KreuCelebrity

Ismail Kadare feston 87-vjetorin e lindjes! Rikthehet në ish-shtëpinë e tij!

Kolosi i letërsisë shqiptare Ismail Kadare feston sot 87-vjetorin e lindjes. Në këtë ditë të shënuar për shkrimtarin, botuesi Bujar Hudhri ka publikuar një fotografi të Ismail Kadaresë i cili në orët e para të këtij mëngjesi ka vizituar ish-banesën e tij shtëpinë, studio “Kadare”. “Sot ditëlindja e shkrimtarit tonë të dashur, Kadare, duke parë fotot e fëmijërisë, në ish-shtëpinë e tij”, shkruan Hudhri.

Kadare u lind në lagjen Palorto të Gjirokastrës, aty ku përfundoi edhe arsimin e mesëm ndarkohë më 1958 mbaroi degën e Gjuhës e të Letërsisë në Universitetin e Tiranës. Më pas shkoi në Moskë me studime për dy vjet në Institutin e Letërsisë Botërore “Maksim Gorki”. Ismail Kadare është një nga shkrimtarët më të mëdhenj të letërsisë shqipe dhe gjithashtu një nga shkrimtarët më të mëdhenj të letërsisë botërore bashkëkohore. Me veprën e tij, që ka shënuar një numër rekord të përkthimeve, në mbi 45 gjuhë të ndryshme, ai e ka bërë të njohur Shqipërinë në botë, me historinë dhe me kulturën e saj shekullore.

Në vjeshtën e viti 1990 Ismail Kadare vendosi të largohet nga Shqipëria dhe të shpërngulet në Paris. Shkrimtari në atë kohë e përligji këtë largim me “mungesën e ndryshimeve demokratike”. Autoritetet e kohës e dënuan largimin e Ismail Kadaresë, por krijimtaria e tij nuk u ndalua. Në vitin 1990 e më pas vepra e tij bëhet shprehja më e fuqishme e vlerave gjuhësore dhe artistike të shqipes letrare.  Letërsia e Ismail Kadaresë pas vitit 1990 bart të njëjtat tipare thelbësore të asaj të mëparshme: frymën etnografike dhe shpërfaqjen e identitetit shqiptar.

Ismail Kadare është laureat i shumë çmimeve letrare kombëtare dhe ndërkombëtare. Ismail Kadare është dekoruar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë me Urdhrin “Nderi i Kombit” dhe nga shteti francez me urdhrat “Kryqi i Legjionit të Nderit” e “Oficer i Legjionit të Nderit”. Ismail Kadare më 23.06.2012 u nderua me Çmimin e madh spanjoll, “Princi i Asturias per Letersi”, një nga çmimet me prestigjoze letrare në botë. Ai doli fitues mes 31 kandidateve nga 25 vende të ndryshme të botës ku dallohet emri i Milan Kunderas apo italiani Antonio Cabucchi.

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF