aktorë do kisha në cast. Dhe kur u kam dhënë aktorëve pjesën për ta lexuar u kam thënë gjithësecilit edhe personazhin përkatës. Por ajo që është më e rëndësishmja për mua është që aktorët të jenë bashkëpunues dhe të krijojmë një ansambël. Atmosfera pozitive në ekip është pika më e rëndësishme, për mua personalisht.

Keni cilësuar si një ndër frazat më të goditura në këtë komedi: ‘jeta ime kjo është që i bëj gjërat për së prapthi, historitë e mia lindin në varreza dhe vdesin në maternitet! Si e zbërtheni ju, jo si regjisor por si Ledio këtë qasje filozofike? 

Këtë frazë e kam përshtatur në shqip gjatë përkthimit, e në fakt kjo është fraza që dashuroj më shumë nga ky tekst, sepse në origjinal është «nisin dhe mbarojnë», por në shqip kjo tingëllon më poetike dhe merr tjetër vlerë sepse theksohet më tepër sesa afër në fakt janë vdekja dhe lindja, dhe çfarë fije e hollë i ndan të dyja. Këtu përqasjen nuk mund ta ndash si regjisor apo si individ sepse realisht këtë inversion e gjejmë tek gjithësecili, pra çdokush nga ne disa herë në jetën e tij i ka bërë gjërat për së prapthi!  Prandaj edhe kjo komedi ka ngjitur shumë në publik dhe pati sukses sepse flet në këtë formë, në formë të drejpërdrejtë.

Kam lexuar diku një shprehje se një regjisor bashkë me kastin krijon një ‘botë’ që jeton dhe merr frymë përpara një dhome plot me të huaj, të cilët gjatë shfaqjes, përmes magjisë së zhvillimit bëhen miq! Për ju çfarë është një regjisor? 

Nuk do t’i hiqja asnjë presje këtij përkufizimi, por do të shtoja që një shfaqje cilësohet si ‘fytyra’ e regjisorit, ndërsa personazhet, karakteret janë fytyra e ‘aktorit’. Dhe në këtë dhomë plot me të huaj duhet me patjetër të lidhesh që në 3 minutat e para, ndryshe e ke humbur mundësinë për t’u miqësuar me ata…

Ju vetë si publik cilin zhanër pëlqeni të shihni në kinematografi apo teatër? 

Mua më pëlqejnë të gjithë filmat apo shfaqjet e teatrit që më bëjnë të mendoj e të diskutoj mbi to. Për mua ka shumë rëndësi skenari, e më pas edhe realizimi. Filmat aksion përshembull nuk janë fare në shijet mia. Por nëse bashkohet mirë fjala, efekti së bashku me teknologjinë atëherë aty jam edhe unë. Edhe filmat që bazohen në luftërat që humanët kanë kryer gjatë gjithë ekzistencës së tyre, hyjnë tek preferencat e mia, sepse në ato momente njeriu shpreh gjithçka përmban qenia e tij.

Jeni i vetmi personazh shqiptar i famshëm prej 20 vitesh e njëkohësisht fare i panjohur vizualisht për publikun. Çfarë ju bëri të zgjdhnit këtë mënyrë prezantimi të vetes? Mendoni se do të mbeteni gjithmonë një mister për publikun? 

Në fakt sigurisht që kjo u mendua që në fillim kështu për të ngritur misterin rreth imazhit tim, e si shumë formula të tjera që ka sjellë Zonë e Lirë, kjo ka funksionuar në perfeksion sepse edhe sot pas 20 vjetësh ka shumë kuriozitet rreth meje. Besoj që kështu do mbetet derisa të ketë jetë ‘Zonë e Lirë.’

Ndryshe nga ju që jeni tejet diskret për t’u shfaqur në publik, bashkëshortja juaj Rolina Naço duket se është më ‘dorëlëshuar’ pasi e shohim shpesh nëpër panele telefizive për të folur rreth nutricionit. 

Po sepse kemi të dy profesione që na kërkojnë të jemi në ekran por kemi dy forma të ndryshme të prezantimit, Rolina përpara kameras e ndërsa unë pas saj. Madje kemi edhe një rubrikë në youtube ku angazhohemi familjarisht që quhet ‘Provoje dhe ti’ ku Rolina dhe Joelja, vajza ime, gatuajnë ndërsa unë filmoj.

Cili është ‘regjisori’ në familjen tuaj, ju apo Rolina? 

Mundohemi të jemi bashkë-regjisorë, por sigurisht gjithësecili mbulon një pjesë që nuk e mbulon dot tjetri.

Ju jeni prindër të një vajze, cili prej të dyve e ka fituar sfidën se kujt i ngjan vajza? 

Ohh Joelja është nje mix perfekt i yni…

‘Ledio të lutem’ është fraza me të cilën identifikoheni; ka patur ndonjë moment që ju është kthyer në bezdisje? 

Jo nuk më ka bezdisur kurrë, nuk më është kthyer asnjëherë në problem, mbase ngaqë futet edhe tek ‘fjalët magjike’ siç ua mësojmë edhe fëmijëve tanë, të thonë gjithmonë të lutem në përditshmërinë e tyre…

Botuar ne BORDO qershor 2022

easy dinner ideas
Previous ArticleNext Article